Borge Brende ka njoftuar dorëheqjen e tij, duke e bërë atë figurën e radhës, të profilit të lartë që e paguan me postin e tij, lidhjen me Epstein.
Kreu i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij për shkak të lidhjeve të tij me financierin dhe të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Emri i CEO-s së forumit të Davosit u shfaq në koleksionin e fundit të dokumenteve të Epstein të publikuara nga autoritetet amerikane në fund të janarit.
Të dhënat treguan se Brende mori pjesë në disa darka me Epstein dhe kishte kontakte të shpeshta me të.
Zbulimet çuan në një hetim të brendshëm në Forumin Ekonomik Botëror dhe tani në dorëheqjen e Brende.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen si president dhe CEO i Forumit Ekonomik Botëror. Koha ime këtu, që përfshin tetë vjet e gjysmë, ka qenë jashtëzakonisht e dobishme”, tha Brende në një deklaratë të enjten.
Të dhënat e Epstein treguan se Brende kishte rregulluar një takim me pedofilin në shtëpinë e këtij të fundit për darkë në New York në vitet 2018 dhe 2019. Takimi i fundit ishte rregulluar vetëm disa javë para arrestimit të Epstein për akuzat e trafikimit seksual.
Pasi korrespondenca u bë publike, Brende pretendoi se ai e takoi Epstein vetëm në vitin 2018 dhe se kontakti i tyre ishte i kufizuar në tre darka dhe “disa email-e dhe mesazhe me tekst”.
Ish drejtori ekzekutiv pretendoi gjithashtu se ai “nuk kishte asnjë dijeni për të kaluarën dhe aktivitetet kriminale të Epstein”, pavarësisht dënimit të Epstein në vitin 2008 për marrëdhënie seksuale me një të mitur që ishte gjerësisht i njohur dhe i raportuar gjerësisht në media.
Bashkëkryetarët e Forumit Ekonomik Botëror, Andre Hoffman dhe Larry Fink, lëshuan një deklaratë në emër të bordit të drejtorëve të forumit, duke falenderuar ish drejtorin ekzekutiv për shërbimin e tij dhe duke pretenduar se hetimi i brendshëm “nuk identifikoi ndonjë shqetësim shtesë përtej asaj që është zbuluar më parë”.
Vitin e kaluar, themeluesi i forumit, Klaus Schwab dha dorëheqjen si kryetar i bordit pasi u përball me akuza për përvetësim të fondeve dhe komente të papërshtatshme ndaj grave.
Skandali i fundit e ka “njollosur” edhe më tej reputacionin e Forumit, pasi lidhjet e Brendes me Epstein u bënë publike.
Shumë i thellë shteti në prapaskenë!

