Pavarësisht thirrjeve të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, për ndihmë europiane në lidhje me sigurinë e kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, sot Ministrat e Jashtëm të BE-së shprehën një “dëshirë të qartë” për të forcuar misionin detar europian EUNAVFOR ASPIDES në Detin e Kuq, megjithatë pa qenë aktualisht të gatshëm të zgjerojnë mandatin e tij në Hormuz.
Këtë deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaia Kallas, menjëherë pas përfundimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
“Në diskutimet tona, kishte një dëshirë të qartë për të forcuar këtë operacion (ASPIDES), por për momentin nuk ekziston dëshira për të ndryshuar mandatin e tij”, tha Kallas në konferencën për shtyp.
Siç shpjegoi ajo, bisedimet e ministrave janë “në një fazë shumë të hershme” dhe kryesisht kanë të bëjnë me “hartimin” e opsioneve të mundshme. Ajo theksoi se shtetet anëtare duket se ngurrojnë të përfshihen aktivisht në një konflikt ushtarak.
“Kjo nuk është lufta e Europës” dhe “askush nuk dëshiron të përfshihet aktivisht në këtë luftë”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë europiane vuri në dukje se misioni ASPIDES mund të përforcohet me më shumë asete detare nga shtetet anëtare, në mënyrë që të vazhdojë misionin e tij për të mbrojtur anijet tregtare në Detin e Kuq.
Kaia Kalas theksoi gjithashtu se BE po thekson iniciativat diplomatike për të ulur tensionet në rajon, duke vënë në dukje se ministrat e jashtëm të BE-së patën një drekë pune me ministrin e jashtëm indian për të diskutuar iniciativat e mundshme.
“Të gjithë europianët mbështesin një zgjidhje diplomatike”, përfundoi ajo.

