Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka të ngjarë të rikthehet së shpejti në Gjermani, por gjithnjë e më shumë të rinj po refuzojnë të shërbejnë në Bundeswehr.
Phil Wehring po shqyrton mundësinë e refuzimit për të shërbyer në ushtrinë gjermane. “Ata gjithmonë thonë se është për mbrojtje”, thotë studenti për DW. “Por unë nuk e shoh situatën kërcënuese dhe për këtë arsye nuk kam interes të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak.”
Edhe pse shërbimi ushtarak mbetet vullnetar në Gjermani, kjo mund të ndryshojë së shpejti – sepse Bundeswehr ka nevojë për të paktën 60,000 ushtarë të tjerë në vitet e ardhshme.
Konsiderohet e pamundur që shumë gjermanë të rekrutohen vullnetarisht – një pikëpamje e ndarë si nga ekspertët ushtarakë, ashtu edhe nga qytetarët e zakonshëm, veçanërisht të rinjtë. Edhe Wehring mendon kështu: “Është vetëm çështje kohe para se të zbatohet shërbimi i detyrueshëm ushtarak”.
Së bashku me njerëz të tjerë me të njëjtat mendime, Wehring, i cili ende nuk është 18 vjeç, ndihmoi në organizimin e “Grevës Shkollore Kundër Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak” në të gjithë vendin. Për Wehringun, një nxënës i shkollës së mesme në Münster dhe një nga përfaqësuesit e iniciativës, si dhe për shumë nga miqtë e tij, çështja e shërbimit ushtarak është shumë e rëndësishme. Kjo për shkak, ndër të tjera, të ligjeve të reja mbi shërbimin ushtarak në Gjermani: që nga fillimi i vitit 2026, ushtria do t’u dërgojë të gjithë të rinjve që mbushin moshën madhore një pyetësor të cilit janë të detyruar t’i përgjigjen.
“A jeni të interesuar të bëheni ushtar?” është një nga pyetjet. Të rinjtë mund të përgjigjen në një shkallë nga 0 deri në 10, ndërsa ka pyetje të mëtejshme në lidhje me gjendjen fizike dhe nivelin arsimor të të anketuarve.
Megjithatë, proçedura përkatëse nuk kufizohet vetëm në plotësimin e pyetësorit. Edhe njerëzit që kanë deklaruar se “nuk kanë interes” të bëhen ushtarë, duhet t’i nënshtrohen edhe një ekzaminimi mjekësor nga një mjek ushtarak. Ekzaminimi ka qenë i detyrueshëm që nga fillimi i vitit për të rinjtë e lindur në vitin 2008 dhe më vonë. Gratë mund të bashkohen vullnetarisht me ushtrinë, por vetëm burrat mund të detyrohen ligjërisht të kryejnë një ekzaminim mjekësor ose shërbim ushtarak.
Fushata e intensifikuar e rekrutimit nga Bundeswehr-i, rikthimi i mundshëm i shërbimit të detyrueshëm, diskutimet rreth një sulmi të mundshëm rus në territorin e NATO-s – të gjitha këto kanë pasoja. Shumë të rinj po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit si kundërshtarë të ndërgjegjshëm të shërbimit ushtarak. Nëse dikush zbulohet se është kundërshtar, ai nuk mund të thirret për të shërbyer në ushtri, madje as për mbrojtjen e vendit.
E drejta e kundërshtimit është e garantuar.
“Askush nuk do të detyrohet të kryejë shërbim ushtarak të armatosur kundër ndërgjegjes së tij”, thotë Ligji Themelor i Gjermanisë, Kushtetuta, një dispozitë që pasqyron përvojat e dy Luftërave Botërore dhe diktaturës naziste.


