Pas dështimit të negociatave në Islamabad fundjavën e kaluar, konflikti i SHBA-ve me Iranin po përshkallëzohet. Po përshkallëzohen gjithashtu edhe përpjekjet e administratës Trump për të nënshtruar Republikën Islamike. Përpjekjet e vazhdueshme të Iranit për të manipuluar tranzitin e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit e shtynë Presidentin Trump të njoftonte se ushtria amerikane do të vendoste një bllokadë të plotë të rrugës ujore.
Kritikët e administratës, siç parashikohej, e hodhën poshtë këtë veprim si një përpjekje të dëshpëruar dhe të fundit nga Shtëpia e Bardhë për të rifituar ndikimin mbi Teheranin. Në realitet, strategjia është larg të qënit spontane.
Një dekadë e gjysmë më parë, gjatë një vizite në Komandën Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) në Tampa, Florida, pata një bisedë me një zyrtar të lartë ushtarak i cili merrej rregullisht me dosjen e Iranit. Edhe atëherë, arma energjetike e regjimit zinte një vend të spikatur në mendimin strategjik amerikan, thotë Ilan Berman. Skenari i tmerrshëm i CENTCOM, më tha ai, nuk ishte një mbyllje e plotë e Ngushticës, por “ngushtimi” i saj i qëllimshëm. Përmes taktikave të tilla si vendosja e minave, ushtrimet detare dhe ngacmimi i anijeve që kalonin, Teherani mund të kufizonte rrjedhën e naftës përmes Ngushticës aq sa të shkaktonte një rritje të madhe të çmimeve të naftës pa i dhënë Uashingtonit një casus belli të qartë.
Megjithatë, përgjigjja e planifikuar ishte po aq zbuluese. Nëse Irani do të ndërhynte ndonjëherë në Ngushticë në një mënyrë drastike, tha zyrtari, rruga detare do të “mbetej e mbyllur – nga ne/amerikanët”. Një përgjigje e tillë do të arrinte dy qëllime thelbësore: do ta privonte regjimin iranian nga burimi i tij më jetësor i të ardhurave dhe do ta bënte çdo shtet të Gjirit që varet nga nafta një palë të interesuar në përmbajtjen e regjimit iranian.
Shtetet e Bashkuara kishin aftësinë ta shndërronin avantazhin më të madh gjeografik të Iranit në një dobësi. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani.
Irani hyri në konfliktin e vazhdueshëm me një ekonomi që ishte tashmë në prag të kolapsit. Inflacioni ishte jashtëzakonisht i lartë, duke iu afruar 70% sipas vlerësimeve zyrtare dhe vazhdoi të përshpejtohej në prag të luftës. Monedha kombëtare e Iranit kishte pësuar një zhvlerësim historik – në atë kohë, kursi i saj i këmbimit po luhatej në mbi 1.5 milion rialë për dollarin amerikan. Parashikimet ekonomike tregonin për rritje të dobët ose negative ekonomike, ndërsa fuqia blerëse e iranianit mesatar po gërryhej në mënyrë dramatike për shkak të mungesave dhe çmimeve në rritje marramendëse.
E gjithë kjo para luftës. Operacioni i përbashkët ushtarak SHBA-Izrael që filloi më 28 shkurt i ka lënë perspektivat ekonomike të Iranit edhe më të pasigurta. Vlerësimet paraprake tani e çojnë dëmin në infrastrukturën kritike dhe civile të vendit – duke përfshirë fabrikat, termocentralet dhe qendrat kryesore të transportit – në rreth 145 miliardë dollarë.
Këto sulme ushtarake e kanë zhveshur Iranin shumë nga qëndrueshmëria e tij e mbetur ekonomike. Ato e kanë lënë Republikën Islamike të prekshme ndaj llojit të presionit që mund të sjellë ndërprerja e eksporteve të saj të energjisë – veçanërisht furnizimet me naftë për Kinën.
Trump ka shprehur shpresën se vendet e tjera do të ndihmojnë në izolimin e Republikës Islamike. Megjithatë, deri më tani, aleatët e SHBA-ve kanë treguar pak gatishmëri për ta bërë këtë. Edhe nëse nuk e bëjnë, analistët ushtarakë konfirmojnë se Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë ushtarake dhe detare për ta bërë këtë vetëm – të paktën për një kohë.
Duke bllokuar Ngushticën, Uashingtoni në mënyrë efektive ka ndjekur shembullin e Iranit dhe e ka armatosur vendndodhjen shumë strategjike që Teherani kërkoi të shfrytëzonte. Gjithashtu, po i detyron udhëheqësit e fortë të Iranit të bëjnë një zgjedhje: lëshime reale në programin e tij bërthamor, ose mbytje/katastrofë ekonomike, që për pasojë sjell revoltë popullore.
Së shpejti do të shohim se cilin opsion do të zgjedhin iranianët e regjimit.
Opsionin e bllokadës së Hormuzit Trump e ka shprehur vitn e kauar në Tampa, në qndrën e CENTCON, por edhe dekada më parë, punlikisht.

