Ai akuzohet për përdorim të informacionit të klasifikuar nga një operacion ushtarak në Venezuelë për fitim të paligjshëm.
Një ushtar amerikan në shërbim është arrestuar nga autoritetet në SHBA, i akuzuar për fitim të paligjshëm të afërsisht 400,000 dollarëve, përmes basteve që lidhen me një operacion ushtarak në Venezuelë.
Gannon Ken Van Dyke, një rreshter major në Forcat Speciale, dyshohet se ka marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacioni të kapljes së Presidentit Venezuelian Nicolas Maduro.
Prokurorët pretendojnë se ushtari përdori informacion të klasifikuar për të vendosur baste në një platformë bastesh, duke fituar fitime të konsiderueshme monetare.

Sipas aktakuzës, Van Dyke hapi një llogari në një platformë bastesh në fund të dhjetorit dhe vuri bast se Maduro do të hiqej nga pushteti brenda një periudhe të caktuar kohore. Në total, ai dyshohet se vuri 13 baste, duke investuar dhjetëra mijëra dollarë.
Autoritetet thonë se fitimet e tij fillimisht u kanalizuan në llogari kriptomonedhash përpara se të përfundonin në llogaritë e bursës. Rasti u zbulua kur transaksionet e tij u bënë të dyshimta dhe u hetuan nga agjencitë përkatëse.
Ushtari përballet me akuza për vjedhje dhe keqpërdorim të informacionit konfidencial, si dhe mashtrim. Ai tashmë është paraqitur në gjykatë dhe është liruar përkohësisht me kusht.
Prokurorët theksojnë se rasti është një shembull serioz i keqpërdorimit të informacionit shtetëror për përfitime personale financiare, duke vënë në dukje se mbrojtja e sekreteve ushtarake është thelbësore për sigurinë kombëtare.
Në të njëjtën kohë, rasti ka hapur një debat më të gjerë në SHBA rreth të ashtuquajturave tregje parashikimi dhe kufijve midis basteve ligjore dhe tregtisë së brendshme.


