Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi një mesazh mbështetjeje Teheranit gjatë takimit të tij me Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, por mbështetja fokusohej tek paqja dhe jo tek armët.
Ai theksoi gjithashtu gatishmërinë e Moskës për të luajtur një rol aktiv si në mbrojtjen e interesave iraniane ashtu edhe në ruajtjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
“Shpresojmë që populli iranian do ta përballojë këtë periudhë të vështirë”, i tha presidenti rus ministrit të jashtëm të Republikës Islamike. Qartë dhe saktë rusi u thotë se duhet të përballojnë atë që vjen.
Takimi u zhvillua dje, në Shën Petersburg, në një atmosferë veçanërisht pozitive, siç raportohet nga mediat ruse, duke reflektuar forcimin e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve në një moment kritik.
Në sfond të zhvillimeve është armëpushimi i brishtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në këtë kontekst, vizita e kreut të diplomacisë iraniane në Rusi merr një rëndësi të veçantë, pasi interpretohet si një lëvizje strategjike komunikimi drejt Uashingtonit, që kërkon të tregojë se Teherani nuk është i izoluar, por ka aleatë të fortë.
Gjatë bisedimeve, Vladimir Putin përsëriti angazhimin e vendit të tij për të kontribuar në mënyrë aktive në uljen e tensioneve në rajon, duke siguruar se Moska do të veprojë në interes të paqes dhe stabilitetit.
Putin tha se Rusia shpreson që populli iranian të durojë atë që ai e quajti “kohë të vështira” dhe se paqja do të mbizotërojë dhe se Moska do të bëjë gjithçka për interesat e Iranit dhe vendeve të tjera në rajon, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.
“Nga ana jonë, ne do të bëjmë gjithçka në interesin tuaj, në interesat e të gjithë popujve të rajonit, në mënyrë që paqja të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha presidenti rus Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi, sipas mediave shtetërore ruse. Sërish rusi i flet iranianit për paqe dhe stabilitet, por jo për armë dhe mbështetje në luftë.
Ndërkohë, zhvillime me rëndësi strategjike po ndodhin brenda Iranit. Më parë, një zyrtar i lartë tha se forcat e armatosura të vendit mund të fitojnë kompetenca më të mëdha për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit, sipas një propozimi legjislativ që është në shqyrtim.
Ebrahim Aziz, kreu i komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit iranian, i tha televizionit shtetëror se plani parashikon kontroll të shtuar të anijeve që kalojnë nëpër ngushticë, me qëllimin kryesor parandalimin e “anijeve armike”.
Në të njëjtën kohë, projektligji i propozuar prezanton edhe rregullore financiare, pasi parashikon që tarifat e tranzitit do të paguhen në monedhën kombëtare, përkatësisht në rialin iranian, duke forcuar kështu kontrollin financiar të vendit mbi një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë.


