Liqeni është krijuar në kraterin e një meteori që goditi Tokën përpara 50.000 vitesh.
Kanë shtangur banorët teksa panë Liqenin Lonar të Maharashtra në Indi të bëhet i kuq. Banorët e zonave përreth, por edhe shkencëtarët indianë kanë të njëjtin reagim, kanë shtangur. Pyetja që parashtrohet është: Pse ngjyra që mori uji i liqenit është rozë e thellë, pranë së kuqes?
Specialistët besojnë se ndryshimi i ngjyrës së ujit të Liqenit vjen për shkak të shtimit të kripëzimit të ujërave, ose për shkak të algave të kuqe, apo edhe për shkak të të dyjave së bashku, siç ka ndodhur në disa liqene të tjera në botë (si në Amerikë dhe Australi).
Një gjeolog indian thotë se ky fenomen ka ndodhur sërish, tek i njëjti Liqen, por ngjyrimi nuk ka qënë kaq i theksuar. “Kësaj here duket shumë i kuq, sepse ndoshta është rritur niveli i kripëzimit të ujërave”, deklaroi mes një postimi në faqen e tij në Twitter, gjeologu.
Kampione nga uji i Liqenit janë dërguar në disa laboratorë, brenda dhe jashtë Indisë, për të bërë analizat dhe për të zbuluar shkakun.
Liqeni, që ndodhet afro 500 km larg Bombeit është një nga vendet turistikë shumë të vizituar në Indi, sepse është i veçantë, për nga forma sesi është krijuar.
Kurse banorë dhe besimtarë të fesë indu dhe jo vetëm, por edhe shumë ritualistë, e shikojnë si një shenjë. Pjesa më e madhe e tyre e shikojnë si një shenjë të keqe të natyrës, si diçka që do të sjellë mandata për njerëzimin dhe globin, ndërsa një pakicë tjetër e shikojnë si shenjë të mirë flijimi, si fundin e së keqes dhe mbërritjen e së mirës.
I referohemi shkencës, por brenda nesh kemi tendencën të besojmë se Zoti / Natyra jep shenja, që shpesh jemi të paaftë t’i lexojmë, apo t’i shpjegojmë!