Propabilitetin për një ‘lockdown’ parashtruan për diskutim Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Chardalias dhe Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë për Coronavirus-in, Sotiris Tsiodras, gjatë një telekonference urgjente që zhvilluan sot me prezencën edhe të Prefektit të Maqedonisë Perëndimore, Apostolos Tzitzikostas, si dhe të Kryetarit të Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas.
Në telekonferencë u diskutua që të shtohen masat kufizuese pas datës 15 gusht, koha kur edhe shumica e banorëve kthehen nga pushimet, për të ndalur shkallën e përhapjes së virusit.
Masat, mes të tjerash, kanë të bëjnë me orarin e funksionimit të dyqaneve dhe sipërmarrjeve me interes higjenosanitar, ndërsa masa tjetër që do të pasojë të parën, nëse situata nuk është nën kontroll, do të jetë ndalimi i qarkullimit gjatë orëve të natës.
Në total, në Selanik gjatë 3 ditëve të fundit janë shtuar 107 raste me Covid-19. Një problematikë tjetër që u shtrua për diskutim ishte edhe grumbullimi i njerëzve në transportin publik.
Sipas burimesh, por ende jo të konfirmuara zyrtarisht, për shkak të rasteve të shtuara me Covid-19 rrezikon që sivjet të mos organizohet as Ekspozita (Panairi) Ndërkombëtar i Selanikut (ΔΕΘ).
Greqia flamurtare e masave shtërnguese për Coronavirus-in?
Po Grekët si do të reagojnë vallë? Për t’u parë!
Një gjë është evidente, që ekonomia greke po bën pikiatën më të rrezikshme në 4 dekadat e fundit dhe se kriza ekonomike po prek të gjitha shtresat e shoqërisë, pavarësisht 70 miliardë eurove të dhëna për Greqinë, nga paketa e ndihmës ekonomike të BE-së në kuadër të emergjencës së pandemisë.
Një shenjë aspak e mirë edhe për ekonominë shqiptare, fatkeqësisht.