Hebrenj thonë se janë konsulentët e fushatës elektorale të Bashës dhe bashallëkut, por duket se situata, me dashje në mos qoftë, sërish çedon.
Teksa Basha shfaqet në grupe militantësh, njerëz të mirë këta, të lodhur shumë disa prej tyre, por naivë që nga momenti që ende i besojnë Bashës, kjo turmë njerëzish pra, kur shfaqet “hazardi politik” thërret: “Rama IK”. Dhe si për ta çoroditur edhe kësaj here, Basha u përgjigjet: “Mos ik”!
Me këtë sllogan fushate zgjedhore shfaqet Basha përpara turmës, që teksa i thotë “mos ik, mos ik”, turma e ka prerë dhe rralluar kërkesën “Rama ik”.
Konsulencë vallë kjo e hebrenjve, apo nuk janë hebrenjtë por lakenjtë, ata të familjes, soit dhe sorollopit nga oxhaku i vjehrrit? Këta do të jenë, sepse nuk ka izraelit të konsultojë kështu një lider opozite.
E megjithatë sa më sipër, asgjë, përpara veprës “madhështore” të Bashës dhe kontributit të tij maksimal, që shumë e më shumë shqiptarë jo vetëm të iknin për një jetë më të mirë, por të iknin nga ky vend si të pashpresë, sepse në Shqipëri alternativa politike mungon, opozitë nuk ka. Kush mendon të kundërtën, e ka mbytur verbëria e përkatësisë partiake, ose epshi për një pozicion në shtet, për një punë në administratën publike. Sot opozita nuk ka më njerëz të përkushtuar dhe apasionantë, nuk ka njerëz pa interesa meskine dhe ambicje për një qoshe në pushtetin e shtetit, ku do të hyjnë, duke larguar një tjetër nga ai pozicion pune (kontigjent për emigrim).
Kush na thotë “mos ik”? Basha? Basha na thotë, “mos ik” dhe “mos e braktis vendin”? A ka fytyrë ky individ t’u drejtohet shqiptarëve me një “mos ik”, kur ky individ veçse i ka ikur përgjegjësive, u ka ikur problematikave, i ka braktisur institucionet, ky i ka ikur idealeve të djathta, ky u ka ikur nga “duart” të djathtëve dhe e ka lëshuar PD-në në greminë?! Ky i ka ikur qëllimit të partisë politike për të qeverisur në të gjitha nivelet dhe ky është strukur tek marrëveshja mes së cilës e ka shitur, literalisht dhe praktikisht, partinë që ja la trashëgim ai, që me një ‘ish’ i shenjëzoi të gjithë, shumica e të cilëve morën arratinë dhe më nuk u kthyen (ish pronarë, ish të përndjekur).
Mos ik, na thotë Basha dhe të mençurit turfullojnë dhe memorjegjatët gulçojnë dhe ata kokëkrisurit bëjnë batërdinë, teksa i shituri ju predikon besnikërinë.
Basha iku nga përgjegjësitë si ministër transporti. E mbani mend, me një raport.
Basha iku nga përgjegjësitë si ministër i jashtëm. Kush nuk mban mend, të shfletojë dhe të kujtojë: kush, kur, ku, çfarë, si dhe me kë!
Basha iku nga çdo përgjegjësi si kryetar bashkie. Humbja e vitit 2013 ishte kryesisht humbje e Bashës dhe Berishës. Kujtojmë se Tirana ka një të tretën e popullsisë së vendit.
Basha i iku reformës territoriale-administrative dhe i la terren të lirë PS-së dhe PDIU-së të bënin si të donin.
Basha i iku përgjegjësisë së humbjes së madhe në Zgjedhjet Lokale të vitit 2015.
Basha i iku përgjegjësisë së protestave të dështuara muaj pas muaji.
Basha i iku përgjegjësisë së mbylljes së çadrës dhe tradhëtisë që u bëri të djathtëve.
Basha i iku përgjegjësisë së marrëveshjes që bëri me Ramën, natë kur ky i dyti e “kollofiti” politikisht, sepse nuk gjeti përpara një politikan, por një monedhofag.
Basha i iku përgjegjësisë së mosmbajtjes së fjalës se nuk do të hynte me Ramën kryeministër.
Basha i iku përgjegjësisë që me paturpësi dhe me paburrëri vendosi të bashkëqeverisë me Ramën për shumë muaj.
Basha i iku përgjegjësisë së humbjes më të thellë dhe më fatale të parë ndonjëherë për PD-në, asaj të zgjedhjeve të vitit 2017.
Basha i iku përgjegjësisë së ngrirjes dhe shkrirjes së tij si kryetar i PD-së dhe manipulimit të votës për kreun e saj, që edhe pse me një kundërshtar numëror si Selami, demokratët nuk shkuan të votonin dhe numrat e votuesve shtoheshin fiktivisht.
Basha i iku përgjegjësisë që në listat e kandidatëve për deputetë hoqi dhe kokëpreu individë simbole të asaj partie që ende drejton, por që nga batalion që ja lanë trashëgim, e ka kthyer në çetë me pushkë druri.
Basha i iku përgjegjësisë që iku, braktisi parlamentin, që në thelb është një akt i tradhëtisë ndaj votuesve, papërgjegjshmërisë ndaj funksionit të të zgjedhurit, si dhe shkelje me këmbë e statutit dhe e qëllimit të ekzistencës së një force politike, që në nenet e ekzistencës së saj legale dhe politike, ka qeverisjen e vendit në të gjitha nivelet.
Basha i iku përgjegjësisë që në listat e kandidatëve për deputetë kishte listuar, apo reshtuar njerëz që nuk kishin lidhje me PD-në, një pjesë tërësisht analfabetë, por edhe disa nga ata që realisht gjykuan drejt dhe nuk braktisën Kuvendin, qëndruan atje, ose u futën, duke mos iu bindur urdhërit arbitrat të të papërgjegjshmit Basha.
Basha i iku përgjegjësisë dhe aktit tjetër fatal të mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, një tjetër akt jo legjitim në thyerje të statutit të PD-së.
Basha i iku përgjëgjësisë së bashkëhartimit të kodit zgjedhor dhe uljes në një tryezë me Partinë Socialiste.
Basha i iku përgjegjësisë që të gjitha protestat u bënë për bujë dhe zhurmë fiktive, por kurrsesi për të arritur qëllimin fundor, rrëzimin e qeverisë Rama.
Me sa më sipër shkrova të ngulitura në mendjen dhe në mishin e një të djathteje, por edhe me shumë e shumë të tjera “ikje” dhe papërgjegjshmëri, tradhëti dhe mashtrime të Bashës, sot është momenti që të djathtët të thonë “Basha ik” dhe të refuzojnë të votojnë një hazard politik, një të shitur kokë e këmbë, këtë nanoqënie në duart e një tarafi fisnor që PD-në e kanë shndërruar në sipërmarrje.
***
Më thanë se Basha dëshiron shumë të bëjë aleancë me PS-në. Nuk më çudit ky fakt, e ka dashur këtë që në vitin 2017. Domethënë dëshiron dhe shpreson të bëhet pak zv.kryeministër? Domethënë dëshiron të bëhet pak Niko Peleshi dhe pak Erion Braçe? Por këta të fundit një arsye kokëfortë që këtë kërkesë t’ja refuzojë Rama, sepse krahasuar palët, humbasim fjalët!
***
“Mos IK” u thotë shqiptarëve një njeri që kontribuoi thelbësisht, kryesisht në ikjen, largimin e tyre, sepse Basha vrau shpresën.
Unë nuk mund t’i besoj Bashës! Kurrë më! “Basha ik”, nuk është sllogan për ne, për ne sllogani duhet të jetë “Të Heqim Bashën”!
Dhe nëse rëndom më pyesni: “po kë të lëmë”? – do ju përsëris se, midis atij që ble dhe atij që shitet, të shiturin e neveris!
“Kur gllabërimi dhe mashtrimi bëhet formë jetese e një grupi të caktuar njerëzish brenda një shoqërie, me kalimin e kohës do të ngrihet një sistem ligjor që do e legalizojë dhe do të hartohet një kod moral që do e çmojë.” Frédéric Bastiat
Opozita ka njerez te perkushtuar mdoshta dhe idealiste qe punojne e luftojne….puna eshte se ne pergjithesi politika e PD eshte me revanshiste PS nder vite ka treguar me maturitet…gjithsesi nuk mund te vazhdojme te kritikohemi ende si popull…fatet e popujve te vegjel shkruhen ne dyert e kancelarive