Ç’është Kjo Parti “Police” me “Grup të Armatosur për Mbrojtjen e Votës”?! – Vrasja që Vulosi Humbjen e Thellë!

“Jam i gatshëm të vdes, por nuk ekziston asnjë qëllim për të cilin do të isha i gatshëm të vrisja.” (Gandi)

Ç’është kjo Parti politike që në vend të krijojë Grupe për të Mbledhur Vota duke bindur votuesit, krijon Grup të Armatosur për Mbrojtjen e Votës? Nga kush do ta mbrojë votën? Me ç’tagër dhe me ç’formë? Ç’është kjo bandë njerëzish që qarkullon në rrugët e Elbasanit me furgona si vagona treni, plot me “ushtarë” në mbrojtje të votës së PD-së, që mund të ndalojnë çdo qytetar nëse dyshojnë se ai/ajo në xhep mund të ketë ca lekë për të blerë vota? Ç’është kjo opozitë që po zëvendëson policinë dhe prokurorinë, që mund të të ndalojë në rrugë, të të kontrollojë dhe të hetojë këdo, kudo dhe kurdoherë?!

Mendonim se ishim në diktaturë. Si është e mundur që në një diktaturë policia të ketë forca civile, organizuar nga opozita politike, paralele me të në funksion? Si është e mundur që në një regjim, një oficer në detyrë i RENEA të jetë truproja e kreut të kadidatit të opozitës në një qark, të qarkullojë i armatosur, të mund të ndalë qytetarë dhe në fund t’i qëllojë fatalisht?!

Ku ka të djathtë sot që nuk ka mbetur pa fjalë? Nuk ka të majtë sot që nuk i është afruar edhe më shumë forcës politike që mbështet, për të mos humbur asnjë votë, me frikën se kush mund të vijë në pushtet!

***

Luli i vocër, me gangserë të mëdhenj mesa duket, nëse mendon që për të mbrojtur votën në një “diktaturë”, duhet të krijojë “Grupe të Armatosur për të Mbrojtur Votën”, do të ishte më mirë të mos shpërfytyrohej, por të bënte atë që bëri në vitin 2019, të mos hynte në zgjedhje me Ramën kryeministër.

Në vitin 2019 Luli i vocër tha se nuk mund të hynte në zgjedhje me një “diktator” si Rama që do i vidhte votën. Askush nuk e pranoi këtë vendim dhe nuk e justifikoi, por mospjesëmarrja në zgjedhje u bë fakt.

Pse në vitin 2021 Luli i vocër vendosi të hyjë në zgjedhje me të njëtin “diktator”, të të njëjtit “regjim”? Do të na thotë pra që nuk qënkemi në regjim dhe se në krye nuk kemi një diktator. Ja pra, binduni për faktin se Luli i vocër, sot nuk është i vetëm, Lulin e vocër e kanë marrë përsipër dy patronazhistët e mëdhenj dhe e udhëheqin drejt krijimit të kaosit, rrëmujës, destabilitetit, revanshit dhe përplasjes frontale, duke përdorur mish për top militantët e partisë “police”, për të shpëtuar lëkurën e patronazhistëve.

Nëse sot Luli i vocër, apo nesër nuk distancohet nga akti kriminal dhe terrorist, si dhe nëse nuk përjashton Gazmend Bardhin nga radhët e PD-së, kreu i kandidatëve që krijon në Elbasan “Grup të Armatosur për Mbrojtjen e Votës”, në vend që të krijoje Grupe Njerëzish që t’u Kërkojnë Elbasanllinjve Votën, duke i bindur me fakte dhe argumenta, atëherë Luli nuk është më kryetar i PD-së, këtë Parti “policore” sot e drejton Meta dhe Berisha.

Mbetet që Lulzim Basha të dalë publikisht dhe të dorëhiqet, ose të shpartallojë të madh dhe të vogël brenda PD-së, ata të cilët vetëm pak ditë, apo disa orë përpara ditës së votimit, mes këtij akti kriminal, terrorist i vulosën atij dhe PD-së humbjen e thellë.

Nëse nuk ndodh, atëherë ndoshta jemi duke parë epilogun e dorëzimit të PD-së dhe Basha na bind se e ka shitur atë, po e shkërmoq dhe po e degjeneron deri në firaksje.

Sot me këtë akt terrorist, PD-ja vulosi humbjen, por krismat e Elbasanit sot, nuk është çudi të jenë introduksion për krismat që do të mund të pasojnë në ditët në vijim dhe kryesisht pas ditës së votimit, ku “Preçedenti” i Republikës dhe “kolegu”, nga kulla e Viçidolit, mund t’ja shkrepin sërish armës për destabilitet.

Njerëzit duan më shumë sigurinë dhe qetësinë, sesa “ndryshimin” me të pandreqshmit.

“Kujt nuk i kujtohet e shkuara, është i dënuar ta jetojë atë sërish.” (George Santayana)

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Trupa Amatore e PD Shfaq Maskaradën Bashiane: "Mos Ik!" - Shfaqjen Mund ta Ndiqni në Sheshet e Qyteteve, Falas!

Next Story

8 Humbjet e Vullnetshme të Bashës - Qëndrimi në Opozitë i PD-së Falimentoi Militantët, por i Solli Kapitale të Shtuara Sipërmarrjes "PD", në Pronësi të Bashës.

Latest from Opinione