Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që lejon shtetasit e huaj të shërbejnë në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse. Me dekret, Presidenti rus bëri ndryshime në një dispozitë përkatëse që ka të bëjë me të gjithë ata që shërbejnë në forcat ushtarake.
Deri më tani, vetëm qytetarët e Federatës Ruse mund të shërbenin në ushtrinë ruse, ndërsa të huajt mund të bëheshin pjesë e ushtrisë vetëm me kontratë.
Sipas aktivistit të të drejtave të njeriut Pavel Chikov, cituar nga gazeta ‘Novaya Gazeta’, këta janë shtetas të Rusisë që kanë një shtetësi të dytë që mund të nënshkruajnë një kontratë për të kryer shërbimin e tyre ushtarak. Njëkohësisht ai tregon se edhe në të kaluarën shtetas të huaj mund të nënshkruanin këtë lloj kontrate.
Në fund të muajit maj, Presidenti Putin nënshkroi një dekret për heqjen e kufirit të moshës për lidhjen e një kontrate me Forcat e Armatosura, si për rusët ashtu edhe për shtetasit e huaj.
Në shtator, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se qeveria e Moskës synon të fillojë të rekrutojë të huaj që dëshirojnë të marrin nënshtetësinë ruse përmes një procesi të thjeshtuar në qendrën e imigracionit “Sakharovo”, pa “pritur gjatë dhe pa pengesa burokratike”.
Vendimi i mësipër na bind se lufta do të zgjatë në kohë, do të shtrihet në territore dhe ushtarët me pagesë duket se do të jenë të nevojshëm për radhët e ushtrisë ruse.