Fituesit nga Primaret më 6 Dhjetor do të Shkojnë Pas Logos së PD-së, Apo do të Qëndrojnë me Berishën?

/

Një parti politike, një logo, një vendim gjykate dhe dy palë që do të ndajnë partinë në pjesë të pabarabarta.

Maskaradat në arenën politike shqiptare janë shpesh makbethiane.

Sot regjimit monoperson Rama i nevojitet një e djathtë e ndarë dhe e përçarë. Përpjekjet që të mbajë në këmbë Alibeajn janë të lexueshme dhe krejt të qarta për këdo që është marrë shumë pak, qoftë edhe si vëzhgues, me politikën shqiptare dhe kryesisht atë ramiste.

Nëse Gjykata krejtësisht e varuar, ku drejtësia ka marrë arratinë dhe vendimet vijnë nga korridoret e regjimit, do të vendosë që logon e partisë dhe vulën t’ja lërë partisë së Alibeajt, atëherë automatikisht në 61 Bashki të vendit, selitë dhe të gjitha asetet i takojnë formacionit fantazmë Alibeaj zyrtarisht, institucionalisht dhe funksionalisht.

Alibeaj do u drejtohet krerëve të partive për të lëshuar selitë e partive në rrethe, dokumentat shkresorë dhe vulën e Degëve të PD-së në rrethe, ose do u ofrojë të pranojnë zyrtarisht dhe publikisht se vazhdojnë të aderojnë në Partinë Demokratike të vendimit të Gjykatës, të drejtuar momentalisht prej tij, si kryetar në detyrë, teksa kryetar i saj në Gjykatë figuron ende Lulzim Basha, i cili nuk e ka dorëzuar dorëheqjen e tij pranë Gjykatës, apo nuk ka bërë me dije zyrtarisht në organet e drejtësisë dorëheqjen e tij, edhe pse ajo është publike.

A do të ketë kryetarë Degësh të cilët do të braktisin Berishën dhe do të mbajnë kryesimin e Partisë së Logos dhe Vulës?

A do të ketë fitues nga primaret që do të qëndrojnë nën siglën e partisë, duke vendosur para një kushti të paracaktuar Alibeajn me kandidimin e tyre për Kryetar Bashkie?

Nëse në rastin e kryetarëve që do të kalojnë me Alibeajn, por që të diel zhvilluan primare nën drejtimin e Berishës, kandidati për primare mund të qëndrojë, ose jo në radhët e kësaj partie. Që do të thotë mund të mos jenë në sintoni kryetari i Degës me fituesin e primareve.

Por me çfarë logo do të kandidojë më pas Partia e vërtetë Demokratike drejtuar nga Sali Berisha?

Teksa shoh listën e kandidatë për Kryetarë Bashkie, që dolën fitues nga primaret, në të gjithë Shqipërinë, më rezultojnë një pjesë e tyre mbështetës të Bashës dhe jo të Foltores, të Grupit të Rithemelimit dhe Berishës. Këta janë edhe thembra e Akilit që do i japin një tjetër goditje sizmike momentalisht të djathtës. Zëra dhe opinione flasin se disa nga fituesit e primareve janë kontaktuar që sonte nga pala përballë Berishës dhe padyshim, që akoma edhe më shumë në ditët në vijim do të vendosen në dilemën, por edhe në tundimin: të qëndrojnë me Berishën apo të mbajnë logon?

Mos ndoshta këta kandidatë që në sinkron me Bashën kundërshtuan foltoren do të preferojnë të mbajnë selinë, logon dhe vulën, pa u merakosur për fitoren? Mos ndoshta këta ndihen më të sigurtë në dy palë krahë, edhe të Alibeajt edhe të Ramës, dhe kështu mëkohen nga dy “mëma” për interesta të ngushta, meskine, individuale?

Besoj se po! Që nga momenti që i munguan Foltores, Berisha nuk është as zgjedhja dhe as preferenca e tyre. Këta persona shfrytëzuan primaret, kaosin dhe rrëmujën, këtë vallaha hapje të Partisë Demokratike. Një hapje që nuk u menaxhua dot nga njerëzit e Berishës, ku edhe fundi i kavallit mund të regjistrohej për të votuar, ku listat e votuesve i ngjasonin bllokut të shënimeve në një dyqanin ushqimoresh të kthinës së lagjes. Gjithandej, nga veriu në Myzeqe, nga Lindja në Jug të vendit demokratët realë flasin për një proçes ku hynin dhe votonin persona të panjohur në radhët e PD-së, disa flasin edhe për patronazhistë të devotshëm që votuan në primaret e Degëve të Partisë Demokratike.

Nëse logoja dhe vula i jepet Alibeajt nga Gjykata e Tiranës, atëherë të mërkurë në datën 7 dhjetor, selitë e partive i duhen dorëzuar Partisë Demokratike zyrtare dhe demokratët duhet të kërkojnë për një strehë të re dhe të mërkurë ndarja do të jetë deçizive dhe pa kthim.

Nëse disa kandidatë fitues nga primaret shkojnë me Alibeajn, atëherë Sali Berisha duhet të bëjë përsëri primare për të zgjedhur kandidatin e ri, si për të kuptuar fatalitetin e këtij proçesi në dukje demokratik dhe në strukje një mundësi brilante për njerëz të Bashës, për të manipuluar dhe për të penetruar.

Përgjegjësinë për këtë situatë e kanë njerëzit të cilëve Berisha u besoi organizimin e primareve.

Përgjegjësinë për ata që do të qëndrojnë ose do të ikin e ka gjithsecili, kjo është përgjegjësi individuale.

Përgjegjësinë që regjimi është në zenith të marrëzisë e kemi të gjithë me në krye Berishën.

Por, mos harroni, në momente të vështira dhe në det me tallaz, Berisha është më rezultativ, se në kohë pa furtunë dhe dallgë.

Një gjë është e qartë, në zgjedhjet lokale do të shkohet me dy aleanca, pa dinjitet, pa etikë dhe pa moral. Sa më e pistë politika, aq më e bukur loja. Shikojeni me tifozëri tashmë. Sa më të pistë ta bëjë regjimi, aq më interesante do të jetë.

Edhe diçka, kandidatët fitues të primareve, njerëz të Bashës, padyshim që nuk do të fitojnë asnjë Bashki, por lufta dhe politika sjellin të ardhura. E ndërkohë, duhet të bëjnë kujdes sepse, teksa regjimit do i bjerë vigjilenca, mund t’i shëmben themelet, sepse ata pjesa tjetër, më duket se nuk kanë ç’të humbasin.

Rama mundi të përçajë PD-në, tani do i marrë edhe logon asaj dhe do ua japë çunakëve dhe çupulinave, trimave të groshit. Arritje!

Tani përgjegjësia është e gjitha e Berishës, por në kutinë e votimit përgjegjësia është edhe shqiptarëve.

I nderuar doktor, dhe vjen një ditë! Dhe vjen një ditë, por a ka mbetur vallë kohë? Ta vodhën kohën!

Erdhi dita që Berisha po shikon opingën kapuç dhe skalpin galloshe. Dhuratë makabër nga pjellat e tij politike!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Fundi i “Solidaritetit”: SHBA Subvencionon Bizneset me 420 Miliardë Dollarë – Në BE… protestojnë

Next Story

Bomba Makron: “Kam Diskutuar me Biden Arkitekturën e Re të Sigurisë në Europë. Rusia do të Marrë Garanci!”

Latest from Info