Shqipëria i vetmi vend në botë, që nxjerr naftë dhe del me humbje!

Ari i zi, për të cilin luftërat civile, ushtarake apo ekonomike nuk reshtin, është burimi më i madh i të ardhurave kudo ku nxirret, është industria më fitimprurëse në glob, është industria që ka krijuar megjistanë sipërmarrës në çdo vend të botës, është produkti që lëviz ekonominë botërore, bursat dhe shkëmbimin e valutës, çmimet në treg, thuajse gjithçka. Nafta është produkti më i shitur dhe më fitiprurës, edhe në prodhim, edhe në tregtim, në të gjithë botën.

POR JO NË SHQIPËRI!

Si është e mundur vallë?! Të shposh dhe të nxjerrësh naftë dhe të dalësh me humbje? Indivinë me damarin e sipërmarrësit, shpojnë për ujë dhe mes ujit nxjerrin fitime, fitime të konsiderueshme. Marrin ujin dhe ja shesin popullit me shishe në litra. Të shposh dhe të nxjerrësh naftë, dhe të dalësh me humbje? A mund të ndodhë kjo? A ka logjikë ekonomike, financiare, tregtare, menaxheriale, sipërmarrëse kjo, humbja pra?

Përderisa kanë 30 vjet që dalin me humbje, përse shpojnë atëherë? Qeveria duhet të ndalë urgjent një industri që i shkakton plagë! Apo jo?!

Ja një pasqyrë sesi dhe sa kompani, përmbledhtazi, kanë kaluar nga burimet e naftës shqiptare, kanë dalë me “humbje”, kanë “falimentuar”, janë zhdukur tutje tëhu, askush nuk e di se ku, i kanë lënë edhe shtetit (tatimeve) miliona euro pa paguar, si barrë fiskale, domethënë popullit. E kemi paguar një herë naftën duke e blerë, tani do e paguajmë prapë mes rritjes së taksave, për të mbuluar defiçitin.

Bëma shqiptare!

Shqiptari ama nuk ka nge të merret me këto, e shqetësojnë të tjera çështje madhore (tangat e “Sonjës”, çitjanet e personazhit televiziv, botoksi i ministres etj.).

Ka Interpol të paktën që të merret me gjetjen e këtyre që ikin dhe bëhen “Luis” (Luis – sprintieri fitues në Lojërat Olimpike 1896)? Sepse ka raste që për një gjobë parkimi 10 mijë lekë të vjetër të papaguar, polici i qarkullimit rrugor të kap dhe të merr patentën. Edhe populli e di që Qeveria e kap lepurin me qerre. (Kur zbret mesa duket nga automjetet që punojnë me naftë.)

Nomatologji kronologjike e disa kompanive që “u shkatërruan” financiarisht, “falimentuan” duke nxjerrë dhe shitur naftë dhe që u zhdukën nga toka e Arbërit, duke lënë edhe qindra punonjës të papaguar për muaj e muaj dhe miliarda deytrime.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) thotë se afro 50% e borxhit të papaguar në shtet buron nga sipërmarrjet VIP, nga këta që nxjerrin naftë dhe “falimentojnë” (të shkretët).

Debitori më i madh në shtet është rafineria e naftës A.R.M.O., me një detyrim 70 milionë euro.

Debitori i treti më i madh në Shqipëri është “IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY – IRTC”, kompani që ka shfrytëzuar rafinerinë e naftës, me një detyrim 44 milionë euro.

Në vendin e 11-të të debitorëve gjendet “Bankers Petroleum”, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një detyrim 8.2 milionë euro.

Pason kompania “Simmons Edeco Limited”, dega në Shqipëri, që është nënkontraktor i kompanisë “Bankers Petroleum”, me një detyrim 4.7 milionë euro.

Kompania “ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL”, që në QKB figuron akoma si të jetë pronare e “A.R.M.O.” ka një detyrim 6.8 milionë euro.

Kompania “TPD-Trading Petrol & Drilling” e lidhur me rafinerinë, ka detyrim 5.5 milionë euro.

Dhe që ta mbyllim listën e “nekrologëve” të naftës, kompania “Gulf” që u shfaq me pompozitete “hollywood-iane” dhe iku me “pompozitetin” e një gangsteri, ka qënë i vetmi rrjet që ka tregtuar naftën e A.R.M.O.-s.

Total detyrimesh vetëm nga këto pak kompani, sepse ka edhe të tjera shkon në vlerën 131 milionë euro (161 miliardë lekë të vjetër).

30 vite, qeveri pas qeverie, lejon vjedhjen, abuzimin, korrupsionin mbi një pasuri natyrore kombëtare, pasuri e shqiptarëve. Qeveria në bordet e këtyre kompanive ka përfaqësues të saj, anëtarë bordesh. Çfarë bëjnë këta anëtarët e Bordeve? Bëjnë një ASGJË, dhe jemi në rastin kur ‘asgjëja’ merr vlerë!

Pasuri natyrore, burim miliarda eurosh që avullojnë në kontot bankare dhe në parajsat fiskale, të atyre që një herë në katër vjet, vijnë dhe të lypin votën, të kërkojnë që të të qeverisin, të të menaxhojnë pasurinë dhe ti ua jep të drejtën dhe ata “ta menaxhojnë”.

Pi ujë tani (në shishe edhe këtë), misrok, që mos vdesësh!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Gazeta BILD: "Lockdown një gabim i pamatshëm"

Next Story

Athinë: Hellinikon Casino Resort (€8 miliardë investim, 7 mijë vende pune)

Latest from Info

Perëndi, Biri!

Perëndia i Përjetshëm, Biri, u mishërua me emrin Jezu Krisht. Nëpërmjet Tij u krijuan të gjitha,