Për herë të parë pas 30 vitesh, anije luftarake ruse të Flotës së Veriut po lundrojnë të armatosura me raketa bërthamore. Para pak orësh Shërbimi Informativ (NIS) i Norvegjisë njoftoi NATO-n për këtë zhvillim të fundit, tejet alarmant për vendet e veriut të Europës dhe jo vetëm.
Bëhet fjalë për zhvillime serioze, përshkallëzim të operacioneve luftarake ruse, pas zbulimeve investigative të gazetarit S. Hers se Norvegjia kishte marrë pjesë aktive në shpërthimin sabotator të rrjetit të gazsjellësit Nord Stream. Gjithashtu rusët kanë instaluar në Moskë sistemin kundërajror raketor, brenda vijës së verdhë urbane të kryeqytetit të Federatës Ruse.
Nëndetëset ruse të Flotës së Veriut janë ato që po mbartin raketat bërthamore Bulava dhe që mund të fshihen poshtë akullnajave të Antarktidës dhe prej andej të mund të kalojnë në një goditje ofensive të befasishme bërthamore, të paimagjinueshme për nga shkalla e dëmeve që mund të shkaktojnë.
Gjithashtu nëndetëse dhe anije ruse po lundrojnë edhe në Detin Balltik, po ashtu të armatosura me armë bërthamore.
Kjo do të thotë se forcat ushtarake bërthamore ruse janë në gatishmëri të plotë. Diçka që duket se vërtetohet edhe nga lëvizjet dhe provat e ICBM Yars.
Norvegjezët nënvizojnë në njoftimin e tyre se misioni i anijeve të armatosura ruse me armë bërthamore në hapësirën detare është një mesazh serioz për Perëndimin dhe se Rusia është e gatshme të veprojë seriozisht dhe në mënyrë aktive në rast se kërcënohet, sadopak.
Administrata e flotës së veriut të Marinës Ushtarale Ruse dhe Ministria Ruse e Mbrojtjes nuk kanë komentuar mbi deklaratat dhe njoftimin e shërbimeve informative norvegjeze, që u publikuan para disa orësh.