Betejat e “Termopileve”!
Idetë, në Luftë me Partitë “Politike”.
Beteja e Termopileve, apo beteja e ideve qeveribërëse u udhëhoq nga Leonidha i Rebelimit, i Arsyes, i Vullnetit kolegjial dhe i Vetëdijes kolektive, historikisht, por Perandorisë së Partisë Pushtet (PPP) iu deshën tre ditë që ta mposhtnin dhe ta invadonin “Qytetin e Ideve”, pikërisht tek portat e nxehta të Termopileve.
Pushtimi dhe fitorja e partive “politike” ndodhi në betejën e Maratonës (2013), që u konsiderua si “pushtim i vonuar”.
Udhëheqësi i partive, me ushtri dhe marinë, u mësym më pas drejt gjithë vendit duke e invaduar tërësisht atë, fillimisht si i dyshimtë dhe dyshues dhe më pas fuqiplotë, si autokrat i denjë deri në dhunë.
Vendi ra!
Erdhi sërish momenti që Idetë dhe Partitë “Politike” të ndeshen sërish në Termopile, atje ku ideatorët mes disa betejash mbajtën larg Termopileve partitë pushtuese, duke shënuar një prej qëndresave më historike (verë – vjeshtë – dimër 2016).
Leonidha i ri i ideve mbylli rrugëkalimin e vetëm nga ku mund të kalonin ushtritë e partive “politike” për të marrë Athinën (drejtësinë).
Por pas disa muaj një banor i zonës u shfaq, i quajturi Efialt (kanë partitë në shërbim të tillë), u tregoi Partive shtegun që i çonte prapa shpinës së Ideve, që ndodheshin në fushëbetejë.
Leonidha, koshient që Idetë e tij nuk mjaftonin për të përballuar revanshin e korrupsionit dhe keqbërjes së partive “politike”, mbeti me 300 Idetë, në betejë kundër partive “politike”, teksa disa qindra sugjerime dhe projektligje, dispozita dhe amendamente i ishin vrarë (qershor 2017).
Beteja e Termopileve vlejti, Idetë luftuan si patriotë të vërtetë, e megjithatë Partitë “Politike” kaluan.
Populli mungonte (Shtator 2017)!
Kritikë dhe analistë modernë dhe konservatorë i përdorin tashmë Betejat e Termopileve si shembull të një lufte patriotike të Ideve, por edhe si një shembull të eksperiencës së madhe të partive “politike” për t’u mbrojtur kundër bishës IDE.
Ndodh që Idea nuk humbet në moral, por në fund mposhtet në terren, sepse ka ushtarë që nuk mund ta mbartin atë, vetë populli nuk e mbart dot, sepse Idea është më e rëndë se shpata, se helmeta, se mburoja që mund t’u vishet gjymtyrëve dhe trupit të një populli si ne.
Megjithëse në Betejën e Termopileve, simbolin e kurajos e mbartin Idetë, trofeun e fitores së përkohshme e ngrehin sërish në përmendore partitë.
Dhe kështu, “Qyteti i Ideve”, pret Betejën e radhës, sërish i vendosur të fitojë.
Kam frikë, sepse nëse athinjotë, epirotë, thrakas dhe maqedonas, spartianë dhe mikenë, nuk i shkojnë përkrah Leonidhës në Betejën e ardhshme të Termopileve, Persët sërish do të kalojnë.
Kronikanët do të shkruajnë!
Vendi do të zbrazet!
Nuk mjaftonë vetëm Idetë në vendin e djajve!
#JEMI_PAK