Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vučić njoftoi nga Moska se në Tetor, Beogradin do ta vizitojë Presidenti rus Vladimir Putin, një vizitë që konfirmon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.
Presidenti i Sërbisë menjëherë pas zgjedhjeve dhe fitores së tij ndodhet në kryeqytetin e Rusisë, ku mori pjesë në manifestimin madhështor, në kuadër të 75-vjetorit nga përfundimi i Luftës së II Botërore.
Në paradën ushtarake ishte edhe një brigadë nga Garda Kombëtare Sërbe.
Dje në mbrëmje Presidenti Putin bëri një takim kokë më kokë me Presidentin Vučić ku diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe për çështjen e Kosovës. Vučić deklaroi pas takimit: “Shqyrtuam një sërë idesh për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe Presidenti Putin, me mençuri më trajtoi mendimet e tij që ishin në krah të respektimit të pozicionit të Sërbisë”.
Për çështjen e Kosovës tashmë diskutimi ka marrë përmasa në nivele ndërkombëtare. Më 27 qershor, me iniciativën e të dërguarit të posaçëm për Kosovën nga Presidenti Trump, do të realizohet në Shtëpinë e Bardhë një takim i Vučić me udhëheqjen e Kosovës. Në këtë takim do të diskutohet pët të gjetur mënyrat për zbutjen e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë duket se tronditi Moskën, por edhe Brukselin. Rusia nuk mjaftohet me rolin e vëzhguesit, ndaj dhe nuk ishte rastësore ajo që deklaroi nga Beogradi, më 18 qershor, Ministri i Jashtëm Rus Lavrov, se: “…për çështjen e Kosovës do të jemi përkrah vendimit që do të marrë Beogradi – por shtoi se – ky vendim do të duhet të kalojë për aprovim edhe nga KS e OKB”, që do të thotë se vendimi do të duhet të ketë edhe aprovimin e Rusisë.
Nga ana tjetër Bashkimi Europian shfaqet i trazuar dhe mërzitur që nuk ka asnjë informim, apo njoftim nga pala amerikane, lidhur me axhendën e takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Mesa duket SHBA funksionon e pavarur, duke mbajtur një pozicion më të ekuilibruar përballë palëve, diçka që nuk ndodhte në të shkuarën, duke u përpjekur të arrihet marrëveshja, kompromisi, duke “i rrëmbyer” lavdinë BE-së, që përpiqet të mbajë dhe ruajë rolin e protagonistit, në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Sërbisë.
Për këtë ndoshta, u thirrën me urgjencë në Bruksel, para se të udhëtojnë për në Uashington, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vučić.
Hoti do të mbërrijë në Bruksel të enjte, ndërsa Vučić ditën e premte, menjëherë pas kthimit nga Moska. Siç edhe përmendin Media-t ndërkombëtare, udhëheqja e BE-së, do u sugjerojë të dy palëve rifillimin e dialogut në muajin korrik.
***
Ja sërish një ndryshim boshtor në mentalitetin politik funksional mes SHBA-së dhe BE-së. SHBA kërkon kompromis dhe marrëveshje, kurse BE-ja vazhdon të kërkojë hallakatjen në labirithin e dialogjeve pafund, pa krye dhe pa zgjidhje.