Heretike të Heshtësh për Vrasje “të Varrosura” – Bankieri Santo & ‘e Përjetshme Harresa’!

Do të krijohej një parti e re politike në Tiranë, afër fundit të 2014-ës, apo elitat financiare në vend, ushtronin presion për rokada emrash brenda partish politike?

***

6 vite dhe 5 ditë nga një ekzekutim mafioz në qendër të Tiranës.

Nuk vritet një kriminel, një hajdut, një vandal, një i çmendur, një maniak, një përdhunues! Jo! Vritet një bankier, një intelektual, një sipërmarrës, në të gjithë peshën e termit, në teori dhe funksion, Artan Santo.

Pas 6 vite e 5 ditë, prita ta kujtonte ndokush. Askush!

Pas 6 vite e 5 ditë, prita të fliste ndonjë sipërmarrës. Askush!

Pas 6 vite e 5 ditë, prita të dëgjoja prokurorinë të na informonte për çështjen “Santo”. Askush!

Pas 6 vite e 5 ditë, prita të dëgjoja të ngrinte zërin e revoltës ndokush. Askush!

26 Qershor 2014, një motor i zi, dy persona në të zeza, një makinë e zezë nga ku zbriti bankieri dhe një fat i zi për llahtari.

3 ditë mbajti “thagma” e vrasjes mafioze të një personaliteti, për rangun e vendit ku jetojmë, 3 ditë u fol dhe u stërfol për bankierin, ekonomistin, financierin, pedagogun, atë pak poetin dhe prozatorin, por edhe pak artistin. Dëgjuam deri në zgajtje fjalë të ngjyera në dhimbje, disa të hallakatuara, disa që shtronin teza dhe hipoteza, fjalë nga gazetarë vallaha të kronikës, investigativë, pezhorativë në thelb, që e vetmja gjë që bënin ishte që të na përkthenin në fjalë, ato që shikonim me sy, nga kamerat e sigurisë.

Artan Santo i lindur më 7 shtator 1956, në Tiranë ishte drejtori i bankës së parë shqiptare të nivelit të dytë, Credins Bank, Bankë e krijuar në vitin 2001 nga një grup profesionistësh në sektorin bankar. Kjo Bankë ishte nisma e parë e biznesit shqiptar, që kaloi nga kapitali tregtar, në atë financiar.

Santo ishte për afro 15 vite CEO i Credins Bank, themelues i saj, ndonëse nuk ishte aksionari më i madh. Ishte njeriu që drejtonte politikat e saj dhe kishte kontroll absolut mbi transfertat, dhe jo vetëm.

Santo ka patur pjesë aktive në disa operacione privatizimi, si për shembull: ARMO & Albpetrol. Dy kompani shtetërore këto, që nxjerrin naftë, por gjithmonë dalin me humbje, që kanë qënë dhe janë në regres financiar, flitet që këto kompani kanë bërë edhe spekulime me transferta bankare, kompani të lidhura edhe me bankën që drejtohej nga Santo. (Arsye e fortë për të mos e ekzekutuar, sepse ishte një dorë ndihme në zgjidhje ngërçesh dhe situatash problematike.)

Banka Credins, drejtuar deri më 26 qershor 2014 nga Santo, është e njohur ndër të tjera në qarqet e biznesit edhe për ortakërinë e saj me një Fond Zviceran, ky Fond është dhe zyrtarisht aksionar në këtë bankë. Një bankë me fondamente të qëndrueshme.

***

Kush e vrau Santon?

Kësaj pyetjeje mund t’i jepte përgjigje një Prokurori ekzistente, hetuese dhe investiguese, një Polici aktive dhe vigjilente, një Ministri e Bredshme me Shërbime Informative penetruese, një Ministri Drejtësie ku dosja e një bankieri duhet të ishte shndërruar në volum mijërafaqesh dhe të gjitha këto institucione, duhet të kishin krijuar një rrjet qindra njerëzish, mes dhe nëpërmjet të cilëve të gjurmohej e vërteta.

Kujt i interesonte një bankier që kishte ndihmuar me qindra biznese, të ishte i vdekur? Normalisht asnjë sipërmarrësi!

Cilit grup kriminal i interesonte një bankier i ekzekutuar? Duke parë me logjikë të ftohtë historikun e personit? Askujt!

Pse për 6 vite me radhë nuk flitet dhe nuk thuhet asgjë për këtë vrasje mafioze? Për shkak të mosveprimit na lind e drejta të bëjmë pyetjen: A është Drejtësia e varur nga Politika në Shqipëri? Po dhe vetëm, po!

Atëherë për deduksion logjik, kur Drejtësia nuk operon, dihet se frenohet nga Politika. Për rrjedhojë, vdekja flet, nuk hesht dhe na shtyn të dyshojmë se politika, mes dy hijesh të zeza sarkofage, nguli disa plumba në trupin e bankierit dhe për epitaf, i shkroi: E PËRJETSHME HARRESA!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

"Do i Lëmë Amerikanët pa Gjumë" - Kreu i Lëvizjes 'Black Lives Matter' Pohon Diçka të Frikshme!

Next Story

Kur Vdesin Opozitat (si Sot 1 Vit); Basha: "më 30 Qershor nuk Ka Zgjedhje në Shqipëri"!

Latest from Opinione