“Xhihad kulturor” e ka karakterizuar Kryepishkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas, vendimin e Presidentit turk Erdogan për ta kthyer Kishën e Shën Sofisë në Xhami.
Kryepishkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në edicionin qëndror të lajmeve të Kanalit Shtetëror Grek ERT1, theksoi se ky vendim “kthen njerëzimin në epoka të vjetra të errëta”.
Deklarata e plotë e Fortlumturisë:
“Ky vendim për Kishën e Shën Sofisë është një lloj sulmi kulturor, xhihadi kulturor. Vitet e fundit të gjithë të krishterët dhe muslimanët seriozë, gjykojnë dhe kritikojnë ashpër çdo lloj lufte të shenjtë, apo xhihadi.
Ekziston një ndjeshmëri islamike deri më tani, që ka respektuar bukurinë e Kishës së Shën Sofisë. Por fanatizmi ekstrem kërkon të shfrytëzojë dhe të vjedhë bukurinë e një Tempulli të Krishtërimit të patjetërsueshëm.
Ky vendim u përket vendimeve tragjike dhe veprimeve tragjike që minojnë shpresën dhe përpjekjet që bëjmë në epokën tonë. Minojnë bashkëekzistencën paqësore të besimeve dhe qytetërimeve.
Ky vendim na kthen prapa në kohë të vjetra dhe të errëta të aspekteve historike dhe realisht ka krijuar indinjatë dhe habi për një vend si Turqia, që dëshiron të jetë e para dhe flamurtare, por që zgjedh një rol pararoje kulture të prapambetur.
Në mënyrë të përsëritur më është dhënë mundësia të theksoj se vaji i besimit/fesë është mëkat dhe gabim të përdoret për të ndezur, apo për t’i shërbyer qëllimeve nacionaliste dhe politike.
Roli fisnik i besimit është që të shërojë plagë dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve, të promovojë civilizim dhe jo të bëjë kthime prapa në epoka të errëta.”