Vlera e Votës së Pavlefshme në Prill 2021! – Ftesë Shqiptarëve për Rekord Botëror!

“Partia” e parë me votë plebishitare, në prill 2021 duhet të jetë “Partia Vota e Pavlefshme” – PVL. Arsyet nuk janë 1001, janë shumëfish numerik i 1001-shit, ose janë aq arsye sa miliardat e “krerëve” të marra së bashku.

Për rrjedhojë nuk mund t’i shkruajmë dot të gjitha këtu, por mund t’i gjeni ngado, sepse janë të shkruara derë e portë, rrugë e rrugicë, fshat më fshat e qytet më qytet, i dimë të gjithë, herë si pësonjës e herë si vëzhgonjës, të thundrës së DEMOKRATURËS.

Këtë neologjizmë është mirë ta përdorim dendur dhe tua ngulitim thellë në mendje shqiptarëve, me shpresën se do të kthjellohen, se në këto 30 vite nuk kanë jetuar në një shtet demokratik. Asfare!

A mund të votohet Berisha i ligjit 7501, i piramidave dhe i armëve më? Jo!

A mund të votohet Meta i thesarit të Kërrabës, i blloçkës së korrupsionit dhe i Monës më? Kurrë!

A mund të votohet Rama i ngjalës së Lalzit, narkosocializmit dhe pedonaleve më? Jo!

A mund të votohet Basha i Ramës ndonjëherë? Kurrë!

Kujtoni që këta personazhe të errët, për t’i dhënë dritë udhës për pushtet, mes tyre kanë bërë pakte të frikshme, më së shumti anti-shqiptare. Berisha me Ramën, ndryshuan kushtetutën, kundër Metës. Rama heshti për Gërdecin dhe 21 janarin, pro Berishës. Meta e solli në pushtet dy herë Berishën, kundër Nanos dhe Ramës. Meta e rrëzoi Berishën më 1 prill 2013 dhe solli Ramën, që në qershor 2017 e zgërlaqte shesheve dhe mitingjeve. Basha i dha pushtet (tepsi u quajt) në 2017-n Ramës, kur Meta “lehte”, çirrej e ngjirej për kryeministrin e kokainës. Basha i dha Ramës të 61 Bashkitë e vendit, teksa nuk mori pjesë në zgjedhje dhe jo vetëm kaq, më pas i fali edhe parlamentin.

Bëmat dhe gjëmat e këtyre nuk kanë anë dhe fund.

Tani më, duket se dyshja sorosiane Basha – Rama janë në sinkron të plotë. Direktivat i kanë marrë të qarta nga qendra, paçka se fitorja e dytë e Trump, duket se do të shënojë fundin e të dyve. Sido që të jetë, ata janë në linjën e Soros dhe prej kthetrave të tij, nuk shpëtojnë dot kurrë.

Kurse dy të tjerët duket të jenë bashkë, por në thelb Meta ka mbetur i vetëm, sepse Berisha e ka “gam-gam”-in opozitar thjesht për frymë militanteske, për inerci opozitarizmi dhe për kamuflash të amnistisë që i bëri Rama, sepse në thelb, me Ramën ka qënë më komod se kurrë në opozitë, të gjitha çështjet iu mbyllën, asnjë gjëmb nuk e gërvishti. Për këtë u kujdes Rama, dora vetë.

Paktet dhe vallaha përplasjet e këtyre hazardëve politikë, janë të panumërta dhe gjithçka e kanë bërë për interesa vetjake, kryekëput antiatdhetare.

Parti të vogla nuk ka, edhe ato që kishin mbetur, i shkriu Basha, së fundmi.

Për deduksion logjik, në pamundësi zgjedhjeje, shqiptari i ndershëm do të ushtrojë të drejtën e votimit, duke u dhënë këtyre përbindëshave varenë kokës, mes Votës së Pavlefshme.

Asnjëri prej këtyre dhe ata pasvanë dhe marioneta që emërohen prej mashtruesve politikë, nuk meritojnë votën e askujt, janë të pavlefshëm për këtë vend dhe për këtë popull, ndaj Vota e Pavlefshme është vula relevike me të cilën do të duhet t’i damkosim demonët e DEMOKRATURËS.

Partia e parë në përqindje mendoj se duhet të jetë PVL (Partia Vota e Pavlefshme). Dhe më pas do të mbetemi në historinë mbarëbotërore për një akt dhe reagim inteligjent, pa eksese dhe kryengtije shkatërruese. Nuk ka pse t’i heqim zvarrë apo t’i vrasim. Kurrsesi!

I damkosim si të pavlerë, i “kryqim” i bëjmë me bojë.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

"Adio Moria" Këndonin Refugjatët në Greqi, Pasi i Vunë Zjarrin Kampit në Lesvos.

Next Story

Shtator 2017, 3 Deputetë të PD-së, Votonin Gramoz Ruçin për Kryetar Parlamenti!

Latest from Opinione