Politika e korruptuar shqiptare po rend drejt zgjedhjeve parlamentare, ndoshta edhe në këtë nëntor. Rama dhe Meta duket të jenë në panik dhe në ngut të pazakontë. E gjithë skena politike na tregon qartë se Rama dhe Meta janë në fushatë elektorale.
Ndërsa Basha është tejet komod në pozicionin e tij të përhershëm, të “kartkreditit politik” me bankomat qeveritë socialiste që pasojnë njëra-tjetrën, monopartiake apo koalicionare qofshin, teksa prej qeverive dhe pas çdo proçesi zgjedhor, Basha fryn zhagen dhe mbarset në monedha. Sa për ata që ka nga pas dhe i tërheq për hunde, nuk po pyet kush, ata janë diçka pak më shumë se populli, kanë thjesht disa dallime etiketimesh honorifike, mes posteve të pavlera që mbajnë në PD. Janë ata që i fut dhe i nxjerr nga parlamenti me një të rënë të lapsit. Guafë i quan populli!
***
Presidenti Trump dhe politika amerikane, kanë mbërritur në kufijtë tanë veriorë, në Kosovë dhe Sërbi. Shpejt a vonë, ndoshta në një hapësirë kohore disamujore, ndoshta afër shtatorit 2021, politika amerikane, me një qëndrim pakorësh, do të zbarkojë në Shqipëri, në Tiranë, do të japë ultimatumet tek shqiptarët dhe direktivat tek ambasadori dhe do të largohet, mes një fluturimi nga Prishtina.
Askush nuk e vë më në dyshim se fitorja e Trump-it është e sigurtë dhe se forcat leftiste-globaliste, në Amerikë dhe në Europë, por kryesisht të emëruarit e Soros-it në Ballkan, do të avullojnë si bulëza uji në Saharë.
Kurse nga ana tjetër, në Shqipëri, si rast specifik, Amerika mes SPAK-ut, por edhe organizmash të tjerë të Departamentit të Shtetit që do të instalohen këtu në muajt në vijim, do të forcojë në vendin e shqiponjave, pozitën e “luanit” ligj dhe të “ariut” rend, e për rrjedhojë të lyerit, të ngjyerit, të ndryerit, të përlyerit, të zhyturit, hajdutët dhe kusarët e shqiptarëve, vështirë se do i shpëtojnë morsës amerikane.
Ja kështu e solli fati, që Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri ta gatuajë Sorosi, por ta zbatojë Trump-i.
Nëse zgjedhjet do të lihet të bëhen në prill 2021, Rama dhe Meta, vallë do të mund të artikulohen në atë kohë, 6 muaj pasi Trump-i të ketë konsoluduar legjislaturën e dytë të tij, ndaj dhe u duhet të rendin. Të dyve u duhet të riformatojnë struktura qeverisëse dhe politike, të dyve u duhet të bëjnë zgjedhje të përshpejtuara, për ta vendosur Amerikën përpara një fakti të kryer, ku sovrani ka votuar dhe i ka rizgjedhur në pozicionet e tyre dhe si të rizgjedhur më pas, do të kenë mundësi (mendojnë ata) të mbyllin afera korruptive, mes aleancash fluide, deri në përpjekje për të ndikuar në Sistemin e Drejtësisë që dosjet e tyre të fashiten.
Këshilla për zgjedhje është dhënë nga Sorosi, që sigurisht nuk do që të humbasë influencat e tij në Ballkan dhe Europë, mes atyre që vetë ka përzgjedhur dhe suportuar në gjithëfarë formash.
***
Në 2 mars presidenti shpalli se do të shpërndante Parlamentin. Kjo nuk ndodhi. Pandemia ra dhe një vëllazëri në pandemi ishte ilaçi i duhur për të gjetur justifikimin e mosveprimit.
Më pas Rama mbylli çështjen e presidentit në komisionin parlamentar për hetimin e tij dhe të gjithë të relaksuar vazhduan për pak javë jetën pasive pandemike politike.
Por hijet e zeza të SPAK-ut nuk po kursejnë askënd mesa duket dhe frika ka pllakosur kusarët politikë, që duhet me çdo kusht të spostojnë dhe të frenojnë veprime të mëtejshme të mundshme, të sistemit të drejtësisë, kundrejt tyre.
Për t’ja arritur kësaj, u duhet një fushatë dhe një palë zgjedhje urgjente, që e kalojnë vendin në një periudhë “heshtjeje” dhe pauze operacionale, që do u japë pak kohë të marrin frymë dhe të bëjnë planet për pak më tej.
Që të shkojmë në zgjedhje, Ramës i duhet Meta. Vetëm Meta tashmë mund ta çojë vendin në zgjedhje. Për këtë Rama hap një debat afifkë, lidhur me kompetencat e Presidentit dhe vallaha ca ndryshime në ligj, maná për trahaná, që të ndërsejë Metën për veprim. (Kujdes, gjithçka e koordinuar mes të dyve.) Dikush hedh karemin, dikush e kap, që populli të mendojë se filloi përplasja.
Meta del dhe shpërthen si zakonisht, në ato konferencat për shtyp ku shfaqet si i forti i mëhallës, si gansteri i rrugës dhe që realisht bind disa se ai mund t’ja “mbledhë” Ramës.
Por ne të gjithë e dimë, që në Shqipëri nuk ka burrë nëne që ja mbledh Ramës. Në Shqipëri burrat janë aleatë të Ramës.
Ja pra që Presidenti Meta, vallaha i indinjuar, na tha para dy ditë, se ai nuk e ka harruar 2 marsin dhe mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, si dhe na kujtoi sesa shpejt mund t’i provokojë zgjedhjet.
PS-ja dhe LSI-ja janë në fushatë. Besoj se i shikoni eksponentët e këtyre partive që kanë dalë në terren dhe po rendin me urdhër të Ramës dhe Metës.
Sa më sipër na bind se këta gy përbindësha janë në sinkron. Por edhe më në sinkron me këta, duket të jetë Basha, që nuk bën asgjë, përveçse na kujton sesa kujdes duhet të bëjmë me Covid-in dhe sesi duhet ta veshin fëmijët maskën. PD pandemike me kryetar endemik.
Por edhe Bashës, Rama i ka premtuar diçka, i ka premtuar zgjedhjet lokale, ku do i japë një dorë të fuqishme mbështetjeje, pas humbjes së radhës, për të cilën, justifikimi do të jetë brilant. Basha do të thotë: “Nuk humba unë, më tradhëtoi LSI-ja, që dje ishte në koalicion me ne dhe sot shkon me PS-në.” Militantët e shkretë, si gjithmonë, do ta besojnë, do e falin dhe do të presin kafshatën e zgjedhjeve lokale.
Dhe mes zgjedhjeve të përshpejtuara lokale, që do të jenë në prill 2021, Meta dhe Rama do i japin sërish kohë vetes së tyre dhe do i thonë Amerikës dhe botës: “Reflektuam dhe kaluam në zgjedhje të parakohshme lokale. Pendesa në fund të fundit është akt i të mbarit dhe duhet marrë parasysh.” Nga ana tjetër, ato zgjedhje do të jenë nga më të ndershmet dhe më të lirat të para në histori, pa lekë nëpër këmbë, sepse do i japin PD-së bashki me okë, që t’i thonë Amerikës indirekt se: “Populli shqiptar po zgjohet dhe po reagon, e për rrjedhojë të kësaj fitoreje plebishitare në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2024-ës këta të sotmit në pushtet nuk do të jenë më në qeverisje”.
Jo se këto do i hajë apo përtypë Amerika, por do ta fitojnë kohën që u duhet, duke patur parasysh që jemi aq të vegjël, dhe ata e dinë më mirë se çdokush këtë, sa jemi thuajse inekzistentë për Amerikën kolose, ku kemi 120 vjet që i kemi varur shpresat dhe na i roniti dielli. Por ka një ndryshim tashmë, ndryshimi është Planetarku.
Gjithashtu mos harrojmë se Rama, Basha dhe Meta janë të Soros-it dhe vetëm të tij. Kjo ua minimizon shanset për të qëndruar në pushtet gjatë. Përmend edhe Metën, sepse në prill të vitit 2013, ishte Sorosi ai që ndërmjetësoi që Meta të braktiste Berishën dhe qeverisjen, dhe të hante ngjala me Ramën. E kujtova këtë moment, sepse Meta shitet në popull si një anti-Sorosian, por në fakt është tërësisht në tarafin e tij dhe për këtë nuk ekziston as më i vogli dyshim.
Kështu që, mesa duket dyshja e partnerëve Rama-Meta do i servirin popullit Zgjedhje Parlamentare me bujë, potere dhe sherre, por këtë radhë nuk do të kemi tepsi, por sahan në mejdan dhe në fund një aleancë, PS-LSI.
***
Në këto votime të ngutura, populli i mençur duhet ta nxjerrë votën e pavlefshme dhe duhet ta bëjë atë, Votën e Pavlefshme pra, Partinë e parë fituese. Ndoshta më pas kthen sytë ndonjë superfuqi, për hir të popullit!
Të tregohet kaq i mençur populli vallë?!