Háne Fevzi, Háne Korçë!

Qyteti në shitje i Korçës, na qënka vizituar në muajt e post-lockdown-it, shkaktuar nga pandemia, nga gazetari Fevziu (apo ‘imponuesi’ siç do të përkthehej nga turqishtja eponimi i tij) dhe bujrum, u prit nga ortodoksë, ateistë dhe neopropagandistë, si dhe nga të tjerë, që vallë e pandehën që Fevziu erdhi me kamë, e që mes emisionit të tij, do i bënte pjesë edhe ata për të na thënë, ne të gjithëve, se:

“…Korça është një qytet që ka tërhequr vëmendjen për shërbimin e shkëlqyer, për hotelet e bukur dhe mbi të gjitha për pjesën estetike të tij.

Një qytet me vila të vjetra që janë restauruar për t’u kthyer në Hotele – Boutique, nga më të bukurit në Shqipëri. Është një qytet i hershëm, që ka një histori që nga lashtësia në fakt…, duket që Korça, qyteti modern i sotëm lidhet me një legjendë të krijimit të tij, prej Iliaz bej Mirahorit, një vendas nga zonat e Korçës, që u vendos pikërisht në fushën e Korçës në fund të viteve 1400, për të ndërtuar një qytet, që sot, pra pak a shumë, ka marrë formën e këtij qyteti, qytetin e Korçës.

Është një histori interesante ajo e Iliaz bej Mirahorit i cili ndërtoi një xhami që qëndron ende në këmbë dhe prej aty u ndërtua sahati dhe pazari…” – tha Fevziu, në prolog të emisionit.

Qyteti i Korçës në sallhanen e Fevziut, u masakrua dhe kockat ua hodhën qenëve pa zot, kryesisht atyre që mbushin pazarin dhe rrugët kur nuk ka njerëz, apo peripatetikë.

Mos ndoshta tha një të vërtetë? Që Korça nuk po shquhet më për njerëz, por për shërbime? Ë? – Jo! Nuk dua ta besoj!

Karakteristikat, veçoritë e Korçës sipas kajmekamit Fevzi, na qënkan tre, të vetme dhe personifikuese:

  1. Shërbimi i shkëlqyer (domethënë akçiu dhe garsoni na qënkan persona identitarë);
  2. Hanet &
  3. Estetika (një term i përgjithshëm, që një Perëndi e di se ku e ka llafin kajmekami).

Një Korçë me akçihane (gjellëtore), mejhane (pijetore) dhe hane (fjetore), na qënka Korça jonë mes lentes televizive! Kush t’ja ketë mbushur anxhikun me napolona këtij kajmekamit, që vjen dhe na laparos Korçën në këtë farë feje?! Kandari i bazharit paguan tinzarin dhe kuleta flet dhe buçet për histori dhe katandi.

Si dhe kush mund ta përdhosë Korçën kështu?

Zarar në pazar more kusar, zarar pa karar, në një Korçë ku ti dhe të tjerë duhet të hyni zbathur dhe pa zhurmë! Por po të leqendis tani çdo korçar e qytetar, se dinë të të peshojnë mirë në kanadar korçarët dhe të ta qidhepsin mendjen tënde të mbrapshtë. Le që ku ka kandar që të mban ty, më!

Qyshkur na e ka treguar në fakt kush është dhe çfarë mendje ka! Kujt i shërben dhe ku vallen kërcen!

Përsa më sipër ka shprehur/thënë, një mejtep (shkollë filore) i Mirahorit, që e ka proklamuar në emision, i qënka më shumë se i domosdoshëm, për të çertifikuar letërsinë dhe gazetarinë, sepse ishte në qytetin e dijes dhe kulturës, e kush e dëgjon derdimenin, e kupton sesa me papërgjegjshmëri flet, pret e lëshon, fjalë për shkretirë, që kanë cënuar të madh dhe të vogël në këtë kasabanë tonë.

Ja t’i kujtojmë pak kajmekamit:

Në krahinën e Korçës gjejmë gjurmë dhe tuma të para erës sonë, o hajn! Pa jemi pasardhës të Pirros së Epirit, o çyryk. Po nuk na the që kemi jetuar edhe nën dyndjet bullgare dhe kemi marrë edhe prej tyre, o kákole! Po si nuk përmende Muzakajt, o lanet! Dhe që ta mbyll me ty, Korçën e lulëzoi dhe e zhvilloi Voskopoja, o katran!

Kurse Iliaz bej Mirahori, po të përmend se, ishte djalë i një prifti nga Panariti, që u shqua në betejën për marrjen e Kostandinopojës dhe ishte ndër të parët që kaloi muret e fortesës. E kupton besoj se çfarë kontributi ka dhënë për invadimin e kontinentit nga Anadolli. Iliazi, arriti gjithashtu të marrë nga Sulltani gradën e lartë të Komandantit të stallave-Mirahorit dhe për këtë Sulltani i dha toka si pasuri private (mylk) në vitin 1486, ndër të cilat një çiflig në fshatin Peshkopi pranë Korçës (Gorica), që ai për së gjalli, e bëri vakëf. Thekjojmë “i dha”, nuk i kishte, “ia dhanë”! E të tjera, e të tjera që pasojnë dhe të gjitha këto mbi një kishë, mbi një manastir, përbri një varoshi.

Por Korça, vjen a nuk vjen ti, shtrembëron apo nuk shtrembëron ti fakte dhe ngjarje, nuk do t’ja dijë shumë, as nuk tjetërsohet dhe po të them se me llaf në gojë ke për ta gjetur gjithmonë, sepse këtë ka patur dhe do të ketë për armë, fjalën. Me atë të shtie, të vret dhe nuk e merr vesh.

Mes mendjes, dijes dhe fjalës ka bërë prokopi dhe ka mbrodhësuar si dhaskalicë e përkushtuar, atëherë, kur ju varreshit kështjellash dhe bastisnit hajvanë dhe karvanë.

***

Gajret bën i mençuri dhe në besim i dorëzuari, ne domethënë! Nuk ka asgjë të përhershme, gjithsesi!

Ç’të bëjmë që i pret dhe i përcjell këta lloje mytesarifi dhe bazhari, se qytetari korçar këta dhe të ngjashmit e tyre, nuk i vë në refene fare.

Medet sa keq, për Korçën me akçihane, mejhane dhe hane!

E megjithatë háne Fevzi, háne Korçë!

3 Comments

  1. Ta ka permenduar Voskopojen ne nje prej emisjoneve te muajit Qershorit , me vjen inat qe nuk ka permendur valvitjen e flamurit te Bizantit ne Korce dhe ceremonine mbreslenese te viteve te fundit per festen e flamurit ne Korce duke e trajtuar si nje risi te re importuar nga vllezerit tane Helenë

  2. Ai , Fefzoja nuk eshte historian i mirefillte ! Ai eshte transformues i historise ! Ate e shoqeruan edhe dy djem te rinj qe. Jane historian dhe analizues te mire te historise , por pa pervoje ! I shtyu Fevzoja te benin rolin e ciceronit ne gjera te thjeshta dhe jo te boshtit te historise te Korces !!
    Ai ishte nje emision shume i dobet dhe dashakeq !
    Ai haroi , ose beri sikur haroi thelbin e historise se Korces !! Nuk tregohet historia me nje enision 1.30 minuta ! Nuk e ka formuar Korcen Voskopoja ! Ajo eshte formuar qindra vjet perpara Voskopojes ! Gaqo Cyfeku sot tregonte disa tynele te vjeter e shune shume te vjeter qindra mijra vjecare !
    Ai buk tregoj asnje gje per keto tunele , ai nuk tregoj asnje gje per filozofine e te jetuarit te korcareve , Ai tregoj per Muzeun Bratko , por nuk tregij thekbin e tij ! Zonja Stefanllari i thekesoj me mire e shume me mire ne nga nje fjale cfare gjera madhore duhet te kishte cilesuar ai ! Por nure na i beri se ne ju perulem dhe vrame veten !Duhet qe njerez te mencur te korces te riformulojme te verteten e historise te qytetit tone qe ne lashtesi !
    Kjo gje forcon shume historine dhe ekonomine e korces !

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Një Libër i 1950-ës që Parashikonte Përdorimin e Maskës në Planet!

Next Story

Meta & Rama po Rendin të Bëjnë Zgjedhje Parlamentare në Nëntor 2020!

Latest from Opinione

“Juda” i Padukshëm!

Mashtruesin politik mund dhe duhet ta nxjerrin zbuluar, mund dhe duhet ta akuzojnë publikisht, skeptikët dhe