Viktimat e Etatizmit, Militantët e Partive-Shtet!

Etatizmi, ky term nga fërngjishtja, që shpalos teorinë politike e cila i njeh shtetit të drejtën e kontrollit në të gjitha funksionet e shoqërisë, në Shqipëri ka hedhur rrënjë të thella, me kontributin e pashoq të shqiptarëve, por kryesisht të militantëve të partive që hyjnë e dalin si rrogëtarë publikë, kur partia shtet u vjen mbi krye.

Çfarë është etatizmi? Ja si do ta perifrazonte një profesor i shkencave politike atë:

“Etatizmi mbështetet mbi frikën, cungon dhe kufizon autonominë e individit, rrënon besimin e shtetasve tek institucionet, gropos rregullat dhe vlerat, hipotekon shtetin në çdo sektor, nuk mbështet shpërndarjen e të ardhurave shoqërore, barazinë e të drejtave dhe shanseve. Por, rezultati më kriminal i veprimtarisë së tij mbi shoqërinë është se injekton në shoqëri vesin dhe i shkul kombit vetëbesimin. Konservon kulturalisht një mentalitet antisocial, një mentalitet të moszbatimit të ligjit dhe të shtimit të korrupsionit. Ruan rregulla me dy standarte dhe dëmton fort isonominë dhe barazinë.

Etatizmi është fenomen i demokracive të dobëta, i vendeve kapitaliste të padisiplinuara, i vendeve të pazhvilluara dhe i popujve që kanë dalë nga diktatura të egra dhe që u mungon qëndrimi homogjen mbi çështjen “komb”.

A nuk jemi ne shqiptarët tipikë të tipareve të mësipërme?

***

Sot Shqipëria ka mbi 14 miliardë dollarë borxh thonë statistikat e shtetit. Kush e ka këtë borxh, shteti apo qytetari? Kush e ka krijuar këtë borxh, shteti apo qytetari? Kush e mori këtë borxh, shteti apo qytetari? Kush e stukturon dhe e menaxhon këtë borxh, shteti apo qytetari? Kush do ta paguajë në fund këtë borxh, shteti apo qytetari?

Përsa më sipër, shteti janë “kapot” e partive-shtet, me pasvanë militantë dhe rrogëtarë, sejmenë dhe mytesarifë që mes etatizmit na marrin taksa dhe tatime me imponim, gjoba dhe tarifa, që nëse nuk i jep, ke sanksione.

Partitë-shtet të etatizmit “diktator”, pasi na grumbullojnë paratë tona mes emisarëve, vallaha për t’i menaxhuar (ndaj dhe i votojmë në fund të fundit), na i vjedhin dhe na i bastisin nga arka e shtetit. Më pas, për të mbajtur në këmbë “vatanin” dhe për të gënjyer me një kafshatë kartanin taksapagues, si dhe që të mos e lënë të rrënohet totalisht nga vjedhja dhe bastisja që i bën shteti qytetarit, marrin borxhe në emër të popullit, të cilat sërish i vjedhin dhe të cilat sërish i paguan populli. Dhe kemi 30 vite që borxhi zë borxhin, interesi zë interesin dhe nga ky rreth vicioz i etatizmit, viktima është qytetari, nënshtetasi, shqiptari.

Katrani me bojë shqiptar, kurrë kolegjial në mendim me bashkëshqiptarin dhe adhurues i partisë-shtet dhe i etatizmit imponues, nuk mendon kurrë kështu, që:

Borxhin e shtetit nuk e ka krijuar qytetari, por vetë shteti dhe rrogëtarët e tij. Ata le ta paguajnë!

Borxhin e shtetit nuk e ka qytetari, por vetë shteti, në emër të tij. Le ta paguajë!

Borxhin nuk e mori qytetari, por shteti. Le ta paguajë!

***

Qytetarë të këtij vendi ku etatizmi është ulur për të qëndruar gjatë, me lejën tuaj dhënë me pashë, ejani në vete!

Ne nuk kemi asnjë qindarkë borxh, askund, tek askush dhe për asgjë! Kush e ka krijuar borxhin për kaq vite, detyrohet me ligj ta paguajë.

Sot, popullit duhet t’i vijë në ndihmë Avokati i tij, “Avokati i Popullit”, Organet e Pavaruara nga Shteti (Etatizmi) dhe duhet të çohen përpara drejtësisë shkelësit, hajdutët, grabitësist dhe bastisësit e pronës dhe kapitalit të shqiptarëve.

Por edhe vetë kreu i “Avokatit të Popullit” është futur në sallonin mondan të një partie-shtet, që pret të kontribuojë për etatizmin sapo të marrë pushtetin, mes ruajtjes së “ballancave” të hajdutërisë së dukshme dhe asaj të padukshme.

Dikur, për një pallat montruoz mbi det, që prishej me të drejtë, edhe pse për ‘show’, që mes prishjes dëmtohej pronari kryetar i opozitës, Ballanca fitonte miliona euro për pronarin në Strasburg. Në emër të popullit, kundër borxheve që ka krijuar shteti dhe rrogëtarët mbi shpinën e tij, a ka ngritur ndonjë akuzë Ballanca? As nuk mund ta mendojë zonjëza këtë!

Etatizmi pra, kontrollon dhe rregullon gjithçka në shoqëri! Dhe duket se këtij populli i pëlqen! Duket të paktën!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Mobilizim Ushtarak: Djemtë & Burrat Armenë Shkojnë në Luftë me Buzëqeshje në Fytyrë (video)!

Next Story

Sanremo "allá turka" në Odën e Bashës - Acta est fabula...!

Latest from Opinione