Sanremo “allá turka” në Odën e Bashës – Acta est fabula…!

Ora 11:00, mëngjes së marte, notifikimet nga Media-t Sociale lajmërojnë dynjanë se do të flasë kreu i Partisë që braktisi Parlamentin. Do të flasë kryetari i deputetëve pa lavdi, që i nxorri nga porta e madhe me ujdi dhe i atyre, të vegjëlve, që vetë i zgjodhi ndër 140 më të spikaturit kandidatë në Republikën e Shqipërisë, por që nuk iu bindën dhe hynë deputetë në Kuvend, për hajmali.

Një odë si gabellë shfaqet përpara shqiptarëve, një skenë si arenë, një hapësirë si misërishte dhe një ekran gjigant tejendanë, që çuditi dynjanë.

E madhe kureshtja e dynjasë, për atë që do të ligjëronte kreu i opozitës “së bashkuar”, edhe pse të shtangur. Ekrani u hap, deklarata ‘live’, online në rrjete dhe në ekranet televizive fillon, dhe çdokush shquan një ritëm të zvarritur, disi të përgjumur të kreut. Ende herët mesa duket, për gjumashin e Ramës dhe për gënjeshtarin e orës, sipas Metës.

Shumica prisnin që të bënte “copash” Ramën e Qeverisë, por jo! Më kot shpresuan, meraku i madh i Bashës dhe bashallëkut në Odë ishte për Covid 19-ën dhe shëndetin e popullit, shqetësimi akut ishte për vaksinimin e popullsisë në masë, ankthi ishte për maskat që duhet të vendosin fëmijët në fytyrë, stresi ishte për tamponët, testimet, desifektantët dhe masat që duhen ndërmarrë Qeveria për virusin.

“Interpretuesi” nuk performoi si duhej, me gjithë suportin e skenës dhe skenaristit, tabelave, shifrave, filmimeve që transmetonte ekrani gjigant në sfond të tij. U lebetitën njerëzia, sepse të tjera thoshte Basha, të tjera shfaqte ekrani dhe të tjera po bën partia. Asgjë në sinkron në misërishte, “këngëtari” stononte, orkestra nuk e pasonte, Media nuk fokusonte, përveç “koçanëve” të vendosur në skenë në formë oval, me distanca strikte, “mbjellë” me merak nga fermeri skenograf, asgjë tjetër për t’u patur zili.

I vetmi kryetar opozite në Europë që flet dhe është pro masave dhe pro përdorimit të maskës në kuadër të Pandemisë, teksa e gjithë opozita në Europë kanë kaluar në satirë dhe në sarkazmë me “estradën” Pandemi dhe me “kllounin” virus. Përfundimisht, është një sorosian globalist i paepur dhe detyrat e shtëpisë i kryen me përpikmëri dhe me shumë kujdes.

***

Çfarë dimensione të ketë vallë ky ekran gjigant që do ta kishte zili Madona, Shakira, Paris Hilton, Rita Ora dhe të tjera për shfaqjet e tyre?

Sa kushton vallë ky ekran që ka pushtuar odën e Bashës dhe Bashallëkut?

Pse nuk i jep Basha këto shuma të shpenzuara për ekranin, për ata njerëzit që shënojnë emrin në “sistemin e listave” nëpër dyqane? E dëgjuam edhe këtë togfjalësh nga Basha, terminologji e re në ekonominë e vendit të shqiponjave, “Sistemi i listave”. Siç themi “Sistemi Bankar”, “Sistemi Shëndetësor”, “Sistemi Arsimor”, tani më, do të fusim në frazeologjinë tonë të pasur edhe terminologjinë elektorale “Sistemi i Listave”.

Kush e ka paguar vallë këtë ekranin gjigant? Fondet e kuotave të anëtarëve të PD-së, që shumica janë të papunë, apo ndonjë “dorë bujare” donatori që pret ardhjen në pushtet të Opozitës Jashtëparlamentare? Apo fonde të tjera të errëta dhe të padukshme?

Ku e ka parë vallë Basha këtë model ode partiake me ekran dhe me efekte, dritka dhe elektriçka? Në Gjermani, në Amerikë, në Itali, në Hollandë, në Greqi, në Bruksel apo në Gjenevë, në New York apo në Helsinki? Askund!

***

Pse u morëm me ekranin? Sepse e vetmja gjë që na tërhoqi vëmendjen nga takimi në misërishte, ishte ai, ekrani pra, dhe jo fjala e Bashës, që ishte një Silva Bino në versionin politik.

Është tragjedi për vendin të mos ketë opozitë!

Është fatalitet për kombin të mos ketë opozitë!

Sanremo “allá turka” e Bashës, apo e “kokës” siç do të përkthehej në shqip për shqiptarët “allá frënga” dhe filoamerikanë, është turpi që ka veshur për matel Opozita, opozitë i thënçin.

Ky person, ky politikan, ky stonaturë në partiturën e opozitës, nuk i përket më interesave të popullit shqiptar. Flet për pandemi dhe varfëri, i zhytur në kostum, gravatë dhe brillantinë, në ekrane dhe drita, në oda të dyllosura dhe lukse të pasosura. Një ironi për llahtari.

Në Sanremon “allá turka”, që ta dini, performon vetëm një “artist”, që edhe pse stonon, merr duatrokitjet e rastit.

Acta est fabula…! (Shfaqja tashmë mbaroi…!) Offline…!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Viktimat e Etatizmit, Militantët e Partive-Shtet!

Next Story

Drama e Mbrëmjes së Sotme në Debatin Trump-Biden po Afron- Trump Kërkon Kontroll për Kufje Përpara Debatit!

Latest from Opinione