Tërmeti i fuqishëm 6.75 i shkallës rihter, me epiqendër 19km nga ishulli Samos dhe me thellësi afro 10km në detin Egje ka shkaktuar dëme të panumërta në ishullin grek, por edhe në brigjet turke dhe kryesisht në qytetin e Izmirit, përkrah shumë viktimash dhe të plagosurish.
Sizmologët grekë në formë të prerë dhe thuajse urdhëruese, bëjnë thirrje se banorët e ishullit Samos për disa ditë duhet të qëndrojnë në terrene të hapura në ishull dhe të mos hyjnë në banesat e tyre. Paralelisht thonë se të gjithë duhet të hyjnë në banesat e tyre, pasi ato të kenë kaluar nga kontrolli strikt i inxhinierëve specialistë, të cilët dhe do të çertifikojnë cilat godina do të mund të jenë të banueshme.
Sizmologët para pak orësh, sipas televizionit Skai, deklaruan se në ditët dhe javët në vijim do të kemi lëkundje të tjera sizmike, parashikohet që disa prej lëkundjeve të jenë sërish të fuqishme, deri dhe në 6 ballë të shkallës rihter, kjo për shkak sepse tërmeti kryesor ishte i cekët dhe vertikal. Arsye këto që shkaktuan edhe cunamin në brigjet greke dhe turke.
Qeveria greke dhe ajo turke duhet të jetë në alert të vazhdueshëm për javët në vijim, për shkak të aktivitetit metasizmik që mund të jetë po aq goditës dhe shkatërrues, sa edhe i pari.
Lutjet tona për familjet e viktimave dhe të plagosurve në Greqi dhe Turqi!