Njerëzit në botë, sot, jetojnë brenda një sistemi të kontrolluar, por shumica e tyre nuk e kanë kuptuar ende që është i tillë. Është një sistem ekstremisht i sofistikuar, nga ana tjetër një sistem po aq i thjeshtë, që ekziston sepse shumica e njerëzve besojnë se është diku atje.
Besimi i padiskutuar në ekzistencën e një autoriteti është realisht një problem madhor në psikozën e humanit dhe është pikërisht besimi tek autoriteti që përbën pjesën më të rëndësishme të ekzistencës së sistemit të kontrollit, që ka zënë vend kudo.
Por nga ana tjetër ekziston edhe realiteti i bazuar në shkresa, realiteti dokumentativ, kundrejt të cilit njerëzit janë të skllavëruar, një sistem dokumentativ matriks (për mua), por që njerëzit e besojnë si real dhe të mirëqënë.
Ndër vite dhe veçanërisht në kohët tona ka shumë njerëz që u angazhuan për të të sjellë ty këtë informacion, për të të shpjeguar dhe për të ta bërë ty të njohur këtë realitet dokumentativ. Ka njerëz që ty të japin informacion për çertifikatën e lindjes, ka njerëz që të shpjegojnë ty fuqinë legale të statuteve, legjislacioneve, vetë ligjeve, e të tjera.
Nga vijnë të gjitha këto? Nga vijnë legjislacionet, statutet dhe aktet ligjore? Sepse kur realisht njohim dhe dimë se çfarë është ligji në vetvete, kur njohim definicionin e vërtetë për ligjin, ligji pra i vërtetë i species njerëzore, ligji i vërtetë i krijimit, ligji i vërtetë i realitetit është në thelb thjesht ndryshimi midis të mirës dhe së keqes. E pra, është aktualisht një ligj i vetëm që nuk dëmton. Kur njohim këtë, atëherë çdo gjë tjetër është legjislacion, thjesht statute dhe akte, rregulla që krijohen prej njerëzve dhe që nesër mund të shfuqizohen, ndryshohen, amendohen, abrogohen. Por ligji i dallimit mes së mirës dhe së keqes është i pandryshueshëm.
Njerëzit kanë disa ide, i shkruajnë ato në një copë letër, u vendosin një vulë dhe më pas thonë – “ti duhet ta zbatosh” – duke e vendosur veten në pozicionin e atij që krijon dhe kujdeset për infrastrukturën e kësaj shoqërie. Pasi gjërat shkruhen dhe vulosen, duhet të bëhen ekzaktësisht siç janë shkruar me qëllim që ta bëjnë këtë infrastrukturë më të mirë për të gjithë njerëzit (supozohet).
Kështu supozohet të jetë dhe kështu duket në pamje të parë. Ne punësojmë një qeveri për të na menaxhuar infrastrukturën dhe presim prej saj/tyre që ta përmirësojnë dhe shtrijnë, duke e bërë atë më fitimprurëse për shoqërinë.
Por ajo që realisht bëjnë qeveritarët, atyre që u besojmë menaxhimin e të ardhurave tona dhe të infrastrukturës shoqërore, është se shtojnë rregulla në vend që të zbatojnë ato ekzistuese dhe shtojnë rregulla, pikërisht për të kontrolluar shoqërinë dhe për ta futur atë në një kuti të mbyllur, në disa grupime.
Më pas, qeveritarët vjedhin burimet e vendit, shfrytëzojnë njerëzit e tij dhe shesin të gjitha pasuritë për interesa të huaja. Kjo ndodh zakonisht dhe rëndom këtu dhe ngado. Qeveritë dhe politikanët janë shumë të mirë, thuajse të specializuar për të bindur njerëzit se u nevojitet pikëtisht ky lloj sistemi. Në fakt qeveritë luftojnë më tepër për të bindur popujt se kanë nevojë për qeverisje, sesa për vetë qeverisjen. Koncepti i përgjithshëm se na nevojiten disa figura dhe autoritete për të na qeverisur, apo sunduar dhe për të na dhënë dorën e ndihmës kur ta kemi të nevojshme, nëse do të dështojmë apo rrëzohemi, është tërësisht, krejtësisht i gabuar.
Dhe duhet të dini që është një ide kjo e injektuar në subkoshiencën e njerëzve nga qeveritë, mes mekanizmit të sistemit të kontrolluar të edukimit/arsimimit, sisteme që kontrollohen plotësisht nga qeveritë.
Mesa duket është një nga qëllimet kryesore të këtij sistemi skolastik, që të imponojë tek njerëzit respektin dhe frikën ndaj autoriteteve. Por nëse e shikojmë me syrin e ftohtë dhe kur e analizojmë të gjithë këtë mekanizëm kontrolli, veçse folklorik, është si një meme. Është thjesht një ide, sepse mekanizmi në tërësinë e tij ekziston vetëm në letër dhe rregullave u japim substancë vetëm ne, teksa i besojmë, i zbatojmë dhe u nënshtrohemi, edhe pse shumica e tyre duket të jenë kundër nesh.
Qeveria është një grup njerëzish të besuar, që janë punësuar prej banorëve të një vendi që të menaxhojnë infrastrukturën dhe për të siguruar që njerëzit do të kenë një shoqëri të ndershme dhe funksionale.
Por gjëja esenciale që duhet të kuptojmë për politikanët dhe të gjithë punonjësit publikë është që ata janë, apo konsiderohen si njerëz të besuar dhe janë veshur me besimin e njerëzve që i kanë pozicionuar në poste publike.
E vetmja fuqi që kanë këta njerëz, vjen nga populli që i emëron në postet publike, vjen prej teje që më lexon. Dhe nëse ndonjë qeveritar, apo punonjës publik, apo politikan, apo shumatorja e tyre vendosin rregulla dhe ligje që dëmtojnë popujt, shoqërinë, apo një grup të saj, atëherë këta njerëz kanë shkelur besimin dhe po abuzojnë me pushtetin që ne u kemi dhënë, që populli u ka dhënë, që ti u ke dhënë.
Pas kësaj shfaqet gënjeshta, mashtrimi, manipulimi, sërish gënjeshtra dhe vjen momenti që duhet të çohesh për t’u treguar që ke vlerë dhe që duhet të të marrin parasysh.
Por jetojmë në një shoqëri që kur ja sugjeron dikujt këtë e marrin si egoizëm, revanshizëm, disa si idiotësi, disa si shkrehje dhe ambicje vetjake, e të tjera. Por këtë sjellje njeriut ia ka injektuar sistemi i kontrollit, një sistem diabolik por i zgjuar, që shfaqet në sjelljet e njerëzve, njerëz shumica me mungesë dëshire dhe aftësie për të reaguar.
Për shkak të një sistemi edukimi të kontrolluar, por tejet të varfëruar dhe të indoktrinuar me antivlera, njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë janë dhe sa të rëndësishëm janë. Ne jemi këtu që të qeverisim veten, jemi këtu që të njohim veten, jemi këtu për të bërë të mirën e mundshme, jemi këtu për të qënë më të mirët e mundshëm, sepse na është dhënë nga Krijuesi i gjithë potenciali kreativ.
Ky është edhe qëllimi i jetës së një qënieje humane, por fatkeqësisht rezultati i të jetuarit në xhepa të koncentruar me dendësi të madhe banorësh, që e quajmë civilizim, pikërisht pra, këto qendrat e mëdha urbane, janë në thelb fytyra e sistemit të kontrolluar qeverisës.
E pra, na mbetet të rigjejmë një mekanizëm për të riedukuar njerëzit për të fuqizuar vetveten, për të qënë më të ndërgjegjshëm, për t’u shprehur pa stepje dhe për të ngritur krye. Dhe që t’ja arrijmë kësaj mesa duket, duhet fillimisht të rrënojmë qeverisjen aktuale, të heqim sysh “të besuarit” publikë, të instalojmë një sistem tjetër që do të punojë për qëniet njerëzore dhe në interes të tyre.
Ndoshta duhet ta kthejmë njeriun dhe njerëzimin, drejt një sistemi ku ndoshta nuk do të jetë fare e nevojshme prezenca e shtetit, me përjashtim të disa sektorëve, që sistemi duhet të menaxhojë në interes të të gjithës publike.
Na mbetet të kuptojmë që jemi skllevër të një sistemi të kontrolluar, që na është imponuar tek e përditshmja jonë. Por ne jemi dhe duhet të jemi të lirë, nuk ka kush na kontrollon, veçse vetja jonë. Dhe ligji që duhet të njohim, është pikërisht dallimi midis së mirës dhe së keqes.
Sui Generis.
Ne jemi një identitet biologjik prej mishi dhe gjaku, jemi koshientë, mendojmë, krijojmë, shikojmë dhe vëzhgojmë botën ku jetojmë. Jemi mbartës të fuqisë së idesë. Por kë ide do të mbartim, idenë që jemi skllevër, apo idenë që jemi njerëz të lirë?
Koha është tani! Sistemi duhet të rrëzohet dhe “të besuarit” në qeverisje të largohen.
Një shtet sa më i vogël, me njerëz të besueshëm dhe të ndërgjegjshëm, një sistem qeverisës për një shoqëri funksionale, por jo të kontrolluar, duhet të jetë qëllimi i gjithkujt të ndërgjegjshmi sociologjikisht.