Kompania Lufthansa njoftoi anullimin e të gjitha fluturimeve për ditën e premte, nga aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut, sepse pilotët do të jenë në grevë.
Kompania më e madhe e fluturimeve, anullon 800 fluturime gjatë 2 shtatorit, pasi nuk u arrit rezultat në negociatat për rritjen e pagave të pilotëve dhe kështu 130 mijë pasagjerë nuk do të mund të shkojnë në destinacionet e tyre.
Negociatat mes pilotëve dhe drejtuesve të kompanisë Lufthansa dështuan, deklaroi mbrëmë sindikata ‘Vereinigung Cockpit’, pasi pilotët kërkuan rritje të pagave me 5,5%, për shkak të inflacionit dhe rrënies ekonomike që buron nga situata politike dhe ekonomike ndërkombëtare.
Në kompaninë Lufthansa punojnë përafërsisht 5.500 pilotë në transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Nëse shembullin e pilotëve të kompanisë Lufthansa fillojnë ta ndjekin dhe aplikojnë punonjës në kompani të tjera të mëdha të Gjermanisë, problemet në sipërmarrjen gjermane do të jenë të mëdha.
Po shikojmë në Gjermani një fenomen të çuditshëm, punonjësit nuk po i kundërvihen shtetit për rritjen e inflacionit dhe për rrënien e mirëqënies së tyre ekonomike, por po godasin punëdhënësit e tyre. Për rrjedhojë, kur sipërmarrësit e kompanive të mëdha të jenë në një trysni të tillë, padyshim që do të jenë ata që do të përballen më pas me shtetin.