Manipulim Firmato

Tregtia virtuale është shndërruar në një superarmë e mbishfrytëzimit të njerëzve, fjalë për fjalë është një lloj opiumi për njeriun e ri HiTech, është si një fe e Konsumit “Hyjnor”.

E kush nuk i njeh motrat me hire, Kardashian. E thotë emri i tyre, janë femra të bukura dhe të zbukuruara, me një prerje të errët ekzotike deri diku, me origjinë armene, të cilat kanë edhe kanalin e tyre, me shtrirje ndërkombëtare. Këto dy motra po pasurohen duke vendosur kamera nga banja dhe dhoma e gjumit, deri tek spitali, materniteti dhe makina e tyre. Emri i tyre, patentë tashmë, është sinonim i transformimit të jetës së tyre private në jetë publike të drejtuar nga Hollywood-i.

Këto femra kanë një pasuri neto 1.6 miliardë dollarë dhe brenda pak vitesh nga fillimi i funksionitmit të fabrikës së tyre të bustit, prapanicës, kofshëve dhe divorceve, kanë arritur të jenë ndër 100 njerëzit më të pasur në botë me ndikim shumë të madh në mbarë botën. Këto “bustoprapakofsha” cilësohen jo vetëm si të famshme, por si një “dukuri e kulturës së masës”!

Që mos harroj, po jua them, gjatë luftës së fundit Armeni – Azerbajxhan, për herë të parë në jetën e tyre bënë një bisedë “serioze” politike, aq sa serioze mund të jetë biseda e një “bustoprapakofshe”, si dhe mblodhën pak miliona dollarë nga amerikanët dhe i dërguan në Artsah Nagorno Karabakh-un e shkatërruar.

Nuk u çmenda që të merrem me këto, por janë në të njëjtën famë të Zelenskit që po tellallizon Luftën e Tretë Botërore, por këta funksionojnë njësoj shesin dhe propagandojnë mes një “new life style” të ngritur në skenën botërore, në epokën e rrjeteve sociales, për të kënaqur fillimisht masat, pastaj për t’i kushtëzuar dhe në fund për t’i manipuluar në çdo skaj të globit. Manipulim firmato në mënyrë që realiteti virtual të mos dallojë nga realiteti.

Flasim për devijim, edhe të vetë tregut, që po i impohen nevoja dhe tendenca, por një treg jashtëzakonisht fitimprurës për ata që kanë dhe zotërojnë këto mjete “prodhimi” mes reklamimit, qofshin ata gjigantë si ‘Google’ dhe ‘Tik Tok’, apo familje armene si Kardashian, apo edhe tipa si futbollisti Beckham, i cili “heroikisht” hoqi dorë nga llogaria e tij në Instagram, jo ​​për t’i lënë hapësirë reklamimit dhe shitjes së mbathjeve të gruas së tij, por për arsye të tjera.

Tregëtia virtuale është superarma, Kështu, u bënë shumë investime në kaosin kreativ që vorbullon në kafkat e njerëzve, jo vetëm në kohë paqeje, por veçanërisht në kohë lufte, siç dëshmohet në frontin e Ukrainas që funksionon në këtë nivel, si maja e shtizës për promovimin e interesave, masave dhe kundërmasave, që nga armët dhe mercenarët, deri tek sallonet e modës dhe monopolet e zinxhirit të ushqimeve artificiale të modifikuara.

Le ta ngrehim perden.

Presidenti ukrainas shfaqet me një bluzë të zhubrosur bojë vaji, gjithmonë në këtë ngjyrë, për të shtuar monotoninë, monotoninë që të çon në raskapitje dhe më pas në mëshirë, i njëjti kolor për të na fiksuar personin mes përsëritjes së imazhit monoton, sepse fytyra dhe pamja e tij duhet të tiposet në mendjen e gjithkujt kudo në Europë e në botë, si dhe në tregun virtual duhet të shitet se ai është “lufta”.

Përulësinë e ka bërë eksklusivitet mes superarmës virtuale. Nga ana tjetër, vendosin Presidentin Putin, i cili prezantohet dhe identifikohet, duke u bërë viral, si një pasanik i veshur me një xhup ‘Loro Piana’ (14.000 euro), këtë na thonë analistët ekspertë ushtarakë të komunikimit virtual, shkruesit e dixhiturave dhe lezantave të analizës strategjike, të ekonomisë dhe në fund të qepjes delikate të formave të luftës. Megjithatë, zenithi është syri i shqiponjës të gjurmueseve të imazhit të nevojshëm, atij imazhit të duhur të luftës së tanishme, mes Perëndimit dhe Lindjes.

Ky është triumfi i kapitalizmit dhe estetikës së tregut virtual.

Europiani ish komunist i Lindjes i nënshtrohet hijeshisë së modës italiane, kryeandarti mysliman nuk mund t’i rezistojë tundimit për të veshur ato që vesh një reper, apo boksier profesionist, ndërsa kapitalisti modest, një ushtar i thjeshtë i NATOs, padyshim rrethohet nga një marketing më i targetuar.

Dhe për ta mbyllur këtë raport të qepjes së rrobave firmato propagandistike, një informacion për ata që synojnë të shesin tridentin ukrainas si vazhdimësi civilizuese të tridentit të Poseidonit. Në Perëndim as e vrasin mendjen për Poseidonin dhe Tritonin, pasi tridenti është përveçse stema kombëtare e Ukrainës, flamuri i Barbados, simboli elektoral i Partisë Komuniste të Nepalit, por mbi të gjitha tridenti mbahet me krenari si shenja e personifikimit të Britanisë së Madhe, …Britania, simbol në monedha, mburoja etj.

Dhe kur flasim për tregun dhe sidomos për imazhin, sërish skeptrin dhe efektin, me siguri që i mban ajo familje mbretërore, e cila fiton miliarda nga dasmat dhe pagëzimet e anëtarëve të saj, si dhe Kardashian-et “bustoprapakofshët” duke shitur suvenire nga koka biberonësh, deri tek kriklla peshqirësh.

Nuk mund të shesin për shumë kohë luftë në tregun virtual, as Zelenski, as këshilltarët e tij, as edhe euro-amerikanët që e suportojnë me mani dhe vetmohim. Dembelin virtual e tërheq manipulimi firmato, por e ka të zhvilluar një shqisë virtuale dalluese, gjë që e bën t’i kthejë shpinën luftës dhe të bëjë ‘scroll’ mbi Kardashian.

Sot njerëzit virtualë që krijuat, moj të nderuara Europë dhe Amerikë, nuk u pëlqen të imitojnë ushtarin, por “bustoprapakofshën” dhe “mashkullin me tanga”, në më të mirën e rasteve, një reper.

***

Lufta duhet të vazhdojë që në fund të shkatërojmë edhe tregun e manipulimit virtual. Domosdoshmëri!

1 Comment

Lini një Përgjigje te דירות דיסקרטיות בחולון-israelnightclub.com Anuloje përgjigjen

Your email address will not be published.

Previous Story

Orban: “Anekdotë e Trishtë Sanksionet, Dëmtojnë më Shumë Ne sesa Rusinë!"

Next Story

Prostitucioni: Profesion, Përzgjedhje e Lirë, Trysni e Brendshme apo...?

Latest from Opinione