Prostitucioni: Profesion, Përzgjedhje e Lirë, Trysni e Brendshme apo…?

Nga Dr.Savvas N. Salpisti, Ph.D. / Universiteti i Stokholmit

Thjesht dëgjimi i fjalës “prostitucion” ngjall mendime dhe ndjenja rrënqethëse, më pas ky term mbështillet nga paragjykime të forta, stereotipe, aforizma dhe vlera morale që e refuzojnë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e bërë të vështirë kuptimin dhe trajtimin më realist të fenomenit.

Thuhet se prostitucioni është profesioni më i vjetër në botë. Por a është një profesion? Nëse po, atëherë cilat janë të drejtat dhe cilat janë përgjegjësitë e punonjëseve? Nëse jo, atëherë çfarë është? Vepër penale, problem personal apo social? Nëse është vepër penale, atëherë kush është fajtori? Prostituta dhe/apo klienti? Pse shpesh ndiqet penalisht vetëm ai që shet shërbime dhe jo ekskluzivisht ai që blen “mallin” ilegal, siç ndodh në disa vende ku ka me bollëk hipokrizi sociale?

Kur lexojmë ose dëgjojmë fjalën “prostitucion”, mendja thuajse automatikisht na shkon te një femër e veshur pak, ose gjysmë e zhveshur, që shet trupin… Por a është fjala vetëm për këtë? A janë gjërat kaq të thjeshta apo ne jemi mësuar t’i shohim në këtë mënyrë?

Nëse fjala prostitucion provokon, atëherë fenomeni i prostitucionit mashkullor provokon edhe më shumë, por sot do të angazhohemi me prostitucionin e femrës.

Përkufizimi se çfarë është prostitucioni duket relativisht i lehtë. Megjithatë, realiteti është shumë i ndryshëm. Përkufizimet që ekzistojnë janë të shumta dhe ndryshojnë në varësi të këndvështrimit të atij që i qaset dhe shqyrton çështjen. Në përgjithësi mund të themi se në debatin për prostitucionin, ka dy kampe, apo një dikotomi. Njëri kamp përbëhet nga ata që mbështesin të drejtën e femrës për të qenë e lira ta shesë trupin dhe seksin – si çdo biznesmen mallin e tij – dhe për këtë arsye bëjnë thirrje për legalizimin e prostitucionit, ndërsa kampi tjetër e sheh prostitucionin si një levë për shtypjen e femrës dhe një formë për më shumë dhunë seksuale dhe trauma psikofizike.

Kur rreth 100 vjet më parë,  prostitucioni filloi të merrte përmasa shpërthyese në qytetet e mëdha të Europës, ai konsiderohej jo vetëm diçka krejtësisht normale, por edhe i nevojshëm për qytetërimin tonë. Megjithatë, vetë prostitutat shiheshin si krijesa të një perëndie më të vogël, biologjikisht të cënuara dhe që i përkisnin një race inferiore.
Sepse ne jetojmë në shoqëri ku çdo gjë që prodhon mbivlerë, pra fitim, shpërblehet dhe, në rast se është imorale dhe/ose e paligjshme, “justifikohet” ose reduktohet në një të keqe të domosdoshme.

Pra, prostitucioni, duke qenë se jep përfitime të mëdha, është legalizuar në vende si Holanda, Gjermania, Zelanda etj., me pretekstin e kontrollit më të mirë, sigurisë së vetë prostitutave dhe mbrojtjes së shëndetit publik apo ndryshe – sipas ‘Amnesty International’ – mbrojtjen e të drejtave të lartpërmendura të njeriut. Kjo si ide, tingëllon e mirë dhe e drejtë, por pyetja është nëse mund të ndikojë në një realitet shumë kompleks dhe të ashpër?

Përsa i përket të ardhurave të kësaj industrie shumë fitimprurëse dhe jashtë krizës ekonomike, vlen të theksohet se, vetëm në Gjermani punojnë 400 mijë prostituta, të cilat trafikohen nga mafia dhe u shërbejnë çdo ditë një numri klientësh që shkojnë tek më shumë se 1.5 milionë, ato gjenerojnë kështu fitime vjetore prej më shumë se 6 miliardë euro, ndërsa në të gjithë Europën, prostitucioni gjeneron nga 23 deri në 25 miliardë euro.

Mite për prostitucionin

Si çdo çështje tjetër që prek aspekte të rëndësishme dhe të ndjeshme të psiqikës dhe jetës sonë, fenomeni i prostitucionit, i cili prek seksualitetin dhe vlerat tona morale, nxit fantazi, emocione dhe besime që në asnjë mënyrë nuk përputhen gjithmonë me realitetin e zbatueshëm. Mitet më të shumëthëna rreth prostitucionit janë si më poshtë:

Prostitucioni është profesioni më i vjetër;

Prostitucioni zvogëlon numrin e përdhunimeve të grave;

Prostitutat bëjnë një jetë luksoze dhe janë të pasura;

Shtëpitë publike mbrojnë prostitutat nga dhuna dhe përdhunimet;

Kurvëria është më e preferuar dhe më e mirë se varfëria;

Prostitucioni është i nevojshëm për burrat për të kënaqur shpërthimet e tyre seksuale;

Një prostitutë mund ta ndalojë këtë aktivitet sa herë të dojë;

Prostitucioni ul numrin e divorceve. 

Arsyet kryesore që çojnë në prostitucion

Në të kaluarën, kërkimet shkencore lidhur me arsyet që mund të çonin disa femra drejt prostitucionit u përqendruan, në një masë të madhe, në ekzistencën e një forme psikopatologjie dhe kryesisht në faktorë individualë, të tillë si: ekzistenca e një homoseksualiteti të fshehtë, prapambetje mendore ose intelekt i ulët, çrregullime të ndryshme mendore, paqartësi për vetveten dhe identitin seksual etj.

Tashmë, ka një ndryshim përsa i përket orientimit dhe targetimit që fokusohet kryesisht në faktorë socialë dhe mjedisorë, siç është ekzistenca e problemeve serioze sociale dhe familjare, si p.sh. divorci, konfliktet familjare intensive dhe kronike, prindërit në prostitucion, ose me sjellje seksuale të pakontrollueshme, kujdesi i pamjaftueshëm nga prindërit dhe abuzimi seksual i vajzës gjatë fëmijërisë dhe/ose adoleshencës së saj.

Për shumicën e atyre që shtyhen drejt prostitucionit, arsyeja kryesore është mungesa e parave që nuk i lejon ato të jetojnë siç dëshirojnë. Megjithatë, ka edhe disa vende – si p.sh. Suedia, e cila ka një sistem social shumë të zhvilluar – ku ndryshe nga shumica e vendeve të të tjera, asnjë grua nuk ka nevojë të detyrohet në prostituojë për të patur të ardhura.

U konstatua se përveç nevojave parësore, ekzistojnë edhe disa motive dytësore, që mund ta çojnë një femër drejt prostitucionit. Këto motive dytësore janë, për shembull: kërkimi i një identiteti personal, një gjendje shpirtërore vetëshkatërruese, kurioziteti, dëshpërimi, një protestë e subkoshincës etj..

Për të rejat arsyeja kryesore që çon drejt prostitucionit është ekzistenca e një situate kaotike në jetën e tyre dhe mungesa pothuajse e plotë e parave. Kjo situatë kaotike mund të lidhet me përdorimin e drogës, mungesën e marrëdhënieve të qëndrueshme me disa të rritur, apo një lloj krize traumatike në mjedisin familjar, nënë që nuk ka ditur të ushtrojë rolin e saj, që e çon femrën drejt tendencës për largim nga shtëpia.

Dashuri në pamaturi

Përvoja traumatike, gjatë jetës së fëmijërisë dhe adoleshencës shtyjnë vajzat drejt prostitucionit. Për shembull, një vajzë adoleshente që vjen nga një mjedis familjar me probleme të mëdha, pa asnjë mbështetje nga të rriturit, pasi kalon një traumë keqtrajtimi apo dhunimi dhe që tashmë ka një imazh negativ për veten, bie pre dhe kërkojë lehtësisht një mjedis ku mund të gjejë pak vëmendje, një shoqëri ku të gjejë një “identitet”, kështu kalon në një iluzion shoqërie, si një zëvendësues për familjen dhe sigurinë që mund të mos ketë pasur kurrë.

Zakonisht këto vajza gjejnë personat e papërshtatshëm për t’u “strehuar”, nga ku presin të marrin ngrohtësinë e munguar, apo ku do të mund të gjejnë identitetin e humbur dhe kështu bien preh e shfrytëzimit, si dhe e përdorimit të drogë dhe alkoolit, shthurrjes në grup, vetëm e vetëm sepse në këtë mënyrë iu duket se kanë vlerë, megjithëse shikohen vetëm si objekt seksual, apo si objekt për shfrytëzim material.

Pagesat e prostitutës fillojnë me formën e shkëmbimit, si drogë, alkool, veshje, etj. dhe prostitucioni i vërtetë fillon kur shkëmbimi i “shërbimeve seksuale” kthehet në shpërblim monetar…

A është prostitucioni rezultat i zgjedhjes së lirë të individit?

A është përpjekja për vetëvrasje e dikujt, vetëlëndimi, ose sjellja e dhunshme, apo pirja e alkoolit një rezultat i zgjedhjes së lirë? Askush nuk i detyron që të bëjnë atë që bëjnë. Përgjigja është kategorike, JO! E njëjta gjë vlen edhe për prostitucionin.

Çdo formë prostitucioni përfshin gjithmonë një formë trysnie, në vartësi natyrisht, sesi e përkufizon gjithkush zgjedhjen e lirë ose detyrimin. Pavarësisht nëse ka apo jo një tutator ose tregtar mishi të bardhë – siç ndodh shpesh – jeta e kaluar e vajzës është gjithmonë e pranishme në mënyrën e vet unike, heshtazi e shkuara është brenda vajzës, domethënë përvojat, abuzimet, varfëria dhe shumë faktorë të tjerë psikosocialë ose familjarë, që përcaktojnë kryesisht një orientim të tillë. Të zgjedhësh do të thotë të përzgjedhësh mes dy ose disa opsioneve / mundësive të ndryshme të mundshme. Por cilat janë këto opsione të tjera të mundshme? Sa mund të çlirohen me vullnetin e tyre të lirë nga trysnia e brendshëm që historia dhe përvojat personale e gjithësecilës mbartin, që në kombinim me disa faktorë të jashtëm krijojnë shtigje jetese njëkahëshe për disa njerëz?

Në të njëjtën mënyrë pikëpamja se në një shoqëri demokratike, të gjithë kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mundësi është një mbithjeshtëzim – në mos tallje – kështu që pikëpamja se rruga drejt prostitucionit është rezultat i zgjedhjes së lirë ngre shumë pikëpyetje dhe është dredhi nga e vërteta…

Çështja e vullnetit të lirë nuk është teorike apo retorike. Cilado përgjigje që të miratohet ka një ndikim vendimtar në mënyrën e trajtimit të fenomenit të prostitucionit, si në nivel individual, juridik dhe social.

Që një vajzë të prostituojë është një trysni që ushtrohet brenda saj që e shtyn të dalë në rrugë dhe që sigurisht nuk është zgjedhje e lirë, por detyrim.

Kur ka një viktimë (p.sh. një prostitutë) atëherë natyrisht ka edhe një dhunues (klient). Qasja ligjore ndaj fenomenit, në këtë rast, është krejtësisht e ndryshme nga ajo nëse dominonte mendimi se prostitucioni është rezultat i zgjedhjes së lirë. Viktima mbrohet gjithmonë me ndihmën e një kuadri ligjor të përshtatshëm, si dhe me strukturat dhe ndërhyrjet specifike sociale që duhet të ekzistojnë.

Pasojat e prostitucionit

Prostitucioni ka pasoja të rënda si në aspektin personal, ashtu edhe në atë shoqëror. Megjithatë, këto pasoja mund të ndryshojnë nga personi në person për shkak të faktorëve të ndryshëm, si p.sh. kohëzgjatja që personi ka qenë në prostitucion, lloji i prostitucionit etj. Megjithatë, është fakt se një pjesë e madhe e krimit, si tregtia e mishit të bardhë, tutorët, abuzimet, trafiku i drogës e të tjera janë të lidhura drejtpërdrejt me prostitucionin.

Është konstatuar se më shumë se 75% e femrave që kanë qenë në prostitucion përjetojnë të paktën disa nga pasojat e mëposhtme të cilat në disa raste kanë pasoja dramatike në jetën e tyre të mëvonshme.

Pasoja psikologjike

Pavarësisht nga vendi apo forma, prostitucioni duket se shkakton të njëjtin lloj çrregullimi të stresit post-traumatik që vihet re tek veteranët e luftës, viktimat e torturës, përdhunimi dhe abuzimi brutal.

Vetëvlerësim i ulët, vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të ngushta ndërpersonale me të tjerët, vetëqortim, ndjenja faji dhe depresioni, shmangie e ndërveprimeve sociale. Frika nga afërsia emocionale, intoleranca ndaj afërsisë fizike ose kontaktit me të tjerët, refuzimi ndaj dashurisë dhe përkushtimit të tjetrit me bazë frikën e shpërdorimit.

Pasoja fizike

Është vërtetuar se prostitucioni shfaq probleme të ndryshme fizike dhe psikosomatike, veçanërisht si: pagjumësi, dhimbje të shpinës, bërrylave, barkut dhe kokës, probleme të ndryshme gjinekologjike, si dhe sëmundje veneriane.

Pasoja sociale

Izolimi dhe stigmatizimi social, vetmia e pjesshme, për shkak të tërheqjes nga familja dhe marrëdhënieve reale miqësore apo dashurore, për shkak të turpit ose frikës për të zbuluar stilin e tyre të jetesës së mëparshme.

Nevoja e madhe e shumicës së femrave për t’u distancuar emocionalisht, duke heshtur ndjenjat e tyre të dhimbshme në mënyrë që të përballojnë kërkesat e aktivitetit të tyre, i shtyn ato të përdorin alkool dhe drogë. Pasojat e këtij mekanizmi vetëmbrojtës kanë – përveç varësisë ndaj substancave të ndryshme – një çmim shumë të rëndë në marrëdhëniet e tyre ndërpersonale më vonë. Siç u përmend më lart, është pothuajse e pamundur që ato të mund të funksionojnë në një marrëdhënie të ngushtë personale dashurore, erotike në mënyrë normale dhe reciproke, e kanë frikë dashurinë, mbyten ndaj dhe shpesh shfaqin shenja dhune, pjesë e traumës nga e shkuara.

Epilog

Në dialogun për fenomenin e prostitucionit, referenca për çështjen e pushtetit/autoritetit është veçanërisht e rëndësishme. Këto femra janë të vartura nga tutori dhe janë tërësisht të dorëzuara tek ai me një ndërthurje ndenjash, duke u orvatur mes frikës dhe vartësisë.

Në një shoqëri barazie, ekzistenca e prostitucionit nuk duhet as të kuptohet, as të pranohet, pasi ajo pasqyron të drejtën e kontrollit absolut dhe të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Nëse në një moment shoqëritë arrijnë në pikën ku prostitucioni mund të jetë vërtet rezultat i një vullneti dhe zgjedhjeje të lirë, një profesion me të njëjtat kushte, të drejta dhe detyrime, si çdo profesion tjetër dhe ku prostitutat do të kenë saktësisht të njëjtën vlerë me njerëzit e tjerë, atëherë jeni të mirëpritur të përcaktoni nëse këto mund të ndodhin dhe të na thoni më pas nëse prostitucioni është zgjedhje e lirë, apo trysni faktorësh të tjerë…

Besoj këtë të dytën dhe do të vazhdoj të luftoj për zhdukjen e prostitucionit, që është forma më poshtëruese e shfrytëzimit të njeriut, femrës, krijesës së bukur dhe delikate, që duhet të dojë, tëlindë dhe rrisë fëmijë nëse mundet dhe të jetë në shoqëri gur themeli.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Manipulim Firmato

Next Story

Shtohet Numri i Sportistëve që Vdesin pas Vaksinimit

Latest from Opinione