Gjenocidi Armen – Shfarosja Sistematike nga Turqit

Gjenocidi i parë i shekullit të 20të, me shfarosjen sistematike të një milion e gjysmë njerëzish nga Autoritetet Osmane u krye në tre vitet 1915-1918 (gjatë Luftës së I Botërore). Ky akt ishte pararojë e Holokaustit hebre gjatë Luftës së II Botërore.

Në fund të shekullit të 19të, armenët, një popull i lashtë i krishterë i Lindjes së Afërt, u ndanë midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane. Në Rusinë Cariste ata jetonin nën një regjim relativisht tolerant (edhe pse nuk mungonin rusifikimet masive), por në Perandorinë Osmane kishte lloj-lloj persekutimesh, ashtu si popujt e tjerë të krishterë të Perandorisë (grekë, asirianë, shqiptarë etj.).

Me shfaqjen e nacionalizmave, Sulltani dyshoi tek armenët për prirje separatiste, ndërsa rusët, të cilët ishin me sy në tokat e “pacientit të madh”, mbështetën çdo ambicie të tyre. Kështu, Abdul Hamiti II nuk ngurroi të kryente persekutime të egra kundër armenëve të territorit të tij, që kulmuan me masakrat në Sassoon (1894), ekzekutimet masive të dy viteve 1895-1896, të cilat morën jetën e 300.000 armenëve.

Mbizotërimi i xhonturqve në korrik 1908, me gjithë shpresat fillestare, nuk e ndryshoi situatën për të krishterët e Perandorisë. Në vend që të respektonte traktatet dhe të kryente reformat, siç ishte premtuar, regjimi i ri kreu persekutime të tjera të armenëve në prill 1909 në Adana dhe në rajonin e Kilikisë dhe më gjerë.

Megjithatë, shfarosja sistematike e armenëve të Perandorisë Osmane ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Sulltani dhe Cari u gjendën në kampe të ndryshme. Plani i ministrit të Brendshëm Talaat Pasha u vu në zbatim më 24 prill 1915, me arrestimin e 250 armenëve të shquar në Kostandinopojë, të cilët u ekzekutuan po atë mbrëmje. 24 Prilli është vendosur si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit Armen dhe përkujtohet çdo vit nga diaspora armene.

Menjëherë pas kësaj, në Azinë e Vogël Lindore filluan masakrat në grup të popullit armen. Tipik është telegrami i Talaatit më 28 prill 1915 drejtuar Prefektëve të këtyre Rajoneve ku thuhej: “Është vendosur t’i jepet fund çështjes armene duke i shpërngulur në shkretëtirë dhe duke e shfarosur këtë element të huaj”. Deri në vitin 1918, mbi një milion e gjysmë armenë kishin vdekur, ose ishin detyruar të emigronin.

Gjenocidi i vitit 1915 mbeti i pandëshkuar nga komuniteti ndërkombëtar, edhe pse Perandoria Osmane, si aleate e Fuqive Qendrore, ishte ndër humbësit e Luftës së Parë Botërore. Adolf Hitleri e përdori atë si shembull për të justifikuar Holokaustin hebre. “Kush po flet sot për asgjësimin e armenëve?” – pyeti ai në vitin 1939.

Gjenocidi armen ishte i njohur për gjermanët, aleatë të Osmanëve në Luftën e Madhe, por ata vendosën një regjim censurimi në atdheun e tyre. I vetmi politikan që u përpoq më kot të denonconte shfarosjen e armenëve ishte socialdemokrati Karl Liebknecht, më vonë themeluesi i Partisë Komuniste të Gjermanisë, më 11 janar 1916. Kërkimet historike kanë nxjerrë në dritë dokumenta se gjermanët inkurajuan osmanët për të shfarosur armenët, sepse konsideroheshin të afërt me rusët.

Vetëm në vitin 2015 Gjermania u tërhoq nga refuzimi i saj i vendosur për të përdorur termin “gjenocid” për shfarosjen e armenëve nga turqit osmanë, duke u epur përpara presionit të parlamentarëve. “Masakra e armenëve 100 vjet më parë ishte gjenocid, shembulli klasik i spastrim etnik, shkatërrim masiv dhe deportim”, tha presidenti gjerman Joachim Gauck, gjatë një shërbimi përkujtimor të mbajtur në një kishë në Berlin, më 23 prill 2015.

Turqia, si shtet pasardhës i Perandorisë Osmane, nuk e pranoi kurrë gjenocidin armen. Turqia pretendon se ishte një operacion represioni kundër atyre armenëve që kishin bashkëpunuar me forcat pushtuese ruse në Turqinë Lindore dhe se të vdekurit nuk i kalonin të 300.000.

Që nga viti 2015, 25 vende e kanë njohur gjenocidin armen (Argjentina, Austria, Belgjika, Bolivia, Kanadaja, Kili, Franca, Greqia, Gjermania, Italia, Letonia, Lituania, Libani, Luksemburgu, Holanda, Paraguai, Polonia, Portugalia, Qipro, Rusia, Sllovakia, Suedia, Siria, Uruguai, Vatikani, Venezuela, Zvicra, SHBA) dhe Organizatat Ndërkombëtare, si: Bashkimi Europian (Parlamenti Europian), Këshilli i Europës dhe Tregu i Përbashkët i Jugut (Mercosur).

Gjenocidi armen është njohur gjithashtu nga katër rajone të Spanjës (Baskonia, Katalonia, Ishujt Balearik, Navarra), Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut nga Britania e Madhe dhe dy rajone të Australisë (New South Uellsi dhe Australia e Jugut).

Shqipëria nuk figuron në listën e vendeve që njohin gjenocidin armen, edhe pse ka mjaft armenë në Shqipëri, njerëz të shquar dhe me kontribute në shoqërinë shqiptare, që prej momentit kur mbërritën.

#armeni #ortodoksi #rezistencë #komb #vitalitet

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Qeveria Greke 32 Milionë Euro Bashkëshortit të Von der Leyen

Next Story

Faliment

Latest from Info