António Guterres: “Bashkëpunoni ose Zhdukeni!”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB për Klimën: “Njerëzimi ka një zgjedhje: Bashkëpunoni ose zhdukeni!”

Me tone dramatike fjalimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Samitin e Klimës COP27 zhvilluar në Egjipt.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres iu drejtua dje vendeve që merrin pjesë në Samitin e klimës COP27 në Egjipt se zgjedhja e tyre është e qartë: “të punojnë së bashku tani për të reduktuar emetimet ose do të dënojnë brezat e ardhshëm në një shkatërrim klimatik”.

Fjalimi i tij synonte të përvijonte peshën e situatës, ndërsa krerët e qeverive për dy javë diskutuan mënyrat për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimit të klimës me luftën në Ukrainë, inflacionin në rritje dhe mungesat e energjisë, si çështje që dominojnë.

“Njerëzimi ka një zgjedhje: të bashkëpunojë ose të vdesë” u tha Guterres përfaqësuesve të vendeve të mbledhura në qytetin bregdetar të Egjiptit, Sharm El Sheikh.

Guterres bëri thirrje për një marrëveshje midis vendeve më të pasura dhe më të varfra për të përshpejtuar tranzicionin nga lëndët djegëse fosile dhe financimin e nevojshëm për të siguruar që vendet më të varfra të mund të reduktojnë emetimet dhe të merren me efektet e pashmangshme të mbingrohjes që tashmë ka ndodhur.

“Dy ekonomitë kryesore, SHBA dhe Kina, kanë një përgjegjësi të veçantë për të bashkuar përpjekjet për ta bërë këtë marrëveshje realitet”, tha ai.

Guterres u bëri thirrje vendeve që të bien dakord për të hequr gradualisht përdorimin e qymyrit në nivel global, deri në vitin 2040, me anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të arritur këtë qëllim deri në vitin 2030.

“Emetimet e gazit serrë vazhdojnë të rriten. Temperaturat globale po rriten. Dhe planeti ynë po i afrohet me shpejtësi pikave kritike që do ta bëjnë kaosin klimatik të pakthyeshëm”, tha ai. “Ne jemi në një autostradë drejt ferrit klimatik dhe kemi këmbën në gaz”, paralajmëroi Guterres.

Nënshkruesit e marrëveshjes së klimës së Parisit të vitit 2015 u zotuan të arrijnë qëllimin afatgjatë për të mbajtur temperaturat globale nën 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.

Shkencëtarët e kanë vendosur këtë si një tavan për të shmangur ndryshimet katastrofike klimatike.

Për të mbajtur gjallë çdo shpresë për arritjen e këtij qëllimi, deri në vitin 2050 duhet të arrihen zero emetime.

“Ose do të ketë një Marrëveshje Solidariteti Klimatik, ose një Marrëveshje Kolektive për Vetëmbrojtje” komentoi Guterres.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Elon Musk Thirrje Publike: "Votoni për ...!"

Next Story

4 Skenaret për Ditën Tjetër në Kongresin Amerikan

Latest from Info