Planifikohet Evakuimi i Kievit – Ndahen Pilula & Fletëpalosje me Udhëzime

/

Udhëzime për qytetarët e vendeve të huaja në Kiev, thonë: “Përgatituni për një sulm bërthamor”. Ndaj dhe po shpërndajnë pilula dhe fletëpalosje, si dhe po planifikojnë të evakuojnë kryeqytetin, përkrah përgatitjes së 1.000 vendstrehimeve.

Zyrtarët në Kiev thonë se kanë filluar të planifikojnë një mundësi dikur të paimagjinueshme, ndërprerje të plotë të energjisë, që do të kërkonte evakuimin e kryeqytetit të vendit!

Çfarë do të thotë kjo praktikisht?

Se 3 milionë banorë do të duhet të largohen nga qyteti në mes të dimrit, që kjo do të jetë një kthesë dramatike e luftës, ndërkohë që tashmë po përgatiten 1.000 vendstrehime me ngrohje.

Sipas gazetës amerikane ‘New York Times’, e cila publikon informacionin, autoritetet e Kievit kanë filluar të planifikojnë të evakuojnë 3 milionë banorët e qytetit, nëse kryeqyteti ukrainas vuan një ndërprerje totale të energjisë, teksa po luftojnë për të mbajtur në funksion rrjetin elektrik, që ka pësuar dëme të rënda nga taketat ruse.

Një errësirë ​​e plotë, do të kërkonte evakuimin e kryeqytetit prej 3 milionësh, ishte dikur një gjë e paimagjinueshme.

Situata siç zbulohet nga ‘New York Times’ është tashmë e rëndë, me 40% të infrastrukturës energjetike të Ukrainës të dëmtuar, ose të shkatërruar.

Me afrimin e dimrit, qyteti po përgatit 1.000 vendstrehime me ngrohje që mund të mbrojnë gjithashtu civilët nga raketat ruse.

Për të parandaluar një dështim të plotë të rrjetit, kompania kombëtare e energjisë e Ukrainës tha të shtunën se do të vazhdojë të vendosë ndërprerje të energjisë elektrike në shtatë rajone.

Sforcimi i madh mbi aftësinë e Ukrainës për të siguruar energji është rezultat i bombardimeve nga forcat ruse të infrastrukturës kritike energjitike në të gjithë vendin, një taktikë që analistët thonë se presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur, ndërsa trupat e tij kanë pësuar dështime të përsëritura në fushën e betejës.

Dëmi i shkaktuar nga sulmet ruse ka shkaktuar vuajtje të reja për qytetarët ukrainas dhe i ka detyruar zyrtarët të marrin në konsideratë mundësinë që dëmet e mëtejshme mund t’i bëjnë ata të paaftë për të ofruar shërbime bazike.

E pamundura është e mundshme në kohë lufte.

“Ne e kuptojmë se nëse Rusia vazhdon sulme të tilla, mund të humbasim të gjithë sistemin tonë elektrik”, tha në një intervistë Roman Tkachuk, drejtor i sigurisë i qeverisë bashkiake të Kievit, duke folur për qytetin.

“Nëse arrihet deri në atë pikë”, tha zoti Tkachuk, “do të fillojmë të informojmë njerëzit dhe t’u kërkojmë të largohen”.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Vitaliy Klitschko tha javën e kaluar se për shkak të mbingarkesës së sistemit energjetik të Ukrainës, 450.000 banesa të qytetarëve kanë mbetur pa energji elektrike.

Më herët, Radio ‘Sputnik’ raportoi se autoritetet e Kievit pranuan mundësinë e mungesës së ngrohjes në banesa, gjatë dimrit.

Me vendstrehime, pilula, broshura udhëzuese, qytetarët po përgatiten për një sulm bërthamor.

Fondacioni Bamirës ‘Serhiy Pritula’ në qendër të Kievit ka një strehë në garazhin e nëndheshëm të një ndërtese për të mbrojtur stafin e tij nga sulmet konvencionale ruse dhe një tjetër në rast të një sulmi bërthamor.

“Strehëza e dytë është e pajisur siç duhet. Ka ilaçe, ushqime, pije dhe ujë të ambalazhuar, elektrikë dore dhe bateri”, shpjegoi për ‘Politico’ vetë Serhii Pritula, ylli televiziv dhe drejtues i fondacionit.

“Parashikimi i lëvizjeve të udhëheqjes ushtarake dhe politike ruse është gjithmonë një detyrë e vështirë nëse përdornim logjikën normale. Ne u bëmë shumë të pafatë të parashikojmë fqinjët. Kjo është arsyeja që duhet të marrim çdo kërcënim bërthamor shumë seriozisht dhe të përgatitemi në përputhje me rrethanat”, vëren ai.

Retorika e Moskës është vërtet shqetësuese.

Në fillim të këtij muaji, Medvedev, i cili tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, paralajmëroi se qëllimi i Kievit për të rimarrë të gjithë territorin e tij të humbur ishte një “kërcënim për ekzistencën e shtetit tonë dhe një gjymtim i Rusisë së sotme”.

Reagimi i Kievit ndaj deklaratave të Medvedev ishte i menjëhershëm. Oleksii Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, i quajti kërcënimet bërthamore një “akt vetëvrasës”, duke thënë se, “Rusia përfundimisht do të kthehet në armikun numër ‘1’ të të gjithë planetit”.

Edhe aleati i saj Kina e ka paralajmëruar Rusinë për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore. Javën e kaluar, presidenti Xi Jinping deklaroi se “Armët bërthamore nuk mund të përdoren, lufta bërthamore nuk mund të bëhet”.

Presidenti i SHBA Joe Biden i tha Putinit se do të ishte një “gabim i paimagjinueshëm dhe i rëndë” që një armë bërthamore taktike të përdorej në Ukrainë.

Ukrainasit po përgatiten për gjithçka.

Paralajmërime të tilla ndërkombëtare nuk i bindin ukrainasit që vazhdojnë të përgatiten për më të keqen. Autoritetet në rajonin e Kievit kanë qindra strehimore që mund të përdoren në një skenar sulmi bërthamor.

“Tetë muajt e fundit na kanë mësuar se gjithçka mund të ndodhë. Si zyrtar, po përgatitem për skenarin më të keq të mundshëm, por shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë”, tha për mediat lokale Oleksii Kuleba, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit.

Kouleba shtoi se vendstrehimet janë nën tokë, kanë ajrim, dy hyrje dhe deri më 15 nëntor do të pajisen edhe me radio. Këto të fundit supozohen nga autoritetet ukrainase si mjeti i vetëm i komunikimit në rast të një sulmi bërthamor.

Fletëpalosje udhëzuese

Organet drejtuese të Ukrainës kanë publikuar gjithashtu udhëzime të hollësishme, bazuar në përvojën e vendit nga katastrofa bërthamore e Çernobilit në 1986, se çfarë duhet bërë në rast të një sulmi bërthamor.

“Përdorimi i armëve bërthamore kundër Ukrainës konsiderohet i pamundur dhe qëllimi kryesor i këtyre kërcënimeve është të frikësojnë ukrainasit dhe botën dhe të na detyrojnë të tërhiqemi dhe partnerët tanë të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën”, thuhet në udhëzime, por shtohet se: “Në të njëjtën kohë, ukrainasit duhet të kenë një plan veprimi në rast emergjence, qoftë përdorimi armësh bërthamore, një ‘bombe të pistë’, ose një aksidenti në një termocentral bërthamor”.

Udhëzimet përfshijnë rekomandime për çdo gjë, duke filluar nga nxitja e qytetarëve që të mos shikojnë nga shpërthimi (“kur shihni rrufe në qiell ose reflektimin e tij, mos shikoni kurrë në atë drejtim”), për të mbuluar veshët, për të shmangur dëmtimet e mundshme nga vala goditëse dhe për të hequr veshje që janë ekspozuar ndaj rrezatimit.

“Vraponi në një strehë sa më shpejt që të jeni në gjendje të qëndroni në këmbë, kur vala e goditjes nga përdorimi i armëve bërthamore të ketë kaluar”, bëjnë thirrje strukturat.

Tabletat e jodit

Në fillim të tetorit, administrata e kryeqytetit njoftoi se kishte mjaft pilula jodid kaliumi, një medikament që parandalon thithjen e jodit radioaktiv nga gjëndra tiroide, për t’i shpërndarë në objektet mjekësore dhe mjekët e familjes në rast kërcënimi radioaktiv ose urgjence.

“Nëse evakuimi vlerësohet i nevojshëm, jodidi i kaliumit do të shpërndahet në pikat e evakuimit tek pjesët e popullsisë të ekspozuara në zonën radioaktive, në përputhje me rekomandimet e profesionistëve të shëndetit publik”, vijon administrata.

Në të njëjtën kohë, shumë banorë të Kievit po marrin masat e tyre mbrojtëse.

“Kam bërë më të mirën time”, thotë Kristina Ryabtsina, një stiliste që jeton në Kiev dhe është me origjinë nga Donetsk, për ‘Politico’. Ajo ka blerë jodid kaliumi nga një farmaci lokale.

“Unë me të vërtetë dua të besoj se nuk do të ketë asnjë sulm bërthamor. Por për fat të keq, kemi këtë fqinj të padurueshëm, ndaj nuk mund të mos mendojmë se kjo gjë absurde mund të jetë e mundur”, thotë një tjetër banor i Kievit.

“Blerja e jodidit të kaliumit ishte ndoshta një mënyrë për të përballuar frikën time” thotë një qytetare. “Nuk e kam injoruar rrezikun dhe kjo do të thotë se mund të vazhdoj me jetën time. Por padyshim e kuptoj që kjo nuk është një kundërmasë që do të na shpëtojë në rast se ky kërcënim bëhet realitet.”

Udhëzime për shtetasit e vendeve të huaja.

Qytetarët e huaj në Kiev ndjekin një strategji të ngjashme.

Javët e fundit, stafi i një programi të financuar nga europianët në vend (dhe që kërkuan që programi të mos përmendet) janë udhëzuar në rast të një sulmi bërthamor ose përdorimit të një bombe të pistë.

“Shpërthimet bërthamore mund të shkaktojnë dëme dhe humbje të konsiderueshme, përmes valës së goditjes, nxehtësisë dhe rrezatimit, por ka hapa që mund të ndërmerrni për të reduktuar efektet”, thuhet në udhëzime, duke rekomanduar: “nëse jeni të informuar për një sulm të afërt, futuni menjëherë në ndërtesën më të afërt, mundësisht nën tokë dhe largohuni nga dritaret”.

Udhëzimet vazhdojnë të shpjegojnë sesi pastrohen mbetjet radioaktive, sesi pulsi elektromagnetik mund të dëmtojë pajisjet elektronike dhe si të kërkoni këshilla për evakuimin e mundshëm.

Nëse sulmi merr formën e një sulmi të rregullt bërthamor në vijën e frontit, larg Kievit, atëherë “i vetmi plan veprimi për personelin tonë në Kiev është të hipin në makina dhe të kalojnë kufirin polak brenda disa orësh”, tha një qytetar europian në vend, që punon në program, i cili foli për ‘Politico’ në kushte anonimiteti.

Në rreshtin e parë.

Ushtarëve ukrainas në vijën e frontit u janë dhënë gjithashtu pilula jodid kaliumi dhe janë trajnuar për të reaguar siç duhet në rast të një sulmi bërthamor. Megjithatë, përfaqësuesit e ministrisë së mbrojtjes dhe ushtrisë nuk pranuan të shpjegojnë saktësisht se çfarë përfshin ky trajnim.

“Kërcënimi i përdorimit të një arme bërthamore kundër Ukrainës, apo çdo vendi tjetër në botë do të ekzistojë përsa kohë që Federata Ruse të vazhdojë të ekzistojë”, argumentojnë strukturat shtetërore të Kievit.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Ungjilloret ose Evangjelistet

Next Story

Ukraina i Vendos Rusisë Kushte për Negociata

Latest from Info