Shkupi nga ana e tij thotë se kërcënimet janë “hibride” dhe ky paralajmërim është i tepruar.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë paralajmëroi sot qytetarët gjermanë që të kenë kujdes të shtuar kur udhëtojnë për në Shkup, për shkak të kërcënimeve me bombë.
Në veçanti, rekomandon që qytetarët gjermanë të informohen nga Media të besueshme lokale dhe Media Sociale për situatën aktuale në Shkup dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.
“Kërcënimet me bombë ndaj institucioneve dhe objekteve publike janë regjistruar së fundi në kryeqytetin Shkup. Fillimisht në shënjestër ishin shkollat dhe ndërtesat publike, por që atëherë ka pasur kërcënime me bomba kundër hoteleve dhe ndërtesave të tjera joqeveritare. Më në fund u konsiderua e nevojshme evakuimi në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ku trafiku duhej të ndalohej përkohësisht”, thuhet në këtë paralajmërim të MPJ-së së Gjermanisë.
Shkupi ka marrë disa kërcënime me bombë gjatë dy muajve të fundit, kjo është e vërtetë, por kërcënime të cilat, të gjitha, kanë rezultuar të rreme.
Vetëm dje një kërcënim për bombë ka mbërritur edhe në aeroportin e Shkupit, i cili për masa paraprake është evakuuar dhe fluturimet në mëngjes janë ndërprerë.
Shkupi thotë se kërcënimet janë “hibride”.
Qeveria në Shkup flet për “kërcënime hibride”, të cilat janë intensifikuar që nga koha e luftës në Ukrainë.
“Është pothuajse e pamundur të gjurmohet se nga vijnë këto kërcënime, pasi një pjesë e madhe e tyre mbërrijnë përmes lidhjeve VPN nga jashtë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shkupit, Boujar Osmani, tha sot se vendi ka kërkuar ndihmën e NATO-s për t’u përballur me këto kërcënime hibride.
Osmani vuri në dukje se kohët e fundit ka pasur shumë kërcënime me bomba në rajon, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.