Kanali i Suezit u përurua më 17 nëntor 1869, duke lidhur Mesdheun me Detin e Kuq. Jo zyrtarisht, anija e parë kishte kaluar rreth dy vjet më parë, më 17 shkurt 1867.
Puna për hapjen e kanalit kishte filluar më 25 prill 1859. Qeveria egjiptiane ia besoi projektin një kompanie franceze, të kryesuar nga inxhinieri dhe diplomati Ferdinand De Lesseps. Për përfundimin e tij punuan 1.5 milionë egjiptianë, 125.000 prej të cilëve vdiqën, kryesisht për shkak të kolerës. Përfundimi i kanalit 163 kilometra i gjatë ndryshoi rrënjësisht tregtinë dhe udhëtimin, pasi për të shkuar nga Europa në Azi me anë të detit nuk ishte më e nevojshme të kalonin Afrikën.
Më 26 korrik 1956, presidenti egjiptian Gamal Abdel Nasser vazhdoi me shtetëzimin e Kanalit të Suezit. Një vendim që shkaktoi një protestë ndërkombëtare dhe çoi në të ashtuquajturën Luftë të Suezit, me pjesëmarrjen e Britanisë, Francës dhe Izraelit.
Si rezultat i kësaj lufte, kanali mbeti i mbyllur për disa muaj, ndërsa OKB-ja pranoi sovranitetin e Egjiptit.
Pas “Luftës Gjashtë Ditore” në vitin 1967, kanali u mbyll sërish, deri më 5 qershor 1975.
Sot, rreth 15.000 anije lundrojnë nëpër Kanalin e Suezit çdo vit.