Mrekullia e pashpjegueshme e natyrës, kjo është një Kishë e vogël me 17 pemë brneda saj, në Arkadia, që hyri në librin Guinness.
Rruga për në Agia Theodora Vasta e kompenson vizitorin edhe më shumë, pasi peizazhi është idilik.
Sa më shumë afrohet, zhurma e ujërave që burojnë nga themelet e kishës së vogël bëhet gjithnjë e më e fortë, duke bërë që vizitori të mahnitet nga pamja që më në fund sheh.
Shtatëmbëdhjetë pemë të mëdha mbijnë nga çatia e një kishe të vogël guri në Agia Theodora Vasta, ndërsa ujërat e një burimi burojnë nga themelet e saj.
Ajo feston më 11 shtator, por mijëra pelegrinë e vizitojnë kishëzën gjatë gjithë vitit për të adhuruar dhe admiruar këtë kompleks unik. Një mrekulli e pashpjegueshme e natyrës që dominon këtë peizazh paqësor.
Sa mbresëlënëse është pamja e Kishës së vogël, po aq mbresëlënëse është edhe historia e saj.
Lidhur me martiren Theodhora, emri dhe vepra e së cilës kujtohet çdo vit më 11 shtator në fshatin Vasta të Arkadias, janë dëgjuar histori të ndryshme, kryesisht për mënyrën sesi filloi t’i shërbejë murgjërimit dhe asketizmit.
Dy tregimet më të njohura në lidhje me Shën Theodorën janë si më poshtë: sipas të parës, shenjtorja vinte nga një familje e varfër dhe duke qenë se ishte fëmija më i madh, për shkak të varfërisë financiare të familjes së saj, u detyrua të maskohej si burrë dhe të shërbejë si ushtar mercenar.
Pastaj një e re ra në dashuri me të (si Theodoros tani) dhe duke qenë se nuk pati asnjë përgjigje nga Theodoros, e reja e akuzoi atë se kishte mbetur shtatzënë. Kështu është çuar në tortura nga familja e vajzës.
Sipas versionit të dytë, Shenjtorja vinte nga një fshat në Peloponez, më shumë gjasa nga rajonet e Arkadisë dhe Messinisë. Familja e saj ishte jashtëzakonisht e përulur ndaj Zotit dhe mesa duket kështu u afrua me Zotin. Kulmi i përkushtimit dhe dashurisë së saj për Të, ishte vendimi i saj për të vazhduar jetën e saj në një manastir dhe për t’iu përkushtuar plotësisht Krishtit.
Megjithatë, ndodhi ngjarja paradoksale e mëposhtme:
Shën Theodora preferoi të hynte në një manastir mashkullor dhe jo në një manastir femrash. Megjithatë, në Manastirin e Panagjisë, ku jetonte e maskuar si burrë i quajtur Theodoros, ajo ishte një shembull për t’u ndjekur falë bindjes dhe përulësisë së saj.
Prandaj Ikumeni i kishte besuar asaj detyra jashtëzakonisht të përgjegjshme në Manastir. Gjatë periudhës kur uria goditi rajonin, murgu Theodoros vizitoi shtëpitë e të krishterëve dhe kërkonte ndihma për njerëzit.
Por një nga gratë që e vizitoi e akuzoi se e kishte lënë shtatzënë. Natyrisht, nuk mund të ishte kështu.
Pavarësisht kësaj, Shën Theodora, megjithëse i mohoi akuzat, ndoqi prindërit e gruas në fshatin Vasta të Arkadisë, ku ajo u ekzekutua me prerje koke.
Kur akuzuesit e panë trupin e saj të zhveshur dhe kuptuan se çfarë kishte ndodhur, ata i kërkuan Zotit falje. Sipas traditës, Shën Theodora duket se i është lutur Zotit, para se t’i prehej koka, që flokët e kokës të bëhen pemë, gjaku i saj lumë për t’i ujitur pemët dhe trupin e saj, tempull.
Sipas Mitropolitit Iakovos Kanakis, historia e dytë e jetës së saj është mbizotëruese.
Pater Iakovos shprehet se sipas hulumtimeve të Mitropolisë bazuar në ikonat dhe sinaksarët, Shën Theodora shfaqet kudo si figurë asketike dhe askund si ushtar.
Hetimi i Mitropolisë përqendrohet në dy mundësi për arsyen që e shtyu Shenjtoren të ngujohet në një manastir mashkullor:
a) në këtë mënyrë ajo donte të bënte më shumë dhe beteja aktive asketike dhe
b) në këtë mënyrë do të humbiste plotësisht gjurmët.
Kisha e vogël ndodhet afër Megalopolis dhe është e hapur për publikun nga mëngjesi deri në perëndim të diellit dhe lutjet kryhen në intervale të rregullta.
Mund të cilësohet fare mirë si një mrekulli e natyrës, pasi ndërtesa e vogël është e rrethuar nga 17 pemë që në pamje të parë të vizitorit duket se dalin direkt nga çatia e saj, me trungjet e tyre të degëzuara drejt qiellit. Megjithatë nuk është tamam kështu.
Në fakt, rrënjët e pemëve, duke kaluar nëpër mure, përfundojnë në tokë, ndërsa trungjet dhe degët ngjiten lart dhe gjejnë rrugën e tyre përmes çatisë.
Përsa i përket interierit, mund të themi se është një hapësirë shumë e vogël, modeste, me murale të zbehura nga konsumimi i kohës dhe pa dekorime dhe ekscentrizma murale.
Siç na siguroi Pater Iakovos Kanakis, zyrtarët e Mitropolisë i janë drejtuar inxhinierëve të ndërtimit, por edhe shkencëtarëve të tjerë si arkitektë dhe agronomë, të cilët e konsiderojnë fenomen të pashpjegueshëm shkencërisht që rrapët janë gjetur prej kaq shumë vitesh në këto kushte dhe në këtë pozicion.
Shkencëtarët që janë thirrur e konsiderojnë këtë një fenomen mbrekullie dhe të mbinatyrshëm.
Siç përmendi kleri, pelegrinazhi nuk ka vetëm vizitorë grekë, por zgjon edhe interesimin e vizitorëve të huaj. Mes tyre, sigurisht, do të takoni pelegrinët skeptikë, të cilët përpiqen, siç e përmend në mënyrë karakteristike Pater Iakovos, të gjejnë zgjidhjen “mes gurëve të ndërtesës”, por përfundojnë dhe ëargohen pa mundur përfundimisht të interpretojnë faktin, fenomenin.