Serbët e Bosnjës festuan 32-vjetorin e themelimit të Republikës Serbe (Republika Srpska) duke injoruar paralajmërimet se po shkelte Kushtetutën e Bosnjës dhe po nxiste urrejtje etnike, nën kërcënimin e fluturimeve të F-16-ve amerikanë bënin thirrje se “një shtet serb duhet të krijohet në rajon. Dhe tani pas krijimit të Kosovës, perëndimorët vështirë se mund t’ua mohojnë me argumente juridike“.
Përvjetori i 9 janarit shënon themelimin e Republikës Serbe të Bosnjës në vitin 1992, kur anëtarët serbë të parlamentit boshnjak vendosën të krijojnë një njësi administrative kombëtare që do të mbetej pjesë e Jugosllavisë. Tre muaj më vonë shpërtheu lufta.
Festimi i këtij përvjetori u shpall dy herë jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës sepse “shkakton diskriminim midis komuniteteve etnike” dhe nuk përfaqëson kombet e tjera që përbëjnë Bosnjën, por serbët nuk u tërhoqën pavarësisht presionit ndërkombëtar.
Në qytetin Banja Luka, pasdite, u mbajt një paradë e njësive politike dhe policore në prani të kryetarit të Republikës Srpska Milorad Dodik, përfaqësuesve të partive politike serbe dhe një delegacioni nga Serbia të kryesuar nga kryetari i Kuvendit Vladimir Orliç.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe patriarku serb Porfirios. Anëtarët e degës serbe të organizatës ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës, e cila ka lidhje të ngushta me Kremlinin, morën pjesë në paradë, duke mbajtur flamurin rus.
Në fjalën e tij, Milorad Dodik theksoi se “askush nuk do të mund t’u heqë serbëve të drejtën e lirisë”. Gjatë pritjes zyrtare, Dodik ka përsëritur dje se “qëllimi i popullit serb është shteti serb në këtë rajon”.
Udhëheqësi serb i Bosnjës ka deklaruar vazhdimisht hapur se ai favorizon shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës dhe krijimin e një shteti të pavarur serb, i cili më pas do të bashkohej me Serbinë. Për këtë arsye ai ishte në “listën e zezë” të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
32 vjetorin e themelimit të Republikës Serbe të Bosnjës e ka përshëndetur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Të gjitha ngjarjet në Banja Luka, si dhe parada janë transmetuar drejtpërdrejt nga Televizioni Publik i Serbisë (RTS).
Festimi i 9 janarit si festë kombëtare u dënua nga BE dhe SHBA. Dje, në prag të festimeve, dy avionë amerikanë F-16 kanë kryer disa fluturime mbi territorin e Republikës së Serbisë, si dhe mbi qytetin e Banja Lukës.
Kjo lëvizje u pa si një paralajmërim dhe mesazh nga amerikanët se nuk do të lejojnë tendenca separatiste dhe do të mbrojnë unitetin e Bosnje-Hercegovinës.