Letra e Parë e Apostull Pavlit Drejtuar Timotheut

1 Pavli, apostull i Jisu Krishtit, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, edhe të Zotit Jisu Krisht, shpresës sonë,

2 Timotheut, birit të vërtetë në besim, i qoftë hir, përdëllim, paqe, prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.

3 Sikundër t’u luta të presësh në Efes, kur udhëtoja për në Maqedoni, që të porositësh disa veta të mos mësojnë mësime të tjera,

4 as të mos u vënë vesh përrallave e gjenealogjive të pa fund, të cilat sjellin më shumë grindje se sa ndërtim në besimin e Perëndisë.

5 Edhe fundi i porosisë është dashuri prej zemre të kthjellët, edhe prej ndërgjegjeje të mirë e prej besimi pa hipokrizi,

6 prej të cilave disa nuk ia dolën mbanë e u kthyen në fjalë të kota,

7 duke dashur të jenë mësues ligji, ndonëse s’kuptojnë as ato që thonë, as ato që i bëjnë për të vërteta.

8 Edhe e dimë, se ligji është i mirë, në qoftë se e përdor atë njeriu me ligjshmëri,

9 duke ditur këtë, se ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të paudhët e për të pabindurit, për ata që s’kanë frikë Perëndinë e për mëkatarët, për të pafetë e për përdhosësit, për atëvrasësit e nënëvrasësit, për njerivrasësit,

10 për të përdalët, për ata që shkojnë me meshkuj, për ata që shesin njerëz, për gënjeshtarët, për ata që shkelin betimin, edhe për çdo gjë tjetër që del kundër mësimit të shëndoshë,

11 sipas ungjillit të lavdisë së të lumurit Perëndi, që m’u besua mua.

12 Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua,

13 që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi.

14 Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu.

15 E besueshme është fjala edhe e denjë për t’u pranuar, se Krishti Jisu erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarë, prej të cilëve i pari jam unë.

16 Po prandaj u përdëlleva, që të tregojë Jisu Krishti më përpara tek unë gjithë zemërgjerësinë, si shembull në ata që kanë për t’i besuar atij për jetë të përjetshme.

17 Edhe mbretit të jetëve, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi që është i ditur, i qoftë nder edhe lavdi në jetë të jetëve. Amin.

18 Këtë porosi po të lë në dorë ty, o bir Timothe, sipas profecive që u folën më përpara për ty, që të luftosh sipas tyre luftën e mirë,

19 duke pasur besim edhe ndërgjegje të mirë, të cilën disa duke e hedhur tej ranë e u mbytën.

20 Prej këtyre është Imeneu dhe Aleksandri, të cilët i kam dhënë në dorë të satanait, që të mësohen të mos blasfemojnë.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Çështje Javësh Largimi i Mbretit

Next Story

Feja e Globalistëve

Latest from Info