Letra e Apostull Pavlit Drejtuar Efesianëve

/

Kapitulli 2

1 Edhe ju dha jetë juve, që ishit të vdekur në fajet e mëkatet,

2 në të cilat ecët dikur, sipas jetës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, të frymës që vepron tani tek bijtë e mosbindjes,

3 ndërmjet të cilëve edhe ne të gjithë jetuam dikur sipas lakmive të mishit tonë, duke bërë dëshirat e mishit e të mendimeve tona; edhe ishim prej natyre djem të zemërimit, si dhe të tjerët.

4 Por Perëndia, që është i pasur në përdëllim, për dashurinë e tij të shumtë me të cilën na deshi,

5 edhe duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin; – nga hiri jeni të shpëtuar.

6 Edhe na ngjalli bashkë, edhe na vuri të rrimë bashkë në vendet qiellore me anë të Krishtit Jisu,

7 që të tregojë në jetët që vijnë pasurinë e tepërt të hirit të tij me anë të mirësisë që ka për ne me anë të Krishtit Jisu.

8 Sepse nga hiri jeni të shpëtuar me anë të besimit; edhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë,

9 jo prej veprash, që të mos mburret ndonjë.

10 Sepse jemi krijesë e tij, të krijuar në Krishtin Jisu për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, që të ecim në to.

11 Prandaj sillni ndër mend se dikur ju kombet sipas mishit, të quajtur të parrethprerë prej të quajturve të rrethprerë prej rrethprerjes së bërë me dorë në mish,

12 se në atë kohë ishit pa Krisht, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit, edhe të huaj në dhiatat e premtimit, pa pasur shpresë, edhe të paperëndi në botë.

13 Por tani me anë të Jisu Krishtit ju që ishit dikur larg u afruat me anë të gjakut të Krishtit.

14 Sepse ai është paqja jonë, ai që i bëri të dyja një, edhe rrëzoi murin ndërmjetës të ndarjes,

15 duke shfuqizuar në trupin e tij armiqësinë, domethenë ligjin e porosive urdhëruese, që të ndërtojë në veten e tij nga të dy një njeri të ri, duke bërë paqe,

16 dhe të dy në një trup t’i pajtojë me Perëndinë me anë të kryqit, pasi vrau nëpërmjet tij armiqësinë.

17 Edhe si erdhi predikoi ungjillin e paqes tek ju që ishit larg, edhe tek ata që ishin afër,

18 sepse me anë të tij që të dy afrohemi në një Frymë tek Ati.

19 Prandaj nuk jeni më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë;

20 sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku gur qosheje është vetë Jisu Krishti,

21 në të cilin e gjithë ndërtesa e lidhur bashkë rritet në një tempull të shenjtë në Zotin,

22 në të cilin edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të qenë banesë e Perëndisë me anë të Frymës.

Previous Story

Netaniahu: Do të Vendosim Vetë, do të Bëjmë Atë që Është e Nevojshme për t'u Mbrojtur!

Next Story

Senatorja Amerikane Republikane Godet SHBA-në & Ukrainën me Një Amendament

Latest from Info