“Je i arrestuar, gjenerali im!”
Nga sulmi në pallatin presidencial, tek arrestimi i organizatorit.
Kreu i forcave të armatosura të Bolivisë u shkarkua dhe u arrestua të mërkurën, pasi mblodhi burra dhe tanke jashtë pallatit presidencial në La Paz duke pretenduar se ai donte “të ristrukturonte demokracinë”, me presidentin bolivian Luis Arce që denoncoi një përpjekje për grusht shteti.
Gjenerali Juan Jose Zuniga u arrestua teksa fliste me gazetarët jashtë një kazerme në La Paz, pasi ishte tërhequr me trupat e tij nga sheshi Murillo përballë pallatit presidencial, të cilin ata e kishin pushtuar për orë të tëra.
“Ju jeni i arrestuar”, tha Sekretari i Brendshëm Johnny Aguilera teksa u shoqërua nga policia, sipas pamjeve të transmetuara në televizionin shtetëror. Gjenerali u dërgua në selinë e një njësie speciale të policisë për t’u marrë në pyetje nga prokuroria, e cila e akuzon atë për terrorizëm dhe rebelim të armatosur.
Para arrestimit të tij, Zuniga u tha gazetarëve se po vepronte me urdhër të Arce, i cili i kërkoi të dielën “të përgatiste diçka” për të rritur popullaritetin e tij.
Dje gjenerali dhe njerëzit e tij marshuan nëpër rrugët e La Paz në Plaza Murillo, ku pozicionuan tetë tanke dhe hodhën gaz lotsjellës ndaj kujtdo që përpiqej të afrohej.
“Mblidhni të gjitha forcat përnjëherë, është urdhër. Është një komandë. Gjeneral, nuk ke ndërmend të më bindesh?” i tha Presidenti Arce, Zunigas.
Arce më pas denoncoi tek rrjeti X: “lëvizjet e parregullta të disa njësive të ushtrisë boliviane. Demokracia duhet respektuar”, theksoi presidenti. Sipas gazetarëve të AFP, një tank u përpoq të rrëzonte derën metalike të Palacio Quemado, selia presidenciale, ku Zuniga hyri për pak kohë përpara se të dilte sërish.
I rrethuar nga ushtarë, gjenerali deklaroi se “forcat e armatosura po përpiqen të ristrukturojnë demokracinë, ta bëjnë atë një demokraci të vërtetë. Jo atë të të paktëve, jo atë të bosave që kanë qeverisur vendin për 30-40 vjet”. Nga pallati presidencial, Arce shkarkoi Zunigan dhe emëroi një komandë të re të forcave të armatosura.
“Ne po përballemi me një përpjekje për grusht shteti nga ushtarët që çnderojnë uniformën”, u ankua presidenti bolivian gjatë ceremonisë së betimit. Ish presidenti Bolivian Evo Morales (2009-2019) gjithashtu denoncoi për X se “po përgatitet një grusht shteti” dhe bëri thirrje për një “mobilizim kombëtar në mbrojtje të demokracisë”.
Ushtria u tërhoq në mbrëmje. Sapo u larguan, Arce doli në ballkonin e pallatit presidencial për të përshëndetur mbështetësit e tij, qindra prej të cilëve ishin mbledhur në shesh. “Askush nuk mund të na vjedhë demokracinë që kemi fituar”, theksoi ai.
Thashethemet
Thashethemet kanë qarkulluar që nga e marta se, gjenerali Zuniga, i cili ka qenë në këtë post që nga nëntori i viti 2022, mund të shkarkohet.
Në një intervistë televizive të hënën, Zuniga tha se do të arrestonte Morales nëse do të përpiqej të kandidonte për president në vitin 2025, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor 2023 se, ai nuk mund ta bënte këtë.
“Nga pikëpamja juridike është i skualifikuar, nuk mund të jetë më president i këtij vendi”, kishte theksuar gjenerali.
Ushtria “është krahu i armatosur i vendit dhe ne do ta mbrojmë Kushtetutën me çdo kusht”, shtoi ai.
Partia në pushtet e Bolivisë, Lëvizja për Socializëm (MAS), është thellësisht e ndarë mes Arce dhe Morales, të cilët dikur ishin aleatë, por tani rivalë përpara zgjedhjeve të 2025-ës.
Morales pretendon se MAS do të ketë kandidat të partisë në zgjedhje, ndërsa Arce ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij.
Reagimet
Udhëheqësit e Kilit, Ekuadorit, Perusë, Meksikës dhe Kolumbisë bënë thirrje që të respektohet demokracia, ndërsa presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva shkroi në X: “Unë e dua demokracinë dhe dëshiroj që ajo të mbizotërojë në të gjithë Amerikën Latine”.
Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka denoncuar një tentativë “grusht shteti në Bolivi”, të organizuar “nga e djathta ekstreme së bashku me një ushtri tradhtare”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” dhe SHBA tha se po monitoronte situatën “nga afër” dhe bëri thirrje për qetësi, sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë.