Jetë & Vdekje

/

Ekziston vetëm një gjë që Zoti e kundërshton dhe ajo është çdo gjë që shkakton dhimbje dhe shkatërrim. Vetë mëkati hyn në këtë kategori. Apostull Pali thotë: “Dashuria nuk bën dëm…”. Le të ndalemi këtu për një moment përpara se të lexojmë pjesën tjetër të vargut. Ju lutemi vini re se është natyra e dashurisë, që të mos bëjë asnjë dëm. Ky është parimi bazë i një realiteti që përfshin dashurinë. Sipas definicionit, është jo e dhunshme dhe si rrjedhim pa dhimbje. Dashuria është vullneti, motivimi, pasioni për të bërë vetëm atë që është e mirë dhe e drejtë në raport me të gjitha të tjerat. Le të përfundojmë tani thënien e Palit: “Dashuria nuk i bën dëm të afërmit, kështu që dashuria është përmbushja e ligjit” (Romakëve 13:10). Ligji i Perëndisë këtu përshkruhet si ligji i dashurisë, siç është në të gjithë Biblën.

Arsyetimi themelor është se qeniet njerëzore fillimisht janë krijuar nga Krijuesi për të dashuruar mbi një bazë heterocentrike, në vend që të jenë të përqendruar te vetja. Ne nuk jemi thjesht makina biologjike të mbijetesës, apo riprodhimit, por më tepër jemi qënie shpirtërore të krijuara për lumturi dhe marrëdhënie të mrekullueshme. Ne lulëzojmë në një mjedis etik të besimit, ndershmërisë, besnikërisë dhe mbi të gjitha integritetit. Kjo është mënyra sesi ne e bazojmë formën tonë. Jemi krijesa, qënie të krijuara për një cilësi dashurie që nuk bën dëm.

Në të kundërt, çdo gjë që kundërshton dashurinë shkakton dhimbje dhe për këtë arsye është e dënuar me harresë. “…kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje” (1 Joani 3:14). Sipas apostull Joanit, vdekja lidhet drejtpërdrejt me mungesën e dashurisë. Dashuria është përmbajtja thelbësore e jetës në mënyrën sesi Perëndia e bëri jetën të funksionojë. Vdekja gjendet aty ku mungon dashuria. Shkenca moderne e njëzet viteve të fundit e vërteton këtë të vërtetë biblike. Sot mbi bazën e të dhënave të matshme shkencore, dimë dhe njohim se natyra njerëzore është krijuar për të jetuar dhe për t’u rritur në forma të sjelljes së dashurisë vetëmohuese dhe se çdo gjë që vjen nga karakteri i mungesës së dashurisë, është në thelb kundër jetës dhe për këtë arsye i afrohet vdekjes. Duke bërë këtë zbulim, shkencëtarët në mënyrë të pandërgjegjshme justifikojnë ligjin e Zotit, si të vërtetën e prekshme që mbështet të gjithë realitetin.

Pasi bëri deklaratën e tij për vdekjen si një fenomen i mungesës së dashurisë, Joani vazhdon duke na dhënë ndoshta thënien më gjithëpërfshirëse dhe më kuptimplote në Bibël rreth asaj se kush është Perëndia dhe sesi Ai e krijoi jetën njerëzore për të funksionuar:

“…Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në unitet me Zotin dhe Zoti qëndron në unitet me të.” (1 Joanit 4:16).

Dashuria e Zotit është blloku ndërtues i jetës. Të qënit i përqendruar te tjetri është parimi me të cilin mbështetet jeta në sistemin e Perëndisë. Dashuria është jetë dhe jeta është dashuri, me përkufizim. Jeta është një realitet i qeverisur nga ligji dhe ligji mbi të cilin ajo vepron është dashuria. Dashuria e Zotit është rregulli i jetës dhe për këtë arsye dashuria e Zotit është shkas për jetën.

Përkundrazi, të gjitha mendimet, ndjenjat dhe sjelljet që janë në kundërshtim me dashurinë e çojnë shpirtin me hapa të vegjël drejt vdekjes. Vdekja zë një vend në shpirt në atë masë saqë ne e dorëzojmë veten në gjërat egoiste. Vdekja përbëhet nga gjëra të tilla si urrejtja, zemërimi, lakmia, shqetësimi, thashethemet, xhelozia, pasionet dhe mungesa e besimit. Kjo është arsyeja pse Apostull Pali thotë: “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Duke thënë këtë, ai nuk dëshiron të na përcjellë një kërcënim arbitrar, por më tepër të përshkruajë lidhjen e dhënë midis mëkatit dhe vdekjes. Për të qenë absolutisht i qartë, Pali më vonë zbulon në një gjuhë më specifike marrëdhënien sistematike midis mëkatit dhe vdekjes, duke demonstruar se mëkati është një “ligj”, një parim dhe veprimtari lëvizëse që të çon në “vdekje” (Romakëve 8:2). Më pas ai thotë qartë se, “…të kesh mendje trupore është vdekje…” (Romakëve 8:6). Në të kundërt, ai thotë: “…ndërsa mendja e Frymës është jeta dhe paqja” (Romakëve 8:6). Në vazhdim, ai sqaron pse vdekja është e pandashme nga mëkati: “Sepse mendja e mishit është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7). Pali e drejton edhe një herë vëmendjen tonë te ligji i Perëndisë, si kodi i jetës. Mëkati të çon në vdekje pikërisht sepse është në armiqësi me Perëndinë dhe ligjin e Tij. Ashtu si Pali, e gjithë Bibla shpjegon se ligji i Perëndisë është një pasqyrim i karakterit të Tij, i cili është dashuri vetëmohuese dhe mëkati është “shkelje e ligjit”, ose me fjalë të tjera, rebelim kundër ligjit të Tij.

Mëkati është çoroditja ose kthimi i shpirtit nga orientimi i tij i projektuar Hyjnor në një orientim të korruptuar të brendshëm. Kur Pali thekson se mëkati i dëmton të tjerët, ai do të thotë se mëkati i shërben vetes në kurriz të të tjerëve. Kur thotë se “dashuria është përmbushja e ligjit” do të thotë se ata që jetojnë brenda parametrave të ligjit të Zotit, jetojnë për Zotin dhe për të tjerët, para dhe mbi veten e tyre. Kështu, mëkati është ligji i vdekjes dhe dashuria është ligji i jetës.

Previous Story

Kjo Nuk Ka Ndodhur më Parë: Kina "Bleu" Një Vend të Tërë, në Azi!

Next Story

Ditari i të Riut John F. Kennedy Zbulon Admirimin e tij për Hitlerin!

Latest from Info