Takimi Putin-Orban nën maskën e Ukrainës, por me një interes të vërtetë në Transkarpatia.
Dyert e mbyllura dhe filetoja e “Zaparkatska Oblast”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka bërë një vizitë të papritur në Rusi. Udhëtimi i tij vjen disa ditë pasi ai udhëtoi për në Kiev për t’i kërkuar liderit ukrainas Volodimir Zelenski të marrë në konsideratë një armëpushim të menjëhershëm me Moskën dhe të fillojë bisedimet e paqes.
Ndërsa Hungaria mban presidencën e rradhës të BE-së, vizita e Orbanit në Rusi për bisedime, ka tërhequr kritika të ashpra nga zyrtarë të lartë në bllok, pavarësisht se kryeministri insistoi më herët gjatë ditës se, ai nuk përfaqëson bllokun.
“Hungaria është një shtet sovran” u tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto gazetarëve rusë të premten kur u pyet për kritikat e Brukselit për vizitën e delegacionit hungarez në Moskë.
“Mos i ngatërroni politikanët pro luftës, me njerëzit në Europë”, tha ai.
E vërteta që nuk zbulohet pas dyerve të fshehura është se Orbani është i interesuar për “fileton transkarpatiane”, veçanërisht tani që duke pasur parasysh përparimin e ngadaltë por të qëndrueshëm të rusëve, “lisi bie kur njeriu del për dru” vlen për Ukrainën.
Transkarpathia është një rajon historik në kufirin midis Europës Qendrore dhe Lindore, i vendosur kryesisht në rajonin Zakarpattia (ose Zakarpatska) të Ukrainës perëndimore, me pjesë më të vogla në Sllovakinë lindore (kryesisht në rajonin e Presovit dhe rajonin Košice) dhe në Lemko, rajon në Poloni.
Nga pushtimi hungarez i pellgut të Karpateve (fundi i shekullit të 9-të) deri në fund të Luftës së Parë Botërore, pjesa më e madhe e kësaj zone ishte pjesë e Mbretërisë së Hungarisë. Në periudhën ndërmjet luftërave, ajo u bë pjesë e Republikës së Parë dhe të Dytë Çekosllovake.
Para Luftës së Dytë Botërore, rajoni u aneksua nga Mbretëria e Hungarisë edhe një herë kur Gjermania shpërbëu Republikën e Dytë Çekosllovake. Pas luftës, ajo u aneksua nga Bashkimi Sovjetik dhe u bë pjesë e Republikës Sovjetike Socialiste të Ukrainës.
Që nga viti 2015, ligjet për gjuhën, median, arsimin e mesëm dhe të lartë dhe pakicat kombëtare autoktone, si dhe ligji i ri për komunitetet kombëtare i miratuar në dhjetor 2022, kanë sjellë ndryshime, duke kufizuar vazhdimisht të drejtat e hungarezëve që jetojnë në Ukrainë.
Ekspertët kanë vënë në dukje se këto ndryshime ishin shkelje të të drejtave dhe antikushtetuese dhe nuk arritën të mbanin ritmin me standardet europiane të pakicave demokratike dhe të të drejtave të njeriut.
Transkarpathia dhe kërkesat e Orbanit
Ndërsa Bashkimi Europian fillon negociatat e pranimit me Ukrainën, presidenca hungareze e Këshillit të BE-së nga 1 korriku deri më 31 dhjetor rrezikon të vonojë proçesin, me të drejtat e pakicave, një pikë kyçe mosmarrëveshjeje.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka akuzuar prej kohësh qeverinë ukrainase për shkelje të të drejtave të hungarezëve që jetojnë në rajonin Transkarpatian të Ukrainës, për të folur gjuhën e tyre amtare në arsim dhe administratën publike.
Sipas regjistrimit të vitit 2001, hungarezët përbënin 12% të të gjithë rajonit jugperëndimor (rreth 150.000 njerëz), megjithëse shumë prej tyre kanë emigruar që nga fillimi i pushtimit rus, nga frika e rekrutimit ukrainas.
Qeveria e Orbanit ka bllokuar fondet thelbësore të BE-së për Ukrainën dhe kërcënoi të bllokojë përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me bllokun, duke i sjellë marrëdhëniet diplomatike në një nivel alarmant.
Mosmarrëveshja i ka rrënjët në përpjekjet e Ukrainës për të forcuar identitetin e saj kombëtar pasi forcat e mbështetura nga Rusia morën pjesërisht kontrollin e rajonit lindor të Donbasit në vitin 2014 dhe Moska aneksoi Krimenë.
Në vitin 2017, Kievi miratoi një ligj për të forcuar gjuhën kombëtare, duke e bërë të detyrueshëm studimin e gjuhës ukrainase pas klasës së pestë. Megjithëse synonte kryesisht rusishten, gjuhët e folura nga pakicat e tjera si polakët, hungarezët, rumunët, sllovakët dhe grekët që jetonin në Ukrainë, u prekën në mënyrë të pashmangshme.
Një amendament i mëvonshëm specifikoi se 100% e arsimit mund të jetë në një gjuhë të pakicës së BE-së nga klasa e parë deri në katër. Nga klasa e pestë, të paktën 20% e kohës së studimit duhet të jetë në gjuhën ukrainase, duke u rritur gradualisht në 40% në klasën e nëntë dhe 60% në klasën e dymbëdhjetë.
Ndërkohë, minoriteti hungarez ka krijuar një rrjet shkollash private në Transkarpati, ku nxënësit studiojnë vetëm në hungarisht.
Në dhjetor, disa liderë të pakicës hungareze në Ukrainë i kërkuan Orbanit të mos bllokonte anëtarësimin e Ukrainës në BE, duke theksuar “përparim të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian për të mbrojtur të drejtat e pakicave kombëtare”.
Në janar 2024, ministri i jashtëm hungarez Péter Szijártó bëri thirrje për “kthimin në pakicën e saj etnike të drejtat që gëzonte deri në vitin 2015” pas bisedimeve në Uzhhorod me homologun e tij ukrainas Dmitro Kuleba.
Në mars 2024, Hungaria i dërgoi Kievit dhe vendeve anëtare të BE-së një listë me njëmbëdhjetë kërkesa të reja, duke paraqitur pretendimet e saj në lidhje me pakicën e saj në Ukrainë.
Por dokumenti, që nuk u bë publik, përfshinte krijimin e një statusi të veçantë për shkollat hungareze, mundësinë e përdorimit të gjuhës hungareze në dokumentet zyrtare dhe komunikimin me shtetin, si dhe emërimin e një përfaqësuesi hungarez në parlamentin ukrainas për të siguruar përfaqësim politik.
Edhe pse Ukraina nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë, Budapesti ka lëshuar prej kohësh pasaporta për pakicën hungareze. Qeveria dhe disa fonde të lidhura me Orbanin kanë investuar miliarda në rajon duke mbështetur aktivitete kulturore dhe sociale, shpesh të ndërthurura ngushtë me politikën.
Udhëtimet në Kiev dhe Moskë dhe “marrëdhënia e ndaluar” Orban-Putin
Më 2 korrik, Orban vizitoi Kievin dhe ngriti çështjet e mësipërme. Megjithëse të dy udhëheqësit nuk ranë dakord për të gjitha kërkesat, u diskutua mundësia e hapjes së një shkolle ukrainase në Budapest dhe vazhdimit të financimit të arsimit në gjuhën ukrainase në Hungari, veçanërisht për fëmijët refugjatë ukrainas. Kjo do të krijonte barazi dhe do t’i bënte më realiste ndryshimet në legjislacionin arsimor të Ukrainës.
Orbán ngriti gjithashtu çështjen e rimëkëmbjes së pasluftës në Ukrainë dhe rolin e kompanive hungareze në të.
Me vizitën e tij të sotme në Moskë, nën maskën e ndërmjetësimit të luftës në Ukrainë, Orbán tashmë e dinte se fati i pakicës hungareze, si dhe i gjithë “filetos” së Transkarpatisë, do të varet nga Putini në të ardhmen dhe se rusët, presidenti pra, do ta kenë fjalën e fundit.
Qysh në intervistën e tij me Tucker Carlson në shkurt, Putin ia hapi derën Orbanit duke thënë: “Shkova në qytetin Berehove [në Transcarpatia] (Beregszász në hungarisht). Të gjithë emrat e qyteteve dhe fshatrave ishin në rusisht dhe një gjuhë që nuk e kuptoja: hungarisht. Në Rusisht dhe Hungarisht. Jo në ukrainisht, në rusisht dhe hungarisht”.
I pyetur nga Carlson nëse i kishte premtuar Orbanit, Transkarpatinë, presidenti rus u përgjigj: “Kurrë, nuk ia kam thënë kurrë. As edhe një herë. As që kemi folur për të. Por unë me të vërtetë e di me siguri se hungarezët që jetojnë atje duan të rimarrin tokat e tyre historike”.
Për më tepër, në një fjalim dhjetorin e kaluar ai deklaroi se rajonet kufitare të Ukrainës Perëndimore, dikur të aneksuara nga Stalini nga Polonia, Hungaria dhe Rumania do të ktheheshin, me Rusinë që luante rolin e garantuesit. Kjo do të thotë se Transkarpatia do të kthehet në Hungari, Galicia në Poloni dhe Bukovina në Rumani.
Orbán e di dhe e sheh se Putini po flet për revizionizëm dhe në këtë kontekst të revizionizmit, ai mund të nxjerrë shkëmbime, gjë që nuk do të ishte e mundur para luftës në Ukrainë. Kështu, Orbán është një tjetër hallkë e dobët e NATO-s dhe BE-së, një tipar që Putini po e shfrytëzon si një derë të pasme, ndërsa i lë dyert e tyre të hapura, ndaj pretendimeve të ardhshme territoriale hungareze, për dhe në Ukrainë.