Në fund të vitit 2013, legjenda gjermane e Formula 1 pësoi aksidentin e tij në ski, që i ndryshoi jetën.
Sipas mediave gjermane, Michael Schumacher bëri daljen e tij të parë publike pas 11 vitesh teksa mori pjesë në dasmën e vajzës së tij Gina.
Aksidenti i solli ulje-ngritje të vazhdueshme. Schumacher ishte në koma për muaj të tërë duke luftuar për të qëndruar gjallë dhe që nga shtatori 2014 u kthye në shtëpi, por jo në kushtet që ai dhe familja e tij do të donin.
Bashkëshortja e tij, Korina, është shumë e kujdesshme që të rrjedhë sa më pak informacion për gjendjen e “Shumit” (siç e quajnë në familje), të cilën dinë të paktët që kanë mundësi ta vizitojnë dhe të kalojnë kohë me të.
Në përgjithësi, rreth Schumacher-it tashmë është krijuar një mister, por mediat gjermane pohojnë se këtë herë ka pasur më shumë persona që kanë pasur rastin ta shohin, pasi thuhet se ka marrë pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina. Aty nuk kanë qenë vetëm familjarët por edhe të ftuar të tjerë, por kjo nuk do të thotë se do të rrjedhë ndonjë foto apo video.
Arsyeja? Familja e Schumacher ua kishte bërë të qartë mysafirëve se do të duhet të linin celularët në hyrje që të mos regjistrohej asgjë.