Zyrtarët amerikanë u drejtuan në bunkerin e hotelit.
Një raketë e Hezbollahut ra pranë hotelit ku Sekretari amerikan i Shtetit A. Blinken po qëndronte në Tel Aviv, pa u bërë e qartë nëse organizata shiite tentoi të kryente një sulm që do t’i vinte flakën botës.
Dy raketa nga Libani u rrëzuan nga Forcat Ajrore izraelite, tha IDF, ndërsa alarmi për sulm ajror u dëgjua në Tel Aviv gjatë një vizite të Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në qytet.
Rrëzimi i raketave erdhi menjëherë pasi forcat izraelite kapën dy dronë të gjuajtur nga lindja, që synonin portin Eilat në Detin e Kuq, tha ushtria izraelite.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i ka kujtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netaniahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallad se një embargo e armëve është “ende në tryezë”, nëse forcat izraelite dështojnë të përmbushin angazhimet e tyre për të ofruar ndihmë humanitare për Rripin e Gazës.
Në veçanti, kreu i diplomacisë amerikane, duke folur sot para gazetarëve para nisjes së tij nga Izraeli me destinacion Arabinë Saudite, zbuloi se “ai do të ndjekë atë që parashikon ligji” për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Tel Aviv, për shkak të krizës humanitare në Gaza.
Antony Blinken u takua me Netaniahun dhe Galand, ku në axhendë përfshihej ndër të tjera paralajmërimi i SHBA-së për vendosjen e embargos së armëve ndaj Izraelit, nëse nuk zgjidh krizën humanitare të shkaktuar në Gaza brenda 30 ditëve, siç thuhet në letrën e marrë nga Tel Aviv në mes të tetorit.
Blinken ka thënë se që nga dita që i kemi dorëzuar letrën Izraelit “kemi parë progres në ofrimin e ndihmës humanitare, megjithatë nuk mjafton dhe duhen përpjekje të mëtejshme”, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëroi Izraelin të mos e përshkallëzojë konfliktin me Iranin dhe Hezbollah-un.
“Ishte gjithashtu e domosdoshme për ne që të përpiqemi të sigurohemi që ky konflikt të mos përhapet. Ne jemi të vendosur të mbrojmë Izraelin kur bëhet fjalë për sulmet që ai merr nga Irani dhe nga organizatat e mbështetura nga Teherani”, tha Blinken.
Në fund, ai shtoi: “Qëndrojmë pranë Izraelit dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë tij dhe mbrojtjes së tij, por është po aq e rëndësishme që Izraeli të përgjigjet në mënyra që nuk krijojnë përshkallëzim të mëtejshëm dhe nuk rrezikojnë zgjerimin e konfliktit me Hezbollah-un dhe Libanin në rajonin më të gjerë”.