Londra dënon kërcënimet!
Qeveria britanike dënoi sot “kërcënimet” e ish presidentit rus Dmitri Medvedev ndaj gazetës britanike ‘The Times’, e cila në editorialin e saj e cilësoi vrasjen e zëvendës gjeneralit rus Igor Kirillov si një akt “legjitim”.
Kirillov u vra jashtë ndërtesës së banesës ku jetonte me ndihmësin e tij, kur shpërtheu një bombë e vendosur në një patinë elektrik. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), i cili akuzon Kirillov për përdorimin e armëve kimike kundër ushtarëve ukrainas, të cilin Moska e mohon, mori përgjegjësinë për vrasjen.
Kremlini akuzoi Kievin për një “akt terrorist” dhe Medvedev tha se udhëheqja ukrainase do të vuante hakmarrjen për vrasjen.
Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, shkroi në një postim në Telegram se gazetarët e ‘The Times’ tani ishin “objektiva legjitime ushtarake” pasi gazeta mbrojti vrasjen e gjenerallejtant Igor Kirillov.
“Autorët e krimeve kundër Rusisë (…) kanë gjithmonë bashkëpunëtorë. Dhe këto tani janë objektiva legjitime ushtarake. Midis tyre mund të jenë çakejtë e mëshirshëm të ‘The Times’, të cilët si frikacakë fshiheshin pas një editoriali. Domethënë i gjithë ekipi drejtues editorial”, ka shkruar ish presidenti i Rusisë, i njohur për deklaratat e tij ndezëse dhe kërcënimet e shpeshta, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Pra, kini kujdes! Në fund të fundit, gjithçka mund të ndodhë në Londër…”, shtoi Medvedev.
Në artikullin e sotëm, ‘The Times’, një gazetë britanike e qendrës së djathtë, gjykoi se vrasja e zëvendës gjeneralit rus ishte “një akt vetëmbrojtjeje nga ana e një vendi të kërcënuar”.
“Përveçse kriminel lufte, Kirillov ishte edhe gënjeshtar në shërbim të barbarisë”, thekson kryeartikulli, që është edhe qëndrim i gazetës.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer denoncoi komentet e Medvedev, duke thënë se ato ishin “shembulli i fundit i dëshpërimit retorik që vjen nga qeveria e (Vladimir) Putinit”.
“Ndryshe nga Rusia, shtypi i lirë është një gur themeli i demokracisë sonë dhe ne e marrim shumë seriozisht çdo kërcënim nga Rusia”, shtoi zëdhënësi britanik.
Sekretari i Jashtëm David Lammy i përshkroi komentet e ish presidentit rus si “kërcënime hajduti”.
“Gazetat tona përfaqësojnë vlerat më të mira britanike: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e mendimit. Unë qëndroj pranë ‘The Times’”, tha Lammy në një postim në X, shoqëruar me një foto të tij duke lexuar gazetën britanike.
Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione në tetor kundër gjeneralit Kirillov “për zhvillimin e armëve kimike barbare në Ukrainë”.
Londra ka qenë një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë dhe financiarë të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus, në shkurt 2022.