Një film ndërkombëtar që do të trajtojë luftën e Kosovës pritet të mbledhë dhjetëra aktorë të famshëm të Hollywood-it, përfshirë legjendën e kinemasë Robert De Niro.
Lajmi u bë i ditur nga producenti kosovar Fitim Krasniqi, i cili prej vitesh ka bërë filma për tregun ndërkombëtar.
Projekti i ri, sipas tij, do të bazohet në një histori shumë personale, në historinë e trishtueshme të babait të tij, të lidhur me një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës në Kosovë.
Krasniqi konfirmoi se Robert De Niro do të luajë rolin e babait të tij.
“Është historia e babait tim, masakrës së Reçakut dhe luftës që ndodhi në Kosovë nga fillimi deri në fund”, deklaroi ai.
Producenti gjithashtu ndau me emocion historinë e dhimbshme të fatit të babait të tij, i cili u plagos dhe më pas u dogj i gjallë gjatë luftës, një histori që tani do të transformohet në një film me një mesazh të fuqishëm njerëzor.
Krasniqi pohoi se 71 aktorë të Hollywood-it do të marrin pjesë në këtë projekt, përfshirë Robert De Niron, dhe se të gjitha kontratat janë nënshkruar.
Xhirimet e filmit pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, edhe pse ishin planifikuar të fillonin këtë vit, por janë spostuar për arsye organizative.


