“Vendosja e tarifave do të dëmtonte marrëdhëniet transatlantike në tërësi dhe do të çonte në një trend të rrezikshëm në rënie.”
Një paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj Presidentit të SHBA-ve Donald Trump u drejtua me terma të rrepta nga Presidenti i Eurogrupit Kyriakos Pierrakakis, në lidhje me kërcënimet e presidentit të SHBA-ve për të vendosur tarifa për produktet europiane, nëse ata nuk e lejojnë atë të marrë Groenlandën.
Pas përfundimit të takimit të Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis tha se, “edhe pse Groenlanda dhe kërcënimet për tarifa shtesë nga Donald Trump nuk u përfshinë zyrtarisht në axhendën e sotme të Eurogrupit, diskutimi në mënyrë të pashmangshme u zhvillua nën peshën e zhvillimeve të fundit”.
Presidenti i Eurogrupit tha se: “për Evropën, integriteti territorial dhe sovraniteti nuk janë vetëm pozicione politike, por parime themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Parime që janë thelbësore jo vetëm për shtetet anëtare të BE-së, por për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi.
Në këtë kontekst, dialogu mbetet kyç, si një mjet bazë për deeskalimin, ndërsa vendosja e tarifave do të dëmtonte marrëdhëniet transatlantike në tërësi dhe do të çonte në një spirale të rrezikshme në rënie.
Europa thirret t’i adresojë këto sfida e bashkuar, në mënyrë të koordinuar dhe me angazhim për të mbrojtur sovranitetin e saj.”
Ai theksoi se Këshilli i jashtëzakonshëm Europian i mbledhur të enjten, më 22 janar, për të vlerësuar situatën është me rëndësi të veçantë.
Nga ana e tij, Komisioneri i Financave i BE-së, Valdis Dombrovskis, tha se “ne duam të shmangim skenarët negativë, por jemi gati të reagojmë, në rast që nuk mund të gjenden marrëveshje konstruktive. Kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Groenlandës janë të papranueshme.
BE-ja kërkon bashkëpunim konstruktiv me SHBA-të, por mbetet e gatshme të reagojë.”
I pyetur nëse BE-ja ka vullnetin politik për t’u hakmarrë nëse është e nevojshme, ai u përgjigj se “të gjitha mjetet janë në tryezë”.
Megjithatë, ai përsëriti se BE-ja preferon dialogun, “por mban hapur mundësinë e përdorimit të mjeteve të tjera”.


