Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, lëshoi të mërkurën sulme të reja kundër aleatëve tradicionalë të SHBA-ve, duke i akuzuar ata për mosveprim në frontin e zjarrtë të Lindjes së Mesme. Në sfondin e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, pas operacionit ushtarak SHBA-Izrael, Trump nënkuptoi qartë se Uashingtoni po e shqyrton seriozisht mundësinë e tërheqjes dhe lënies së kostos së sigurisë partnerëve “mosmirënjohës”.
Përmes rrjetit të tij, Truth Social, presidenti i SHBA-ve pyeti publikisht se çfarë do të ndodhte nëse amerikanët “do të mbaronin” me regjimin iranian dhe do t’i linin vendet e varura nga Ngushtica të nxirrnin gjarprin nga vrima. Në fakt, ai argumentoi me tonin e tij të njohur se një veprim i tillë do t’i detyronte disa nga aleatët e NATO-s të mobilizoheshin “shumë shpejt”.
Thelbi i mosmarrëveshjes mbetet refuzimi i shumicës së vendeve anëtare të NATO-s për t’u përfshirë drejtpërdrejt në operacionin ushtarak kundër Iranit. Trump komentoi me ashpërsi se, megjithëse pothuajse të gjithë pajtohen që Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore, pak janë të gatshëm të ndyjnë duart në fushën e betejës, duke ekspozuar kështu përçarjen e thellë që ekziston brenda Aleancës.
Trump është duke bërë një listë miqsh dhe armiqsh brenda NATOs dhe kjo do të thotë se Aleanca është e marrë fund, edhe sikur asnjë të mos largohet.


