“Është shumë e rrezikshme!”
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e bëri të qartë gjatë ndërhyrjes së saj në Senatin e Romës, se qeveria italiane “nuk është në asnjë mënyrë në favor të dërgimit të forcave ushtarake nga vendet e BE-së në Ukrainë, sepse kjo do të çonte në një kulmim të tensionit”.
“Është shumë e rrezikshme dhe duhet shmangur me çdo kusht”, tha ajo.
Duke iu kthyer Lindjes së Mesme, Meloni theksoi se qeveria në Romë do të përsërisë kundërshtimin e saj ndaj një operacioni tokësor izraelit në Rafah, i cili mund të ketë pasoja edhe më shkatërruese për civilët në territor.
Në të njëjtën kohë, Georgia Meloni theksoi se në Samitin Europian të nesërm në Bruksel, qeveria e saj “do të përsërisë se ndihma humanitare duhet të dorëzohet në kushte të sigurta dhe se Italia mbështet iniciativën e korridorit detar nga Qiproja në Gaza, me qëllim dërgimin e këtyre ndihmave” duke ditur sigurisht “se gjithmonë ka nevojë për rrugë të reja tokësore, të cilat mbeten të një rëndësie parësore”.
Së fundmi, kreu i qeverisë italiane shprehu shqetësimin e saj për atë që po ndodh në Detin e Kuq dhe “shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë” për Marinën e vendit të saj dhe për ekuipazhin e anijes Caio Duilio, e cila ndodhet në ujërat pranë Detit të Kuq. “Anija jonë u detyrua të neutralizojë një sulm me dron dhe e bëri këtë menjëherë dhe në mënyrë efektive”, përfundoi Meloni.