“Rruga drejt paqes do të thotë më shumë armë në Ukrainë.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkoi që Kina të paguajë çmimin për mbështetjen e saj për Rusinë, ndërsa inkurajoi aleancën ushtarake perëndimore që të sigurojë më shumë armë për Ukrainën.
“Mund të duket paradoksale, por rruga drejt paqes do të thotë më shumë armë për Ukrainën”, tha shefi i NATO-s në një fjalim në Qendrën Wilson, një institut në Uashington.
Stoltenberg, i cili së shpejti do të largohet nga posti i Skretarit të Përgjithshëm të NATO-s, po viziton Uashingtonin për t’u përgatitur për Samitin e Aleancës Atlantike që do të mbahet në kryeqytetin amerikan në korrik.
Ai do të pritet pasdite në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Joe Biden.
Duke nënvizuar se “Kina po nxit konfliktin më të madh të armatosur në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe “në të njëjtën kohë ajo dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Perëndimin”, Stoltenberg e bëri të qartë se Pekini nuk mund t’i ketë të gjitha.
“Në një moment, nëse Kina nuk ndryshon kursin, aleatët do të duhet ta imponojnë me masa që do të duhet të kenë një kosto”, shtoi ai.
NATO e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka kritikuar gjithnjë e më shumë ndihmën për makinën ruse të luftës të ofruar nga Kina dhe kompanitë e saj, të cilat furnizojnë komponentë dhe pajisje që mbështesin sektorin e mbrojtjes së Rusisë.
Ai gjithashtu theksoi se NATO do të marrë përsipër mbështetjen ushtarake perëndimore për Ukrainën, e cila deri më tani ishte e kontrolluar nga Uashingtoni, siç vendosën ministrat e mbrojtjes të NATO-s javën e kaluar në Bruksel.
Shefi i NATO-s siguroi gjithashtu se “më shumë se 20 vende” janë zotuar të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake në 2% të PBB-së së tyre këtë vit, siç ka pretenduar prej kohësh Aleanca. Pesë vjet më parë, më pak se 10 vende anëtare të NATO-s përmbushnin objektivin e Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes. Kjo tregon mangësitë e theksuara që kanë vendet anëtare në sitemin e armatimeve ushtarake.