Zelenski në Një Turne Europian – Britanikët “Po” Përdorimit të ‘Storm Shadow’, por me Kufizime!

/

Zelenski, Starmer dhe Rutte diskutojnë mbështetjen për Ukrainën dhe “planin e fitores”.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, zhvilluan sot bisedime në Londër për mbështetjen që do t’i duhet Ukrainës në luftën kundër Rusisë në muajt e ardhshëm, tha zëdhënësi i Starmer.

Zëdhënësi përsëriti pikëpamjen e Britanisë se Ukraina ka të drejtë, në rrethana të caktuara, të godasë objektiva brenda territorit rus, por theksoi se qëndrimi i Londrës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi “Storm Shadow” mbetet i njëjtë.

Më herët, Zelenski pati një takim në kryeqytetin britanik me kreun e NATO-s, Mark Rutte.

Kryeministri britanik informoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se ai dhe Zelenski diskutuan “planin e fitores” të liderit ukrainas, kundër Rusisë.

“Kjo ka të bëjë me Ukrainën, por edhe me mbrojtjen e Perëndimit dhe sesi mund të qëndrojmë të sigurtë”, komentoi Rutte.

Ky “plan” i Zelenskit, i cili mbetet mjaft i paqartë në këtë fazë, do të zbulohet gjatë Samitit të Paqes, që pritet në nëntor, por datat e tij ende nuk janë konfirmuar nga Kievi.

Zelenski ka përsëritur ditët e fundit se dëshiron “të detyrojë” Moskën të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë kushtet e Kievit.

“Është shumë e rëndësishme që ne të mund të tregojmë përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur Ukrainën”, tha Starmer, duke përshëndetur liderin ukrainas.

Turneu europian i Zelenskit

Presidenti ukrainas mbërriti në Londër mëngjesin e së enjtes, ndalesa e parë në një turne europian “express” me aleatët e tij kryesorë, i cili do ta çojë atë gjithashtu në Francë, Itali dhe Gjermani, me synimin për të marrë mbështetjen në më pak se një muaj, përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Ky turne europian vjen pasi një Samit i aleatëve në Ramstein, Gjermani, i cili ishte planifikuar për të shtunën, përfundimisht u shty pasi presidenti amerikan Joe Biden anuloi udhëtimin e tij për shkak të uraganit Milton që goditi Floridan, ndërsa ushtria ruse vazhdon të përparojë në Ukrainën lindore.

Ai gjithashtu vjen vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, rezultati i pasigurtë i të cilave, po ngre frikën në Kiev për qëndrueshmërinë e mbështetjes shumë të nevojshme të SHBA-ve.

Pas Londrës, Zelenski do të udhëtojë për në Paris, ku pasdite do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron, sipas presidencës franceze.

Presidenti ukrainas më pas do të udhëtojë në Romë në të njëjtën ditë për bisedime me kryeministren Georgia Meloni dhe të premten në mëngjes me Papa Françeskun në Vatikan.

Ai nesër pritet të shkojë edhe në Gjermani.

Në Berlin, Zelenski do të pritet nga kancelari Olaf Scholz, qeveria e të cilit planifikon të përgjysmojë ndihmën e saj ushtarake dypalëshe për Ukrainën në vitin 2025, që ka shkaktuar zemërimin e Kievit.

Zelensky duhet të përdorë turneun e tij europian për të kënaqur kërkesat e tij për pajisje ushtarake.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Fati “Mal” për 250 Pasagjerët e A350 të Turkish Airlines!

Next Story

'Venus Aerospace' Fluturimi Londër - New York, në 1(një) Orë!

Latest from Info