Pas një takimi të komitetit të urgjencës së organizatës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, ka shpallur shpërthimin e një epidemie të re të koronavirusit në Kinë, duke folur njëkohësisht për një emergjencë globale.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Ghebreyesus e bëri njoftimin në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Komiteti i urgjencës i OBSH-së për shpërthimin thuhet se ishte takuar më herët dhe rekomandoi përcaktimin e shpërthimit si një “Emergjencë e Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar”, PHEIC.
Vendimi ishte “pothuajse unanim”, tha Didier Hussen, presidenti i komitetit, në një konferencë shtypi.
“Arsyeja kryesore për këtë deklaratë nuk është aq për shkak të asaj që po ndodh në Kinë, por për shkak të asaj që po ndodh në vendet e tjera”, tha Tedros në konferencën për shtyp.
“Shqetësimi ynë më i madh është mundësia e përhapjes së virusit në vendet me sisteme më të dobëta shëndetësore që nuk janë të përgatitura për t’u përballur me të. Më lejoni të jem i qartë, kjo deklaratë nuk është një votë mosbesimi ndaj Kinës. Në vend të kësaj, OBSH vazhdon të ketë besim në aftësinë e Kinës për të kontrolluar shpërthimin.”
Tedros gjithashtu përshkroi rekomandimet e bëra nga komiteti i urgjencës për të kontrolluar shpërthimin, duke përfshirë përshpejtimin e zhvillimit të vaksinave dhe ilaçeve dhe luftimin e përhapjes së dezinformatave.
Kjo është hera e gjashtë që OBSH përdor përshkrimin Emergjenca e Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar, PHEIC, që kur emërtimi u vendos 15 vite më parë.